Partia Socialiste bëri të ditur sot se vonesa për miratimin e ligjeve për statusin nuk është përgjegjësi, dhe as faj i opozitës, por mungesë dëshire nga ana e shumicës për zbatimin e vendimit të gjykatës për Fierin.
“Nuk mund të ketë marrëveshje politike me Berishën që të ngrihet marrëveshje kundër vullnetit të 300 mijë qytetarëve të Fierit.
Tek aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, e vërteta gjendet tek qëndrimi i Ambasadës Holandeze, hendekun që ekziston me ligjin e shkruar në letër dhe zbatimit në praktikë. Në lidhje me qëndrimin e qeverisë holandeze, si ne ashtu edhe mazhoranca ndajmë të njëjtin informacion, qëndrimi i Hollandës ka qenë më i zëshëm për cështje që Shqipëria duhet të adresojë. Kryesorja ka të bëjë me shtetin e së drejtës, zgjedhjet, korrupsionin. Eshtë spekullim i madh të bësh sikur nuk e njeh këtë realitet, aq më tepër t’i kundërvihesh këtij realiteti. Adresimi i cështjes së drejtës, duke zhbllokuar qarkun e Fierit do të ishte një sinjal pozitiv përballë ndërkombëtarëve. Pyetja që duhet të bëjnë të majtë e të djathtë është a e do vërtet Berisha statusin?”
Në një bashkëbisedim me gazetarët, deputeti Ditmir Bushati tha se, Berisha e konsideron veten mbi ligjin dhe po shpërdoron kohën për statusin. “Është spekulim i madh të bësh sikur nuk e njeh realitetin dhe t’i kundërvihesh realitetit me çështje të paqena”- tha ai.
Bushati më tej shprehu gatishmërinë e PS për integrimin dhe reformat integruese, por duke ripërsëritur vendimin e prerë për cështjen e Fierit.
Duke iu referuar deklaratës së një dite më parë të kryeministrit Berisha, se opozita ka kaluar 22 ligje dhe mban peng 3, Bushati teksa e konsideroi këtë një tjetër mashtrim dashakeq të Kryeministrit, shtoi se problemi s’qëndron në moskontribuimin e opozitës në kalimin e ligjeve, por në morealizimin e detyrave nga qeveria.
“Është një mashtrim dashakeqës i Kryeministrit. PS ka kontribuar jo vetëm për 22 ligjet që thotë Kryeministri, është qeveria që nuk ka bërë si duhet detyrat në një sërë cështjesh. Gabimisht ai ngatërron ligjet me detyrimet që duhet të realizojë qeveria e tij” u shpreh Bushati.
Më tej Bushati kërkoi nga Kryeministri Berisha që të lejojë zgjedhje të ndershme dhe të luftoje korrupsionin, pasi vetëm kështu mund të përshpejtojë ëndrrën europiane të shqiptarëve.
Një dite më parë Kryeministri Berisha ftoi kryetarin e opozitës, Edi Rama, që të pranojë ofertën e bërë prej tij për të zgjidhur përmes një mocioni, konfliktin për qarkun e Fierit.