Mungesa e të ardhurave, qeveria ndryshon buxhetin në fund të vitit
Ashtu sic pritej do të ketë rishikim të buxhetit në fund të vitit. Kështu kur kanë mbetur më pak se tre javë për tu mbyllur ky vit burime nga Ministria e Financave, bëjnë të ditur se, aktualisht është hartuar një akt normativ për ndryshime në buxhetin e këtij viti, i cili pritet që të miratohet sot në mbledhjen e radhës së qeverisë. Sipas këtyre burimeve, një hap i tillë merret në këtë kohë si pasojë e mosrealizimit të të ardhurave nga administrata fiskale. Ky ndyshim konsiston në uljen e të ardhurave me 6.6 miliardë lekë, çka pritet të ndikojë dhe në rritjen e nivelit të borxhit publik. Të ardhurat në buxhetin për vitin aktual janë përcaktuar në 355,7 miliardë lekë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, buxhetit të shtetit në fund të 10 mujorit i mungonin rreth 18.6 miliardë lekë krahasuar me planin e fillimvitit. Ndërsa, vetëm gjatë muajt Tetor janë mbledhur rreth 2.8 miliardë lekë më pak se planifikimi.
Mosrealizimi i të ardhurave për periudhën Janar-Tetor 2012 ka vënë në vëshirësi buxhetin, ndonëse në krahasim me një vit më parë janë vjelë më tepër të ardhura. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat në buxhet për këtë periudhë rezultojnë rreth 273.2 miliardë lekë, nga 291.9 miliardë lekë që ishte planifikimi. Ndërkohë, shpenzimet arritën në vlerën 298.9 miliardë lekë, gjë që solli një deficit buxhetor në mbi 25.7 miliardë lekë. Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave dhe nevoja për të mbajtur nën kontroll deficitin, e kanë detyruar Ministrinë e Financave të tkurrë shpenzimet, çka ka ndikuar direkt në uljen e investimeve. Muajin e kaluar Kuvendi miratoi aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2012. Sipas këtij akti, qeveria ngriu fondet prej 2.5 miliardë lekë nga grantet e pakushtëzuara për të paguar faturat e CEZ, që ndërmarrjet e ujesjellësave dhe vetë bashkitë dhe komunat i kanë kësaj kompanie.