Eksperti i çështjeve ekonomike në PS, Ervin Bushati, shprehet se qeveria bën investime kur afrohen fushata, me qëllim marrjen e votave. Gjatë një emisioni në Neës 24, Bushati u shpreh se borxhi publik është shumë më i lartë se norma e lejuar.
“Kjo puna e borxhit publik në Shqipëri është si puna e sheqerit me diabetikun. Në Shqipëri që nga rënia e diktaturës, investimet janë bërë për mandate elektorale. Z. Berisha e thotë, ky është prioritet politik. Kemi marrë kaq para se do fitojmë kaq euro. Të gjitha janë bërë për të marrë votë. Ndaj vijmë tek logjika e ekonomisë, këto para duhet t’i menaxhojmë mirë. Investimet e qeverisë nuk kanë efikasitet. Por Shqipëria ka kombinimin e një vendi në rritje dhe të një vendi të maturuar. Nivel borxhi të lartë, tepër të lartë ku të lihet një hapësirë fiskale, si sot kur jemi në një moment krize. Se borxhet u morën në kohë të mirë në 2008 e 2009 dhe sot kur duhet të ishte menaxhuar mirë, dhe borxhin ta rriste në masën 50%, ndërkohë ne e kemi mbi 60%”.
Më tej, Bushati shtoi se borxhi rëndon mbi bizneset në vend. “Shumë qeveri të përgjegjshme marrin borxh si Amerika apo Japonia. Një vend i përgjegjshëm që bën investime të sakta dhe menaxhon borxhin në rregull, por ne kemi humbur besueshmërinë për të marrë borxh. Është kthyer në një zinxhir për qafën e bizneseve”.
Ndërkohë, zv.ministri i Financave, Nezir Haldeda, u shpreh se marrja e borxhit ka rezultuar një strategji efikase.
“Pagat nuk janë vonuar për mungesën e borxhit. Debati sot është si ta sjellim ekonominë në rritje. Nuk është marrë borxh të paguhen pensione e paga. Huamarrja mbulon deri në 75% të investimeve dhe pjesa tjetër e investimeve mbulohen me të ardhurat që mbledhim. Të investojmë në arsim e shëndetësi. Borxhi ka shkuar për energjinë, infrastrukturën, nuk është përdorur për administratën. Marrja e borxhit ka qenë efikas, absolutisht po”.