Parashikimi i mbledhjes dhe shpenzimit të financave shqiptare për vitin 2014 duhej të ishte bërë pjesë e diskutimit kuvendor qëkurse nisi legjislatura e re parlamentare me qëllim që të bëheshin të gjithë korrektimet e mundshme. Por do të jetë fillimi i dhjetorit ai që do të bëjë të mundur që ligjvënësit kuvendorë të kenë në duar draftin e Ministrisë së Financave të buxhetit të vitit pasardhës. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se paralelisht me buxhetin do të shkojë dhe pakate fiskale për vitin pasardhës. Kjo është një nga arsyet e vonesës së paraqitjes së draftit në Kuvend. Gjithashtu pritet përfundimi i auditit nga “Deloitte”, kompania e kontraktuar për të kaluar në “skaner” financat shqiptare dhe borxhin që qeveria i ka biznesit.
Afati i punës së kësaj kompanie përfundon në fund të këtij muaji, ndaj një projekt buxhet parlamentarët do ta kenë në fillim të dhjetorit në tryezën e tyre të diskutimit. Në variantin paraprak të Ministrisë së Financave edhe pse mbetet kofidencial, zëri i të ardhurave është parashikuar në vlerën 380 miliardë lekë, çka do të thotë se do të jetë më i vogël se buxheti i këtij viti. Ndërkohë, theksohet se për zërin e investimeve janë parashikuar vetëm 10 miliardë lekë, ku nuk do të ketë hapje të projekteve të reja, por vetëm financim i kontratave të lidhura tashmë. Tregues që gjithsesi mbeten për tu parë deri në diskutimin kuvendor. Sa i përket paketës fiskale, në projektin paraprak, është caktuar rritje e akcizës së karburantit dhe duhanit, por po diskutohen edhe dy variante të rritjes së tatim-fitimit në 12 për qind dhe 15 për qind.
Këto priten të kenë edhe efekt në buxhet, që janë parashikuar përkatësisht në 18 miliardë dhe 29 miliardë lekë. Ndërkohë, që hartimi i këtij buxheti është nën vëzhgimin e ekspertëve të FMN dhe BB, të cilët kanë këshilluar prej kohësh qeverinë shqiptare që të të jetë e kujdeshme në menaxhimin e financave publike, por edhe në hartimin e një buxheti sa më realist. Vetëm pak javë më parë qeveria miratoi një Akt Normativ, që ka fuqinë e ligjit, ku u ndryshuan treguesit fiskalë të buxhetit të këtij vitit. Sipas këtij Akti, të ardhurat, janë parashikuar në 321.9 miliardë, shpenzimet në 405.4 miliardë lekë dhe deficiti buxhetor në 83.4 miliardë lekë.
Ekspertët kërkojnë sa më parë buxhetin
Vonesat në hartimin përfundimtar të buxhetit të vitit të ardhshëm dhe paketës fiskale, krijojnë pasiguri te investitorët vendas dhe të huaj. Sipas ekspertëve të ekonomisë, çdo investitor apo biznes duhet të jetë i informuar për detajet e buxhetit dhe paketës fiskale të viti të ardhshëm, pasi në këtë mënyrë ata planifikojnë investimet e tyre në fusha të ndryshme të ekonomisë. Sipas draftit paraprak, të Ministrisë së Financave, nuk do të kemi gjatë vitit të ardhshëm hapje të projekteve të reja, por financimin e vazhdimit të atyre që tashmë janë në proces. Ndërkohë që nga qeveria është premtuar shlyerja e borxheve që i ka biznesit për punët publike të pakryera në infrastrukturë dhe shërbime.