Kristofer Najt kishte zgjedhur të jetonte nëpër pyjet e Maines dhe nuk fliste me njeri që prej vitit 1986. Vidhte ushqime dhe sende të tjera nga shtëpitë e zonës dhe me vete mbante gjithnjë një radio me bateri për t’u informuar për të rejat më të fundit, por nuk u tundua kurrë të lidhej me njeri derisa një ditë u zbulua nga policia
Quhet Kristofer Najt dhe prej afro tre dekadash jetonte në pyjet e Maines, në verilindje të Shteteve të Bashkuara pa pasur kurrë kontakte me qenie të tjera njerëzore. 47-vjeçari jetonte kështu derisa u ‘kap’ nga një gjuetar lokal, i vendosur për të zbuluar përgjegjësin e plaçkitjeve të shpeshta që kishin ndodhur në zonë ku banonte.
Një radio për të dëgjuar “rock”
“The Guardian” tregon historinë e Kristofer Najt, i cili për të mbijetuar kishte kryer mijëra vjedhje nëpër shtëpitë dhe fermat afër pyllit ku qëndronte i fshehur prej 27 vjetësh. Grabitjet kryesore kishin të bënin me ushqimin, por edhe me veshje dhe mbulesa të domosdoshme për të jetuar në pyje. Kur së fundi u fut vjedhurazi në një ndërtesë për persona me aftësi të kufizuara dhe shpërthyen alarmet, për Najtin mbërriti edhe fundi i izolimit të tij shumëvjeçar. Pasi e arrestoi, policia arriti të gjejë edhe “bazën” e tij: një tendë e ndërtuar midis dy pemëve, me një shtrat, një bombul gazi për të gatuar, mbulesa, madje edhe një radio me bateri që burri e përdorte për të qenë gjithnjë i informuar mbi ngjarjet e fundit dhe për të dëgjuar muzikë “rock”, të preferuarën e tij.
Përshëndetja e fundit në vitet ‘80
Banorët e zonës dyshonin prej vitesh për praninë e tij dhe e kishin quajtur “Eremiti i pellgut të Veriut”. I pyetur nga policia, Najt rrëfeu se nuk fliste me asnjeri që prej fundit të viteve ’80. Vetëm në një rast dikush kishte kaluar në një rruginë afër tendës së tij në pyll dhe i kishte drejtuar një përshëndetje, të cilën burri ishte detyruar t’ia kthente. Ky episod kishte qenë i vetmi kontakt me një njeri që kur, më 1986-n, kishte vendosur të jetonte në pyje.
Kristofer ishte larguar nga shtëpia që kur ishte vetëm 19 vjeç dhe gjatë gjithë këtyre viteve jetoi duke vjedhur në shtëpitë përreth, pa u gjurmuar asnjëherë nga policia. Madje disa nga banorët e kishin bërë zakon që të linin në verandat e shtëpive të tyre ushqime, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur temperaturat në Maine mund të arrijnë deri në -12 gradë Celcius.
Ndërsa të tjerë deklarojnë se nuk kanë qenë në dijeni të ekzistencës së tij. Pol Anderson këshilltar i qytetit thotë: “Jetoj në këtë qytet prej 32 vitesh dhe kurrë në jetën time nuk e kam parë këtë djalë”.
Kur u arrestua, Najti ishte i rruar dhe mbante ende syzet e tij të viteve tetëdhjetë. U akuzua për vjedhjen e ushqimit dhe sendeve të tjera për një vlerë prej 238 dollarësh, ndërsa gjoba që duhet të paguajë për të dalë në liri është prej rreth 5 000 dollarësh. Nuk dihet nëse i ka mbetur ndonjë i afërm që mund të paguajë për të, por deri më tani përpjekjet për të gjetur ndonjë të tillë kanë rezultuar të dështuara.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
shume interesant po tja paguaje shteti se se ka problem me gjithe ato asistenca qe ju pagun paraziteve ne shba
I ziu ka tentuar ti jepet natyres , por papritur ka rene ne gracken e eger te saj..