Studentët e shkëlqyer shqiptarë që thellojnë më tej njohuritë në programet Bachelor, Master e Doktoraturë duke u pranuar në një nga universitete më të mira botërore, do të mbështeten me bursë
Rreth 150 milionë lekë është fondi i ekselencës që do të ndahet për studentët e shkëlqyer shqiptarë që do të sigurojnë të drejta studimi në universitet më të mira botërore. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar fondin që do të ofrohet për studentët e shkëlqyer së bashku me procedurat e aplikimit dhe ndarjes së fondit. Në vendim për herë të parë përfshihen dhe studentë nga trevat shqiptare. Vendimi përcakton se studentët dhe doktorantët që do të formohen në universitetet më të mira të botës do të japin kontributin e tyre për 3 vjet në Shqipëri, në sektorin publik ose privat. Parashikohet gjithashtu zgjerim i listës së universiteteve, sipas fushave të studimit në shkencat shoqërore apo shkencat natyrore, në bazë të renditjes së tyre botërore. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do ta përdorë fondin e akorduar për dhënien e bursave të posaçme për studentë që ndjekin studime “Bachelor”, “Master” ose të doktoratës në universitetet më të mira botërore sipas kritereve të detajuara që i gjeni në vijim të shkrimit.
Kategoritë që mund të aplikojnë për këto bursa
Sipas përcaktimeve të bëra, kanë të drejtë të aplikojnë kandidatët që ndjekin studimet e plota të doktoratës ose një pjesë të tyre jashtë shtetit në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës në shkencat shoqërore, të artit dhe sportit, ata që studiojnë në njërin prej 50 universiteteve më të mira të botës në shkencën e matematikës, shkenca natyrore, teknike, teknologji, shkenca të edukimit dhe ato të jetës, sipas renditjes së zhvilluar nga “Renditja Botërore e Universiteteve”, për vitin më të fundit, si dhe në njërin prej universiteteve të mirënjohura të botës për studimet në albanologji, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare.
Në çdo rast ata duhet të përmbushin kriteret e notës mesatare. Studentët e përmendur më lart kanë të drejtë të aplikojnë kur kanë arritur notë mesatare mbi 9 për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore për studimet e kryera brenda vendit ose përkatësisht mbi 8 (e barasvlefshme me vlerësimin B në sistemin anglo – sakson) për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 8.5 (e barasvlefshme me vlerësimin B + në sistemin anglo – sakson), për shkencat ekonomike e shoqërore.
Vendimi përcakton se kanë të drejtë të aplikojnë edhe kandidatët që janë pranuar në një universitet të huaj për studimet e doktoratës, pa pagesë për tarifa studimesh dhe nuk marrin pagë ose shpërblim për punën kërkimore apo mësimore që bëjnë gjatë këtyre studimeve në universitetin pritës. Pjesë e përfituesve janë edhe kandidatët që kanë përgatitur një projekt për kërkim gjatë studimeve të doktoratës jashtë shtetit dhe të gjitha shpenzimet e projektit kërkimor janë marrë përsipër nga universiteti pritës.
Për të përfituar nga fondi studentët duhet që të përmbushin një tjetër kusht, që është “të punojnë së paku 3 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve të doktoratës jashtë shtetit”. Një tjetër kusht që duhet të plotësojnë këta kandidatë për të përfituar edhe kriteri që nuk duhet të jenë përfitues të ndonjë programi tjetër bursash dhe të mos kenë të ardhura më të larta se sa 200 mijë lekë në muaj nga familjarët e tyre.
Vendimi përfshin në kategorinë e përfituesve të këtyre bursave studentët që ndjekin jashtë shtetit ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve universitare që kanë përfunduar studimet parauniversitare me mesatare mbi 9 të të gjitha viteve të shkollës së mesme ose ekuivalente për ata që kanë përfunduar këto studime jashtë vendit për studentët që aplikojnë për ciklin e parë të studimeve universitare.