Burri atdhetar dhe mikpritës i Çermenikës

Ornela

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

(Mendime rreth librit “Tahir Hoxha i Çermenikës”, të Kujtim Boriçit)

Publicisti e shkrimtari i njohur Kujtim Boriçi, vjen sot më një vepër të re  “Tahir Hoxha i Çermenikës”. Në lëmin e veprave shqipe ky libër i ri është një prurje e re për një personalitet e atdhetar, luftëtar e nacionalist, që jetoi kohën komplese të shqiptarizmës në tre epoka. Shqipëria i ka me bollëk heronjtë dhe mitet dhe nuk ka nevojë të gjejë as heronj dhe as të mitizojë sepse ata janë në popull, në historinë e tij, në trashëgiminë popullore të çdo krahine.

Nuk ka oxhak, fshat, krahinë, trevë, qytet të Shqipërisë së këtej kufirit dhe matanë kufirit që nuk kanë histori të pasur, histori luftërash e përpjekjesh për mbijetesë dhe një personazh i dashur për të cilin do të flitet sot është padyshim “Tahir Hoxha i Çermenikës”, libër që autori Kujtim Boriçi, meriton të gjitha përgëzimet për këtë vepër memoriale që ka ngritur për një atdhetar dhe burrë zakonlli, për atdhetarin Tahir Hoxha nga Zdrajshi i Çermenikës. Historitë e atdhetarëve janë histori unike shqiptare, janë gur të gdhendur për merak, janë copëza historie shqiptare, që vijnë nga pena të spikatura e Boriçit.

Kur bashkohet emri i autorit dhe emri i atdhetarit, por edhe me redaktimin, konsulencën dhe parathënien e të mirënjohurit Ferit Fixha nuk ka se si produkti, libri për Tahir Hoxhën e Çermenikës të mos jetë një vlerë e lexuar dhe jo një stoli bibliotekash. Shkrimtari, krijuesi, analisti dhe publicist i njohur, gazetari profesional, historiani misionar, Kujtim Boriçi ndriçon skuta të errëta historike ku labirintet mëkatare të kohës kanë lënë edhe keqkuptime. Prandaj libri për Tahir Hoxhën është një memorial me gur Çermenike që autorin e ka futur në mendime duke e imponuar të depërtojë bindshëm në thelbin e një kohe që shkoi, por që nuk ndalet të thërrasë në “skenën e historisë” dëshmitë e mbyllura në “Kyçet” e kohës nga mëkatarë dhe si detyrim të intelektualizmit atdhetar.

Bijtë e bijat e Çermenikës e kanë detyrë dhe detyrimin ta lexojnë historinë e tyre, të futen në stogonët e thellë të memorizuar të kombit, të nxjerrin visaret e fshehur, karakterin e fortë, njerëzit dinjitozë, që ofrojnë krenari kombit dhe lartësojnë vlerat

e atdhetarisë. Libri i Kujtim Boriçit nuk është përkëdhelës, por një memorial vërtetësie dhe kujtese, ku është skalitur me daltë historiani por me logjikë të ftohtë edhe personazhi i spikatur i librit Tahir Hoxha (1888-1963). Edhe pse ka rreth 6 dekada që është shuar Tahir Hoxha një malësor human, që dashuron arsimin, të renë, progresiven është rilindur si pjesë e vlerave më vitale të trevës patriote të Çermenikës. Luftëtar ndaj andartëve, çlirimtar dhe luftëtar betejash kundër sllavëve, mbështetës i Fan Nolit, besëdhënë me Ibrahim Biçakun, nacionalist me bindje, por shqiptar në thelb që dimensioni antifashist dhe mbështetës i LANÇ-it i japin dimension një figure të shquar atdhetare. Konseguent në parimet e tij, fisnik dhe derëhapur, “mëkatar” për disa, por i drejtë, mikpritës e trim, që provoi edhe kalvarin e ndëshkimeve në dekada, por dhe i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor më 1962 dhe emri i tij del në gazetën “Zëri i Popullit” në kuadrin e 50 vjetorit të Pavarësisë (Dekret 3608 dt.25.11.1962 “Për veprimtari patriotike”. Kur dielli atdhetar çel rreze ndriçon atdhetarët e vërtetë, por zhyt e fsheh mëkatarët, sepse “hija” e burrit Tahir Hoxha, burrë i mençur, i pasur, mikpritës, atdhetar dhe i zoti, u zinte diellin dashakeqëve, ndërkohë që e vërteta nuk mund të zhytej edhe në periudhën me të egër të “luftës së klasave”.

Ai jetoi kohën por nuk shkeli normat e parimet e mbi të gjitha qëndroi stoik në karakter dhe dinjitet, edhe në momentet kur rreshtimi politik e bënte figurën e personazhit të librit figurë komplekse dhe ja shtonte punën autori Kujtim Boriçi. Nacionalisti Tahir Hoxha nuk kishte njeri nën vartësi nuk mori pjesë në aksione luftarake, pse diti ta lexonte me intuitë situatën, të mbështeste dhe ndihmonte partizanët si Shejnaze Jukën, Aleksandra Manon, Tefta Dodbibën, Ligor Popa etj. Nuk është e rastit që autori qëmton të vërtetat kur Tahir Hoxha përcillte partizanët me shprehjen “Mirëupafshim në Shqipërinë e lirë”. Në libër gjejnë konsideracione të Ymer Lleshit 103 vjeçar, të Ahmet Kënga, Mehmet Shera, Lutfi Xheri, Faik Kotreli, Sami Bragjeçi, Agim Qoku, etj. Dhe të gjitha këyto pasqyrohen në një aparat të plotë shkencor të librit në dokumente zyrtare dhe në publikime, në gazeta, arkiva, ku e vërteta dhe vetëm e vërteta është synim i Kujtim Boriçit.

Historia dhe historiografia ka nevojë për drejtësi dhe vërtetësi, sepse “e drejta zhytet por nuk mbytet”, thotë një maksimë popullore. Prandaj edhe Kujtim Boriçi në faqen 97 të librit i referohet burrit më të vjetër të intervistuar, Ymer Lleshi nga Kutërmani, që tregon për Tahir Hoxhën: “E thonë të gjithë, e thonë dokumentat, e them edhe unë që e di shumë mirë se Tahir Hoxha qe atdhetar dhe burrë i sesës e fisnik” (faqe 97).

Intervistat e shumta dhe hulumtimet e gjera flasin qartë dhe saktë për atë që shkruan flet e tregon në libër Kujtim Boriçi. Libri është një “marrshim” në dallgët

e jetës, në kërkim të njeriut atdhetar e fisnik që u rrah “me vaj e uthull”, në rrugën e mundimshme të jetës, dhe pikërisht në këtë rrugëtim jetësor në një jetë sa komplekse dhe të vështirë të pleksur me problematikë të kohës spikat autori që nuk zgjedh dhe as përzgjedh material jetësor por i “futet detit me këmbë”, për të dalë i me i kthjelltë dhe më qelibar përballë një kompleksiteti jetësor shqiptar që jetën e kishin nakatosur me politikë e ideologji që nuk i shkonte për shtat ambientit shqiptar. Nga ana tjetër në librin e Kujtim Boriçit udhëton vetë jeta e një treve lavdiplotë sikurse është Çermenika, udhëton kënga, talenti, poezia, reportazhi, jeta, krenaria për vendlindjen, bijtë e bijat që ngjiten në skenat shqiptare dhe në skenat e botës , këngëtarët, poetët, deputetja e parë shqiptare në Zvicër, nusja e Çermenikës, udhëtojnë fiset si ujëvara dhe kroje që nuk ndalen si vetë jeta që gurgullon dhe sjell shijë erëmirë e aromë trëndeline të vendlindjes. Në lëtë labirinth vlerash di të ngrihet autori dhe të qëmtojë kudo në fshat, shtëpi për shtëpi, doke e “rrahur fort” trevën jo me imagjinatë, por duke bërë që këmba të shkelë në baltë dhe në zallin e malit, të prekë fëshfërimën e gjethes dhe të pijë ujë të kristaltë të bortë sikurse ka pirë muza poetike e trevës dhe poetët e artistët që ka lindur e rritur, si vetë fëmijët që i ka rritur e burrëruar dhe ja ka shtuar vlerën krahinës.

Kështu që libri i Kujtim Boriçit është një vlerë që ka sjellë të pastër një copëz historie, kulture dhe identiteti, përmes një pune të jashtëzakonshme. Pena është “arma” e tij, që godet vazhdimisht në shenjë si një shigjetar i stërvitur nën trokun e kuajve që kërkojnë të zhbirojnë të kaluarën stërgjyshore si dhe të gjyshërve të një treve luftarake nga më luftaraket shqiptare. Libri është një simbolikë përjetësie, e denjë që ndriçon, hedh dritë dhe përhap dritë nga një usta akademik për librat, që edhe pse “Librat kanë fatin e tyre”, sikurse thonë latinët, ato që kanë themele vërtetësie jetojnë më gjatë, lexohen e përhapen dhe nuk zënë vetëm një vend në biblioteka por zënë një vend të rëndësishëm në zemrat e njerëzve.

Libri i Kujtim Boriçit ka mijëra fjalë, intervista, kujtime, miq e shokë të shumtë që zgjojnë ide, ndriçojnë bashkudhëtarët në studime për një destinacion të sigurt, për të përjetësuar historinë përmes të vërtetave të dokumentuara në 333 faqet e librit në të shtatë kapitujt e librit. Emra, fotografi, bibliografi, referenca, kërkime arkivore, pasion, histori  të vërteta shkencore janë ato që autori qëmton dhe ja del falë eksperiencë së gjatë që di të “çajë” edhe valët më të komplesuara të historisë dhe të sjellë produkt që të josh të fton të lexosh, të bën të mendosh dhe të reflektosh për një jetë të gjatë dhe të ndershme dhe që ofron produt për konsum të gjerë.

Le të sjellim këtu një nga kulmet e librit: Ndër kulmet e librit është edhe momenti kur tentohej të goditeshin të pasurit, dhe akuzohej se Tahiri kishte “vrarë dy partizanë!”, por kur ish-partizani Ligor Popa çohet në Elbasan e thotë që “unë jam ai partizani që paska vrarë Tahir Hoxha!”, bëri që të dështojnë tentativat e marifetxhinjve, pasi në librin e Kujtim Boriçit, (fq 84), shkruhet qartë dëshmia e

partizanit: “Tahir Hoxha, ai njeri fisnik, na përcolli në periferi të fshatit, na tregoi rrugën më të sigurt, na porositi të kemi kujdes dhe na uroi mirupafshim në Shqipërinë e lirë!”. Fisnikëria është veti e lartë morale, e njerëzve që përbashkojnë idealen në vetëdijen e kombit. Prandaj edhe autori tenton fuqishëm të çlirojë figurat dhe personazhet nga ngarkesat e një bote komplekse duke çliruar njëherazi edhe personazhet popullorë e atdhetarë nga ish deformimet, keqkuptimet e përdorimet politike të pavlera. Pra “jepi Çezarit çfarë i takon”. Referuar Aristotelit “Kush bën vepra madhështore, është fisnik”, dhe në fakt jeta dhe vepra e Tahir Hoxhës është e klasit të fisnikërisë ku madhështia qëndron në dinjitetin, karakterin dhe shërbimin ndaj vendit pa kushte. Kujtim Boriçi skurpuloz dhe i paepur nuk lodhet në zbulimin e të vërtetave dhe vlerave kombëtare. Ai synon dhe arrin në atë që do dhe duhet, që të vërtetën mund ta fshehësh dhe eleminosh vetëm për pak kohë, por jo përjetësisht sepse meritat dhe gjurmët historike do të flasin dhe pikërisht këtu është merita e punës së autorit, që di të zbulojë të vërtetat. Vetëm i drejti nuk ka frikë nga e vërteta, prandaj ja vlen që atdhetarinë dhe krenarinë e brezave të një ndër krahinat më vitale shqiptare sikurse është Çermenika ta mësojnë sa më gjerësisht lexuesit e zonës por edhe mbarë vendit, sepse në të vërtetë libri i Kujtim Boriçit nuk është kontribut për një figurë atdhetare por është kontribut për kulturën e letrave shqipe. Libri “Tahir Hoxha i Çermenikës” është dokument dhe histori, dije dhe pasuri, shok dhe mik, ushqim e melhem plagësh, një nevojë për t’u lexuar. Nuk është e rastit të sjellim në vëmendje këtu se dashurisë për Atdheun, për ikonat e atdhedashurisë nuk i ikën kurrë moda, si para edhe pas një shekulli, edhe pas qindra shekuj sepse Atdhetaria është fisnikëri sidomos kur atdheu përjeton ditë rreziku. Urime autorit për këtë libër-histori me dije, e simbol vlerash, që nuk do mbushë vetëm bibliotekat por edhe boshllëkun real që ekzistonte deri më sot në mjedisin intelektual zonal e kombëtar!

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *