Planifikimi i fondeve për pushtetin vendor në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, është më i vogël në raport më Prodhimin e Brendshëm Bruto krahasuar me vitin 2012. Ky ka qenë konkluzioni i dalë dje nga deputetët e opozitës në komisionin parlamentar të Ligjeve. Deputeti socialist Bashkim Fino, gjatë diskutimit të projekt-buxhetit në Komisionin parlamentar të Ligjeve, u shpreh se buxheti për pushtetin vendor është më i vogël krahasuar me atë të vitit që po lëmë pas. Sipas tij, meqënëse borxhi publik ka kaluar mbi 60 % të Prodhimit të Brendshëm, atëhetë Ministria e Financave duhet të liberalizojë huamarrjen lokale.
Fondet për pushtetin vendor të parashikuara në projekt-buxhetin 2013 janë në vlerën 29.3 miliardë lekë, nga të cilat granti i pakushtëzuar nga buxheti qëndror 14.2 miliardë lekë, ndërsa 15.1 miliardë lekë nga të ardhura të tjera. Buxheti i vitit 2012 për pushtetin vendor ishte 29.5 miliardë lekë.