Një botim që krenon njerëzit e asaj ane dhe me interes për çdo lexues
Nga Gëzim Voda
Për shumëkënd që nuk është nga zonat veriore të vendit dhe nuk e njeh po vetëm ka dëgjuar për krahinën e Lumës në Kukës, besoj se nuk gaboj të them se ajo për shkak te teritorit të thyer e malor ku shtrihet (në të djathtë të rrjedhjes të Drinit të Zi), vlerat historike dhe luftarake që bart në përplasje me pushtuesit e huaj; qëndrestarinë epike te njerëzve të asaj ane në ngjarje të tilla; temperamentin burrëror, krenar dhe të drejtpërdrejt të atyre banorëve ndaj kundërshtarëve të çdo lloji; mprehtësinë dhe veprimin “hazërxhevap” në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me ekzistencën e tyre në ato troje, afron shumë më krahinën e Labërisë në jugun e Shqipërisë. Çuditërisht këto dy krahina fillojnë edhe me të njëjtën gërmë: “L”. Sigurisht, që Kukësi ka edhe krahina të tjera dhe seicila ka historinë e saj të mirëpritur në opinion, por Luma seç ka diçka më të veçantë, ka një emër më tingëllues, më të ndjerë që lidhet mësëshumti me disa prej veçorive të cituara më lart. Por edhe të 43 fshatrat që e përbëjnë atë nga Morina ku dilet për Prizren deri në Bushtricë e Kalis ( që i përkasin Kukësit), madje deri në Kala të Dodës (që është pjesë e Dibrës), kanë historitë e tyre sa të veçanta aq edhe të përbashkëta.
Pikërisht kjo rrëfehet edhe në botimin “Bushtrica nëpërmjet historisë dhe traditave”, të studiuesit të njohur të atyre anëve Xhavit Lashi, i cili ndonse ka në titull emrin e një fshati Bushtricën), në brëndi gjendet thuajse e tërë Luma. Në 450 faqet e këtij libri plot fakte mbresëlënëse, dhe referenca të shumta arkivale nga autorë vendas e të huaj, si dhe fotografive, hartave e skicave të panumërta, apo dhe të qindra personazheve që përfaqësohen në të (shumë prej të cilëve janë gjallë), besoj se jo vetëm për një si unë vetëm sa kam shkuar në ato anë por pa banuar atje, po edhe ata që janë vendalij denbabaden, do të befasoheshin për vlerat historike, shoqërore, sociale, etnokulturore dhe humane të këtij botimi. Zakonisht, merita e atyre që shkruajnë për historitë njerëzore, qëndron pikërisht tek ajo që sa e si ata ndriçojnë të shkuarën e largët e të afërt, sa të plotë e të vërtetë ua transmetojnë atë brezave pasardhëse. Në këtë libër, bash kjo gjë nuk mungon, por jepet me bollëk.
Ajo që shquan më shumë se gjithëçka aty, është të shkruarit thjesht, me merak e përkushtim, jo vetëm për njerëzit e çdo moshe e të çdo fshati që përfshihet apo fqinjëson me Bushtricën, dikur qëndër e Nahijes së Epërme të Lumës e sot si qëndër administrative, por edhe për tokën, krojet, përrejt, mullijt e blojes, meratë e bagëtive, bjeshkët, stanet, kuajt dhe qëntë e blektorëve, veshjet e tyre, malet përrreth, rrugët e karvanëve të huaj e vendas në shekuj për tregëti dhe shtegëtimin e bagëtive, kuvendet e burrave të asaj ane, qëndrestarinë dhe sakrificat e tyre në luftra ndaj pushtuesve të huaj, deri dhe transformimet e mëvonshme arsimore, kulturore, sociale etj. Thuajse një libër enciklopedik. Aty, nuk mungojnë edhe rrëfime emocionuese nga gojtaria e vendasve, madje dhe përjetime personale nga vetë autori, duke e bërë botimin bindës dhe jetësor. Një produkt, që mendoj se ia shton vlerat Lumës si krahinë dhë Kukësit në tërësi. Nuk e tepëroj të them se Xhaviti, ka bashkëngjitur aty shpirtin e tij, dashurinë dhe respektin pa kufi për vendlindjen e vet. Ai e përligj plotësisht këtë, me çka e thotë vetë në pjesën hyrëse të librit: ”Çdo njeri është borxhli ndaj vendlindjes së tij”, duke prurë kështu një model edhe për shkrues të tjerë që i kushtohen kësaj teme.
Asokohe (1977-1985), kur tok me të shkonim në thellësi të Lumës, Xhaviti, një lumjan i thekur dhe përfaqësues tipik i asaj treve, kryente një detyrë të besueshme në rrethin e Kukësit dhe ishte i detyruar të shkruante e të fliste në funksion të saj (siç bënin edhe të tjerë si ai), dhe ende nuk e kish “mprehur” penën, për t’iu përkushtuar “nahijes” së vet. Jo se s’donte, por “s’mundej…” Në ato vite, seç kishte një lloj opinioni të stisur paragjykues e përgojues për atë kuadër (për më tepër po të ishte në rreth), që i kushtohej krahinës dhe fshatit të tij. Më e pakta, konsiderohej si “i prirur nga lokalizmi dhe interesat e ngushta zonale”, dhe medemek “e largonin” atë nga “e përgjithshmja”, nga “çështjet e ditës”, nga “punët e mëdha…”, etj. Kujtohej sikur ai që shfaqej me një ndjesi të tillë, kish rënë “peng” i egoizmit dhe i lavdisë personale. Kohët ndryshuan dhe liria individuale e fituar në këto 30 vite, si për çdokënd me pasionin për të shkruar, qe nxitëse edhe për vullnetmadhin Xhavit Lashi.
Ai, për vetë formimin arsimor dhe intelektual të tij (ka kryer studimet e larta për histori-gjeografi si dhe filozifi, para vitit 1980), por dhe për motivin e brëndshëm si bir i denjë i asaj ane, nuk do të rrinte pa i treguar aftësitë e tij krijuese në disa botime me karakter historik, jo vetëm për vendlindjen e vet Bushtricën dhe trevën e Lumës si në këtë rast, por edhe më gjerë. Vite më parë, ai përfundoi botimin voluminoz “Qarku i Kukësit në rrjedhën e historisë” (ku përfshihen Kukësi, Hasi e Tropoja, madje gjer dhe zona të Kosovës ), e më pas për historinë e “Shkollës Pedagogjike të Peshkopisë” ku ai ka kryer arsimin e mesëm pedagogjik, botime të cilat janë mirëpritur në opinion për realitetet e thëna, sensin e tij dashamirës dhe prirjen pozivitiviste, larg njëanshmërisë, nihilizmit dhe subjektivizmit. Dhe në kësi rastesh, si gjithëkush edhe Xhaviti i meriton fjalët e mira. Çka flas, nuk janë thjesht e vetëm konsiderata personoale si mik i tij, por mbi të gjitha të një simpatie vetiake më gjithëpërfshitrëse që kam krijuar si “bredharak” i atyre anëve në 7-8 vite, jo vetëm për lumjanët dhe kuksianët në tërësi, por edhe për zona të tjera fqinjë me ta si Dibra,Hasi, Tropoja e Puka, po në ato vite. Sasipër, nuk kam nguruar kurrë të them se, jam ndjerë i preivilegjuar për aq njohje që kam patur rreth tyre, e që modestisht diçka kam mundur të shkruaj për to në një botim timin vitin që shkoi.
Në libër mësohet se zanafilla e emrit Bushtricë sipas një reference arkivale të vitit 1863, ka lidhje me fjalën “Pushtericë” (vend i zhveshur), dikur me pyje por të dëmtuar nga një zjarr i madh. Emri i këtij fshati dhe i 9 mëhallave që e përbënin atë, autori na thotë se janë gjetur në Regjistrat Kadastralë Osmane, të paktën prej vitit 1571, si pjesë e Sanxhakut të Dukagjinit që daton i krijuar në vitin 1479 dhe shtrihej gjer në Guci. Aty flitet edhe për kufijt teritorialë të këtij fshati që thuajse janë po ata që janë sot: nga Ujët e Lapave në veri, tek përroi i Matranxhit në jug; dhe nga Gurra e zezë e Shkinakut në lindje, gjer në kufi me Kalisin e Vilën. Interesante në këtë rast duket shtrirja e Sanxhakut të Dukagjinit gjer në këto anë dhe emrat e disa prej 9 mëhallave si, Gjonan, Priftan, Nikosan, Kuqkiq, Bardan etj, çka flet se popullsia e asaj kohe ka qënë me besim tjetër nga i sotmi, i kthyer gjatë sundimit osman. Mbas 300 vjetësh, pikërisht në një dokument (salname) të Vilajetit të Kosovës të vitit 1897-1898, në Kazanë e Lumës (e cila është quajtur “Krahinë” qysh prej shekullit të 16-të ), gjenden emrat e disa fshatrave që përbëjnë teritorin e Bushtricës, si Boshtrixh, Malush, Matreniqë, që u përkojnë emrave të sotëm: Bushticë, Palush e Matranxh. Këto emra por dhe emri i fshatit Gjegje, shihen edhe tek organizimi komunal i Qarkut të Prizrenit në gusht të vitit 1919. Ndër dekada e vite, del se Bushtrica nuk ka qënë thjesht fshat i veçuar, por edhe qëndër bashkuese, madje dhe administrative e disa fshatrave për rreth nga Çaja deri në Ujët e Veleshicës, duke përfshirë Kalisin dhe fshatrat e Kalasë së Dodës, të cilat në një farë mënyre janë quajtur “Nahija e Epër” e Lumës, apo “ Zemra e Bushtricës së Madhe”. Më pas autori tregon se Bushtrica ka qënë qëndër Komunë në kohën e mbretërisë zogiste, qëndër lokaliteti dhe Këshill i Bashkuar në regjimin komunist dhe përsëri Komunë e Njësi Administrative në 30 vitet e fundit. Këto e të dhëna të tjera që gjenden në këtë botim të parë të këtij autori për Bushtricën (sepse ai mendon të mos mbetet me kaq), janë një kontribut i vyer i tij për të gjithë ata që duan të dinë ç’përbën Bushtrica si teritor e si qëndër administrative nga një kohë në tjetrën dhe ç’histori e tradita ka ajo.
Siç është thënë dhe më lart, në libër përshkohen me hollësi mjaft veçori dalluese të Bushtricës dhe fshatrave rreth saj, të kësaj “mini-Lume”,që shtrihet në lartësitë më të mëdha të Kukësit. Një ndër këto veçori është ajo e pasionit për mbarështimin e blektorisë së imët. Cilido që ka dëgjuar për delen “rudë”, për këtë rracë gati “hyjnore”për lumjanët, ajo “truallin” e vet më shumë se në çdo fshat tjetër shqiptar e ka në “Nahijen e Epër”: në Çajë, Bushtricë, Kalis e Kala e Dodës, aty ku fillon e mbaron vargmali i Korabit. Avantazhet e kësaj rrace dhe pasionin me të cilin janë marrë e merren edhe sot lumjanët me delen rudë, Xhaviti i përshkruan po me atë pasion që karakterizon bashkëfshatarët dhe bashkëkrahinarët e tij për to. Ai rrëfen se kjo lloj dele dallohet jo vetëm për bukurinë e saj trupore: hundën me hark, trupin e gjatë e të lartë dhe ngjyra kryesisht e bardhë, por edhe për vlerat më të qënësishme: sasinë e qumështit e të mishit dhe mbi të gjitha për leshin fine, të butë e me fije më të gjata, i kërkuar me përparësi në industrinë e prodhimit të qilimave dhe sixhadeve të famshme, që tre dekada më parë prodhoheshin industrialisht në Kukës, apo që përgatisnin gratë lumjane në mënyrë artizanale në banesat e tyre. Një lloj dele që vendasit kanë qënë e janë “fanatikë” në ruajtjen e kësaj rrace. Në libër tregohet se në kohën e kooperativizmit, u sygjerua nga instanca të larta për ta kryqëzuar në Lumë atë rracë me rracën “merinos”, por lumjanët nuk e pranuan dhe u bë si thanë ata.
Por ajo çfarë e bën Lumën edhe më të vlerësuar, sikurse del prej këtij botimi, është përballja e njerëzve të saj me tre pushtimet sërbe (1912, 1915 e 1919 dhe mes këtyre viteve edhe me pushtimin austro-hungarez), ku raprezaljet dhe masakrat ndaj vendasve kanë qënë tepër të mëdha në njerëz, bagëti, banesa, etj. Faktohet se, në shtator të vitit 1913, 96 meshkuj nga 15 vjeç e lart të fshatit Kalis, të detyruar nga sërbët hapën gropa të mëdha, të cilat u bënë varret e tyre mbasi sërbët i pushkatuan të lidhur me litar sëtoku . Sot, ai vend quhet “Varri i Shehitëve të Kalisit”(i njerëzve të pafajshëm). Nga shtatori në nëntor të atij viti, në Lumë u dogjën prej tyre mbi 700 shtëpi,u therën e u vranë mbi 1800 banorë dhe u grabitën mbi 7000 bagëti të imta. Gjithësesi, edhe “haraçi” i paguar prej sërbëve në këto përballje nuk ka qënë i vogël. Betejat tek Kulla e Lumës, Qafa e Kolesjanit, Ura e Lapave, Kala etj, sidomos në vitin 1912, shpuri në mijra sërbë të vrarë, aq sa për këtë shkak në gojtarinë popullore vendase këndohet: “Luma e Shëja* po kullojn gjak/ Po i thonë Drinit, na ndihmo pak…”. Flitet për gjakun e sërbve të vrarë në këto luftime. Thirrja-kushtrim “7 e 70”, si veçori e malësorëve të Veriut e mbase më unikja në botë, nuk ka përcaktuar vetëm moshën e mundshme për luftë ndaj të huajve, por dhe motivin për qëndrestari të vendasve.
Mësohet se këto përballje me sërbët kanë vazhduar deri në fillim të viteve ’20-të të shekullit të kaluar, edhe pse Shqipëria ishte shtet i njohur prej disa vitesh. Duket si paradoksale kjo situatë mbas shpalljes së Pavarësisë më 1912, por të vërtetat kështu janë. Shqiptarët ishin të pa përfillshëm për Fuqitë e Mëdha europine të kohës, ndaj trualli jonë u coptua duke kënaqur fqinjët tanë lakmiqarë. Në libër përmënden trimëritë e shumë burrave të njohur lumjanë e dibranë, luftëtarë të së njëjtës llogore si, Elez Isufi, Ramadan Zaskoci, Suf Xhelili, Islam Spahia, Mahmut Daci, Ramadan Çejku, Mustafë Lita, Shaqir Palushi, Molla Osmani, etj, ndërkohë që atyre luftrave u përkasin 97 dëshmorë vendas. Flitet për një periudhë të ndritur luftarake dhe qëndrese të pa shëmbëllt, që autori nuk është kursyer në paraqitje, e që rapsodët popullorë të këtyre anëve i kanë përjetësuar në këngë, të cilat të rrënqethin me fjalët e gjetura e të krenojnë për vitalitetin që i karakterizon. Një ndër to është ajo e dibranit të pavdekshëm Qerim Sula: ”Dridhen malet, s’tunden kullat/ N’logt burrnisë maten burrat/ S’e lshojnë vamën pa vue ksulat/ Kadal hasëm, këtu ka burra/ Na knojnë pushkët nëpër kulla/ E mbrojmë vendin pllamb e plumba…” Ky atdhetarizëm i tyre është shfaqur edhe gjatë luftës antifashiste N.ÇL. Shohim që në shtator të vitit 1943, në Bicaj (e konsideruar si kryeqëndra e Lumës), u krijua Çeta partizane e kësaj krahine; në qershor 1944, u krijua Batalioni partizan i Lumës. Ndërsa, në tetor 1944 (përsëri në Bicaj) u krijua Brigada e 24 sulmuese kryesisht me lumjanë dhe zona të tjera të Kukësit. Ajo pati si fillim 560 luftëtarë dhe e përfundoi në maj 1945, me 1185 partizanë. Lumjanët u rreshtuan edhe në brigada të tjera partizane dhe mbetën dëshmorë, 82 prej tyre.
Sa flitet në këtë shkrim, është një përshkrim i shkurtër i disa veçorive të lumjanëve dhe sidomos të zonës së Bushtricës, por autori ka bërë një punë kolosale dhe mëse produktive, e cila kurrësesi nuk mund të mbetet vetëm “pronë vetiake” e tij, por e mbarë lexuesve lumjanë e më tej. Madje, do ishte me interes të flitej për to nëpër shkollat e atyre anëve si dhe dhe në referenca studimore lokale e kombëtare.
Tiranë, gusht 2020.
*-Janë emrat e dy lumejve. Prej emrit të lumit “Luma” që rrjedh nga malete Sharit dhe më pas ndan malin e Korotnikut nga ai i Gjallicës, vjen edhe emri i krahinës së Lumës.
XHAVIT LASHI

Lexuesi kuksian dhe, edhe me gjere, sic i ka mirepritur me interes librat e pare te Xhavit Lashit, intelektual i mirenjohur i rrethit te Kukesit, ka pritur te botohet edhe ky liber i ri per Bushtricen dhe pret edhe librin tjeter per rinine kuksiane te aksioneve ne rrugen Kukes Peshkopi e me vone. Mezi pres ta lexoj se jam larg dhe covid 19 po na pengon, por e vleresoj shume edhe kete ekspozé te te nderuarit Gezim Voda dhe e pergezoj edhe per librat qe ka botuar, per studimet dhe shkrimet e tij profesionale ne gazeten “Dita”.
Lumsi ai qe shkruan diçka per vendlindjen!
Qendro ne lartesine e emerit tend te nderuar, profesor Xhavit Lashi,nenkryetar i shoqates Luma.
Ruzhdi Jata, Londer
Ruzhdi te falenderoj per komplimentin qe me ben dhe te uroj miresi e mbaresi aty ku je.Te kam njohur si nje nder gazetaret dhe njerezit e zgjuar dhe fisnike te treves tende. Mes miqve te mi te asaj ane, ka ndodhur qe e kam zene ne goje emrin tend, sigurisht per mire. Xhavitin dhe jo pak kuksiane te tjere, vazhdoj t’i kem miq te mire edhe sot pas 30 e ca viteve. Respekte i dashur.
Nderim per Xhavit Lashin njohur 76-78,njeri i mencur qe i kendon vendlindjes me dashuri.Dikur i angazhuar ne politike kishte disa “mecer” bashkepatriote qe i lepinin ate qe nuk thuhet.Dhe me vone keta u bene doktora,eksperte te politikes bene miq deri ne parlamentin europian dhe harruar preardhjen e vjeter si ish kom…Nderim per intelektuale si Xhavit Lashi qe ne zig zaget e jetes dijne te gjejne vehten dhe mbeten te respektuar.
Teknik, dikush e ka te veshtire me te kuptu kur flet me paramentra tekniko-inxhinierike,por ti mire e ke projektu. Hallall e paç!
Sa per ato qe kane miqesi me parlamentin europian, uroj te mos e harrojne shoqerine e vjeter, te pakten ta thone nje fjale si burrat per te “hyre” Luma ne Europe!