Maskrat ndaj parqeve kombëtare dhe bregdetit nuk kanë fund. Mbrëmjen e kaluar, në territorin e parkut Kombëtar të Butrintit, zonë e shpallur si pasuri botërore e UNESCO-s, janë konstatuar gërmime me eskavator. Eskavatori që gërmonte në orët e vona të natës kryente punime në zonën midis Gjirit të Armurës dhe derdhjes së Kanalit të Butrintit në det, zonë kjo e përfshirë në listën A, si zonë rreptësisht e ndaluar për aktivitete. Duket se këto punime kryhen natën, me qëllim hapjen e një rruge për të përdorur plazhet në zonën e quajtur “Pema e Thatë”. Punimet e eskavatorit janë konstatur nga deputeti Auron Tare, ish- drejtor i Parkut Kombëtar të Butrintit, i cili ka lajmëruar autoritetet e Parkut Kombëtar. Ende nuk dihet ndërkohë, se çfarë reagimi ka pasur për të ndaluar këto punime të kryera natën vonë, në një territor të mbrojtur me ligj.
Parku Kombetar i Butrintit ka qenë zona e parë e mbrojtur në Shqipëri, e cila ka aplikuar një projekt pilot të mbeshtetur nga Banka Botërore, e cila trajnoi një force rangers për të ndaluar çdo aktivitet të paligjshëm në këtë zonë. Ne vitin 2005, ky projekt u ndërpre dhe ruajtja e parkut bëhet me roje private. Ruajtja e monumenteve të kulturës dhe parqeve kombëtar bëhet në të gjithë Shqipërinë me roje private, një mënyrë jo efikase për të parandaluar problemet e shumta të menaxhimit të këtyre zonave.
