Buxheti i vitit 2013 u miratua në tërësi në Kuvend, vetëm me votat e mazhorancës. Pas shqyrtimit nen për nen, deputetët miratuan me 72 vota pro buxhetin për vitin që po vjen, ndërsa opozita votoi kundër, ashtu siç kishte paralajmëruar. Seanca e djeshme e cila zgjati pak më shumë se një orë, u karakterizua nga debate, pasi deputetët e opozitës e kundërshtuan buxhetin, me argumentin e rritjes së pajustifikuar të nivelit të borxhit publik. Pas mbylljes së votimit, deputetja e PS-së Mimi Kodheli ka kërkuar që Banka e Shqipërisë të kontrollojë nivelin e borxhit, që sipas saj ka dalë jashtë kontrollit.“Unë kërkova vetëm që Banka e Shqipërisë të mund të llogarisë dhe kontrollojë nivelin e borxhit që ka dalë jashtë kontrollit dhe jo të abuzojë me të”, u shpreh Kodheli. Deputetja socialiste nënvizoi se “Financat publike janë sot në ditët më të këqija, edhe menaxhimi i tyre është në ditët më të këqija”.
Por ndryshe nga varianti i miratuar në parim javën e kaluar, buxheti erdhi në seancën e djeshme me një sërë ndryshimesh të kërkuara nga vetë institucionet buxhetore. Një nga pikat më të rëndësishme është rishpërndarja e transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor, që jepet mbi bazën e numrit të popullsisë për çdo njësi vendore. Tashmë rishpërndarja e fondeve do të bazohet në të dhënat mbi numrin e popullsisë që kanë dalë në Censusin e fundit. Gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit nen për nen, kanë përfituar shtesë fondesh 5 ministri dhe 3 institucione të pavarura. Ministria e Transporteve ka planifikuar një fond në vlerën 500 milionë lekë për sistemimin e aksit rrugor Lushnje-Berat-Çorovodë, duke marrë kështu në konsideratë kërkesën e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Po ashtu, për Ministrinë e Bujqësisë është miratuar kërkesa për fondin 310 milionë lekë, që gjatë vitit të ardhshëm do të përdoret për investime në rrjetin e vaditjes dhe për sigurinë ushqimore. Për Ministrinë e Shëndetësisë është miratuar fondi në vlerën 100 milionë lekë për projektin e transplantit të organeve, ndërsa për Ministrinë e Punës fondi 114 milionë lekë për krijimin e regjistrit të ndihmës ekonomike.
Për Ministrinë e Inovacionit është miratuar kërkesa për një fond në vlerë 200 milionë lekë për investime në projektin 10-vjeçar të krijimit të qendrës që do të sigurojë mbrojtjen e informacionit dhe vazhdimin e shërbimeve të Qeverisë Shqiptare edhe në rastet e fatkeqësive natyrore. Edhe për Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve janë miratuar kërkesat për shtesë fondesh.