Bursat për vitet e dyta e lart, rihapen aplikimet edhe për 5 ditë  

Ornela

 

Pranvera Kola – DITA

Studentët e shkëlqyer, si dhe ata që janë pjesë e kategorive në nevojë, kanë edhe një shans të dytë për të përfituar nga programi i bursave. Pas kërkesave të paraqitura nga vetë universitetet, dikasteri i arsimit dhe qeveria kanë aprovuar shtyrjen e aplikimeve deri në datën 30 maj për të gjithë studentët e viteve të dyta e lart.

Në këto kushte të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret për të vijuar studimet e larta nëpërmjet programit të bursës mund të përgatisin dosjen e dokumenteve të kërkuara dhe ta dorëzojnë atë brenda 5 ditëve të ardhshme pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës.

Ndërkohë që është detajuar edhe lista konkrete e dokumenteve që duhet të jenë pjesë e dosjes së aplikimit për këto kategori, si dhe institucionet ku duhet të tërhiqen.

“Afati për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për studentë të regjistruar në universitetet publike përcaktohet për çdo vit, në urdhrin e ministrit që përcakton edhe planin e shpërndarjes së bursave për vitin akademik. Përjashtimisht për vitin 2017, afati për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për studentët e regjistruar në universitetet publike do të jetë data 30 maj”, sqarohet në vendimin e miratuar në nisje të kësaj jave, i cili është zbardhur ditën e djeshme edhe në Fletoren Zyrtare.

Nëpërmjet shkresave përkatëse fakultete kanë informuar edhe një herë studentët në lidhje me dokumentet që duhet të dorëzojnë për të faktuar plotësimin e kritereve të përfitimit të bursës së studimeve, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Studentët e kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë kur: “Janë ndarë nga trungu familjar, kur familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private, në rastet kur vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi, kur shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese, si dhe kur nuk kanë përfunduar programin e studimit brenda kohëzgjatjes normale të tij, të përcaktuar në aktin e hapjes së programit përkatës të studimit”.

Kategoritë në nevojë që do të përfitojnë bursë janë: “Studentët që ndjekin studimet në largësinë mbi 10 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike nga njësia e vetëqeverisjes vendore, secili nga studentët, i cili rezulton bashkëshort me fëmijë, dhe kur familja e tij trajtohet me ndihmë ekonomike nga njësia e vetëqeverisjes vendore, si dhe personat me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu me bursë trajtohen edhe  studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, ata që kanë humbur përgjegjësinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë, studentët që janë identifikuar e trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror, si dhe studentët që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

Lista e dokumenteve që duhet të paraqesin studentët e viteve të dyta e lart

  1. Certifikate Familjare (Gjendja civile).
  2. Vërtetim për vëllezërit dhe motrat që janë nxënës, ose student ku të jetë e përcaktuar nëse trajtohen ose jo me bursë dhe nëse kanë aplikuar për bursë për vitin akademik 2016–2017 (Merret nga shkolla, apo fakulteti përkatës pranë zyrave të financës).
  3. Vërtetim për të ardhurat mujore të secilit anëtar të familjes mbi moshën 18 vjeç nga qendra e punës kur janë në marrëdhënie pune.
  4. Vërtetim për të gjithë anëtarët e familjes mbi 18 vjeç që janë të regjistruar si punëkërkues të pa punë që merret nga Zyra e Punësimit.
  5. Vërtetim për vlerën e ndihmës ekonomike kur familja e përfiton ose jo. Numri i dosjes, masa e plotë, ose e pjesshme dhe shuma ( ky dokument merret nga Seksioni i Ndihmës Ekonomike te firmosur nga Kryetari pranë njësisë përkatëse vendore).
  6. Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore ku të jetë e përcaktuar nëse prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç marrin, ose jo pension dhe shtesa të tjera. Sigurohet nga Zyra e Sigurimeve Shoqërore.
  7. Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore në rast se njeri prind është invalid. Vërtetim nga Shoqata e Invalidëve të Punës ( e firmosur, e vulosur nga kryetari i shoqatës, si dhe vërtetim nga KMCAP dhe Dëshmi e Invalidit të Punës, ku duhen fotokopje të noterizuara të librezave përkatëse.
  8. Vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve për të gjithë anëtaret e familjes mbi moshën 18 vjeç, që ushtrojnë ose jo aktivitet privat.
  9. Vërtetim nga Qarku që disponon ose jo tokë bujqësore për të dy prindërit, në rastin që disponon duhet të jetë e përcaktuar në m2 dhe të ardhura totale që përfitojnë prej saj.
  10. Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që tregon se disponon ose jo pronë për të dy prindërit (shtëpi, dyqan, lokal, etj).
  11. Vërtetim studenti ku të specifikohet nëse është ngelës ose jo.
  12. Fotokopje e kartës së identitetit të studentit aplikues.
  13. Vërtetim nga njësia bashkiake ku banon studenti.
  14. Studentët me statusin e jetimit duhet të paraqesin vetëm vërtetim për këtë status nga Shërbimi Social Shtetëror pranë Ministrisë së Punës.
  15. Studenti qe ka humbur kujdestarinë prindërore duhet të dorëzojë vetëm vendimin e gjykatës së formës së prerë të humbjes së kujdestarisë nga të dy prindërit, merret nga Gjykata e Rrethit.
  16. Studentët që kanë statusin ligjor që nuk shikojnë, apo nuk dëgjojnë duhet të dorëzojnë vetëm vërtetimin e statusit ligjor të invalidit.
  17. Vetëm studentët që janë fëmije të punonjësve të policisë, shërbimit informative dhe forcave të armatosura që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, duhet te paraqesin certifikate familjare, vërtetim studenti (ngelës, ose jo) dhe vërtetim nga ministritë përkatëse që vërtetojnë këtë status.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *