“Nuk do të financohen projekte të reja të mëdha përveç atyre me kredi zhvillimore”
Diskutimi i buxhetit të vitit 2013 nëpër komisionet parlamentare, po hedh dritë ditë pas dite në zërat e tij. Dëshmi e qartë është se vec rritjes së borxhit nuk do të ketë investime të reja. Qeveria shpreson vec të mbyllë investimet e nisura, kjo për shkak se tashmë hyjmë në vitin elektoral.
Fakti që nuk do të ketë investime të reja u pohua dje nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Dorian Teliti në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, i thirrur për të diskutuar mbi nivelin e shpenzimeve parashikuar në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2013. Opozita kërkoi shpjegime nga përfaqësues të ministrisë së Financave për destinacionin e shpenzimeve, si dhe fondet që do të jepen si garanci për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare.Teliti, tha se projektbuxheti i shtetit për vitin 2013 nuk parashikon nisjen e investimeve madhore të reja, por mbylljen e projekteve që tashmë kanë nisur. “Prioritet në p/buxhetin për vitin 2013 do të jetë financimi i projekteve në zhvillim. Nuk do të financohen projekte të reja të mëdha përveç atyre me kredi zhvillimore. Do të financohen me fondet e buxhetit të shtetit rrugët e komunave dhe ujësjellësat”, u shpreh ai para ligjvënësve kuvendorë. Ai solli dhe një herë në vëmendje një nga cështjet e debatuara që ka të bëjë me faturat e papaguara që biznesi pretendon se ka nga qeveria për punë publike të kryera. Teliti tha se nuk mund të japim një shifër të saktë për faturat e papaguara. Sipas tij, firmat kanë kryer punime më të avancuara se sa planifikimi. “Të gjitha kompanitë janë paguar për punën e kryer sipas planit. Planin fillestar të investimeve e kemi respektuar. Vitin që vjen, konkretisht në muajt janar-shkurt, janë parashikuar edhe shlyerjet e faturave për disa kompani që kanë kryer punime. Përparësi do të kenë kompanitë që kanë edhe volumin më të lartë të punimeve”, deklaroi Teliti. Kjo lë qartë të kuptohet se kompanitë private që kanë kryer punë publike do të mbeten jashtë buxhetit të vitit të ardhshëm, duke e thelluar krizën e tyre. Sa i takon projekteve që parashikohen të financohen për vitin 2013, Teliti veçoi nisjen e punimeve për ndërtimin e by-pass të Vlorës, përfundimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan si dhe mbylljn e punimeve në disa akse rrugore në Tiranë. Sekretari i Përgjithshëm i dikasterit të Financave u ndal edhe në fondet për pushtetin vendor të kontestuara nga opozita. Ai bëri të ditur se transfertat e pakushtëzuara ose fondet që i jepen pushtetit vendor janë shpërndarë për këtë vit. Në këtë drejtim ai shtoi se paratë e buxhetit që u jepen vendorëve nuk shkojnë për mirëqënien e qytetarëve, por për paga. Teliti pohoi se në p/buxhetin e shtetit për vitin 2013 është parashikuar një rritje e të ardhurave me 5 %. “Nuk parashikojmë rritje galopante të të ardhurave, por vetëm 5 %”, tha Teliti.
Rritja e pagave, fondi 1 miliard
Një pjesë e mirë e buxhetit të shtetit parashikohet si zë që do të shkojë për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Në p/buxhet janë parashikuar 1 miliardë lekë si fond për rritjen e pagave. Pagat minimale do të rriten me 5 %. Pagat e larta do të rriten me 1 %, ndërsa pagat e administratës me 2 %, pagat në arsim dhe shëndetësi me 3-4 %, pensionet do të rriten mesatarisht me 4 %”, deklaroi Teliti para ligjvënësve kuvendorë, duke i qëndruar idesë se ky buxhet do të jetë thellësisht elektoral dhe se mazhoranca aktuale do të përdorë cdo gjë në kurriz të taksapaguesve në përpjekjen për të mbledhur votat. Por edhe pse me nivel borxhi të rritur dhe për më tepër që është hedhur dhe tavani i tij me një akt të vecantë normativ, sekretari i Financave u shpreh se “buxheti i këtij viti nuk do të jetë i lehtë për t’u menaxhuar. Do të varet nga ndikimet e jashtme, nga situata energjetike dhe sjellja e pushtetit vendor”.
Sipas p/ buxhetit, të ardhurat janë parashikuar në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet 409.5 miliardë lekë, ndërsa është parashikuar të ketë një deficit buxhetor prej 48.9 miliardë lekë. Fondi rezervë do të jetë në vlerën prej 1,5 miliardë lekë, ai i kontigjencës 800 milionë lekë. Ndërkohë për të mbështetur rritjen e borxhit në buxhetin e vitit të ardhshëm qeveria vendosi të shfuqizojë terësisht nenin që përcakton tavanin prej 60 përqind, duke mos përcaktuar një limit tjetër ligjor për përqindjen e huamarrjes.
Sigurimet shoqërore; buxhet i konsiderueshëm, skemë e pareformuar
Skema e sigurimeve shoqërore nuk ka ndryshuar që nga viti 1993. Veprimtaria ekonomiko- financiare e ISSH-se mbështetet mbi një buxhet të konsiderueshëm nga financimet buxhetore me destinacion që mbulojnë programe të veçanta sociale të qeverise. Ndërkohë që reforma në sistemin e pensioneve duhet të bëhet përmes një formule të përkrahur nga të gjitha palët. Ky ka qënë mendimi i përfaqësuesve të Bankës Botërore për Shqipërinë. Gjithashtu, gjatë vitit të ardhshëm pritet të rriten sërish pagat dhe pensionet. Sipas kreut të ekzekutivit pagat e larta do të rriten me vetëm 1%, ndërsa të arsimtarëve, mjekëve, infermierëve, por edhe pensionet do të pësojnë një rritje sa dyfishi i normës së inflacionit, që për afërsisht i bie të rriten 5-6 %. Për këtë qëllim fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve në projekt-buxhet është parashikuar në vlerën prej 2,5 miliardë lekë. Kjo është një nga pikat e rëndësishme të projekt-buxhetit, ku rreth 820 mijë familje shqiptare, sipas kryeministrit, do të përfitojnë një rritje të pagave dhe pensioneve, dy herë më të lartë se inflacioni. Këtë vit buxheti për pensionet është 84.4 miliardë lekë, nga të cilat 51.3 miliardë lekë janë të ardhura nga kontributet dhe 33.1 miliardë lekë të tjera janë financim i buxhetit të shtetit, të cilat merren nga taksat e tjera të shqiptarëve. Duke krahasuar treguesit e ketij viti dhe të vitit të ardhshëm vëmë re një rritje prej 4.4 miliardë lekësh.
Ky deficit që rritet nga viti në vit për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve, po tensionon buxhetin duke e bërë emergjente reformën, e cila sipas pikënisjeve paraprake mund të fillojë që nga një rritje e lehtë e moshës së pensionit deri në reformimin total të skemës, duke përfshirë shtyllën e dytë dhe atë të tretë. Mirëpo ndërmarrja e një reforme të thellë në sistemin e pensioneve në këto momente të një krize ku parashikimet janë të pamundura, si dhe ndryshimi rrënjësor i skemës aktuale do të ishin të pamundura. Po ndërhyrjet mund të aplikohen, ka lënë të nënkuptohet më herët përfaqësuesja e BB-së, Lvovksi. Nga ana tjetër, Ministria e Financave nëpërmjet zyrtarëve të saj është shprehur se pikat ku duhet të synojë reforma e pensioneve është zvogëlimi i deficitit, që aktualisht rëndon buxhetin e shtetit, dhe nxitja e qytetarëve për të bërë pjesë në skemën e kontributeve. Ndërkohë Banka Botërore pritet të konsultojë projektin për reformën e pensioneve në fund të vitit me qeverinë. Ndërsa gjatë fillim të vitit që vjen, kjo reformë tashmë shumë e rëndësishme për financat publike nuk ka gjasa të kryhet, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Të gjitha këto janë skema të mundshme, por a do të sjellë reformë viti 2013 apo do të mbetemi me skemën e vitit 1993 ka pak mundësi të ndodhë.
Buxheti i sigurimeve shoqërore
2012 2013
Të ardhurat(gjithësej) 88.4 mld lekë 88. 8 mld lekë
– kontributet 51.3 mld lekë 51. 4 mld lekë
– transferimet nga Buxh. i Shtetit 33.1 mld lekë 37. 5 mld lekë
Ky Teliti eshte nje kokrra hajdutit, per te kaluar nje situacion ne thesar do 5-10% te shumes. Si si vjen turp, i shtrengojne leket biznesit per te vjedhur sa me shume vete duke vendosur dhe gjoba me seksere,