Komisioni i Ligjeve diskuton sot buxhetin e vitit 2013 për Komisionin e Shërbimit Civil dhe Avokatin e Popullit. Gjatë mbledhjes, Avokati i Popullit, Igli Totozani, u shpreh dakord me buxhetin në tërësi, por theksoi nevojën e shtimit të numrit të komisionerëve, kjo në funksion të mbarëvajtjes së punës në institucionin që ai drejton.
“Jemi të kënaqur me buxhetin e vitit 2013, por kemi disa kërkesa. Kërkojmë shtimin e numrit të komisionerëve, me të paktën 10 punonjës. Kemi shumë kërkesa nga qytetarët dhe numri i komisionerëve të Avokatit të Popullit është i kufizuar. Nuk kemi strukturë mbrojtëse dhe sigurie, shtimi i punonjësve do t’i vijë në ndihmë mbarëvajtjes së punës sonë”, theksoi Totozani gjatë mbledhjes.
Buxheti i vitit 2013 pritet të shkojë në Kuvend për votim në seancën e 20 dhjetorit.