Business as usual

Ornela

Prof. Fatos Tarifa

Ky është thjesht një reagim i shkurtër ndaj shkrimit “Dy vendime që priten të rizgjojnë politikën shqiptare”, të kolegut tim Ervis Iljazaj, botuar dje në gazetën MAPO. Shkrimi i tij, një shënim fare i shkurtër, është botuar nën okelion “Editoriali i ditës”, por, në fakt, ai shkrim nuk ka as peshën e një editoriali, dhe as flet për ndonjë ngjarje të ditës.

Sidoqoftë, nuk është kjo arsyeja pse i shkruaj këto pak rradhë kritike ndaj atij shënimi. Arsyeja është krejt tjetër: Është bërë një dukuri e përgjithshme—dhe gati-gati e përditshme—që shtypi ynë i servir publikut si analiza politike tekste që nuk janë aspak të tilla. Shkrimi në fjalë është pikërisht një i tillë.

Çfarë thotë Dr. Iljazaj në “editorialin”e tij? Katër gjëra:

Së pari, ai thotë se “duket sikur asgjë nuk po lëviz në politikën shqiptare”. Z. Iljazaj nuk thotë nëse kjo është ajo çfarë duket se ndodh (pra duket sikur nuk po lëviz asgjë), apo ajo çfarë realisht po ndodh (pra që realisht nuk po lëviz asgjë). Ai lë të kuptohet, gjithsesi, se asgjë nuk po ndodh realisht pasi, nga këndvështrimi i tij, “çdo gjë vazhdon [të jetë] si më parë”, pra, asgjë e re s’po ndodh në jetën politike të këtij vendi. Për z. Iljazaj, kjo gjendje “palëvizshmërie” në politikën shqiptare duket se është një tregues jo i mirë për shëndetin e demokracisë në vendin tonë, pasi vendit i mungoka “dialektika politike”, siç shprehet ai—pra “lëvizja”. Por, ndoshta, pikërisht një rrethanë e tillë mund të jetë një tregues pozitiv për jetën politike dhe demokracinë shqiptare, pasi mund të nënkuptojë se, më në fund, gjërat janë kthyer në normalitet dhe procesi politik është rutinizuar. Rutinizimi i procesit, thoshte Weber, e legjitimon sistemin. Ajo që për Dr. Iljazajn mund duket si një tipar negativ i jetës politikës në Shqipëri, mund të jetë, në fakt, një tipar pozitiv i saj. Me fjalë të tjera, business as usual.

Së dyti, Dr. Iljazaj thotë se politika shqiptare është bllokuar për “dy arsye”: (1) pritja e vendimit që do të merret në Bruksel, në fund të këtij muaji, mbi çeljen ose jo të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, si dhe (2) “emërimi i ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë”. Ai nuk shpjegon se si këto “dy arsye” mund ta “bllokojnë”—ose “e kanë bllokuar”—politikën e këtij vendi. Duket sikur politika shqiptare është asfiksuar, ose qëllimisht (apo instiktivisht) e ka ndaluar frymëmarrjen, në një countdown në pritje të një vendimi që ose do ta shpëtojë këtë vend nga të gjitha problemet e tij, ose do ta kthejë atë në kohët e tij më të këqia gjatë këtij tranzicioni demokratik. Sepse, për z. Iljazaj, qetësia e sotme në jetën politike shqiptare mund t’i ngjajë “qetësisë para furtunës”! Z. Iljazaj prejt fortune, edhe pse nuk është në gjendje të parashikojë se nga ç’drejtim do të vijë furtina dhe e ç’lloji mund të jetë ajo. Ajo që unë e kam edhe më të të vështirë të kuptoj në “editorialin” e tij është se si e ka bllokuar politikën shqiptare pritja për emërimin dhe konfirmimin e një ambasadori të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Kjo pikërisht më sjell në pasaktësinë e radhës së z. Iljazaj, që e shprehur në fjalët e tij, thotë se:

Së treti, “Linja politike e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri është në stand by deri në emërimin e ambasadorit të ri”!! Loloja, një personazh i Shekspirit, do të thoshte: “Çudi për t’u çuditur”! Sa naive është të mendosh se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj një vendi të caktuar përcaktohet nga emri i mbasadorit që Uashingtoni dërgon në atë vend dhe jo nga interesat kombëtare të Amerikës dhe nga partneriteti strategjik afatgjatë i saj me atë atë vend.

Së katërti, Dr. Iljazaj bën orakullin kur parashikon se roli i ambasadorëve të huaj dhe i ndërkombëtarëve në vendin tonë në të ardhmen do të jetë gjithmonë e më i madh e “më domethënës”. Unë mendoj të kundërtën. Sa më shumë normalizohet e rutinizohet procesi  politik demokratik në këtë vend, sa më shumë legjitimohen zgjedhjet dhe mënyra e qeverisjes (dhe s’mund të mohohet se, pavarësisht vonesave, kthesave prapa dhe vështirësive, kështu ka ndodhur deri më sot), aq më shumë klasa politike shqiptare (e cila dëshiroj dhe besoj se do të jetë gjithnjë e më e mirë se kjo që drejton sot) do të marrë “pronësinë” e procesit politik dhe aq më pak i domosdoshëm do të bëhet roli i ambasadorëve të huaj. Kështu ka ndodhur në Poloni; kështu ka ndodhur në Hungari, në Republikën Çeke, në Kroaci e gjetkë. Shqipëria nuk është “a horse of different color”.

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • S’paske din e iman o profesoruc. Edhe i thua koleg, edhe e poshteron. Sipas teje, vetem llumrat e tua filopatologjike duhet te lexoje njeriu? Te tjeret vetem duhen poshteruar?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *