Buxheti 2015, plani dhe realizimi i shpenzimeve

Saimir Lleshi

Hartimi i projektbuxhetit të vitit 2016, ka sjellë të detajuar në relacionin e tij dhe mënyrën se si janë shpenzuar paratë e taksapaguesve gjatë periudhës janar-shtator të vitit që po lëmë pas.

Kështu sipas të dhënave shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, në fund të muajit shtator 2015, arritën në rreth 297.5 miliardë lekë, nga 312.1 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar në 95.3 për qind të parashikimit të periudhës, ose me një mosrealizim prej 4.7 miliardë lekë. Kjo ulje, kryesisht vjen si pasojë e nivelit më të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale.

Zërin kryesor të mosrealizimit e mbajnë shpenzimet kapitale me rreth -14%, ndërsa shpenzimet korente dhe ato të detyrimeve të prapambetura janë të plotësuara në nivele shumë të kënaqshme realizimi përkatësisht në nivelet 97% dhe 96%. Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve.

Krahasuar me planin vjetor, këto shpenzime janë realizuar 65 për qind, ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, shpenzimet buxhetore rezultojnë 0.2 miliardë lekë më shumë ose rreth 0.1 për qind më të larta. Përqindja e realizimit të planit vjetor të shpenzimeve të përgjithshme për këtë periudhë të vitit është më e lartë krahasuar më realizimin e një viti më parë, duke paraqitur në këtë mënyrë një parashikim objektiv të planit vjetor por gjithashtu edhe një performancë pozitive të institucioneve.

Plani dhe realizimi i shpenzimeve

Të dhënat për shlyerjen e këtyre detyrimeve, tregojnë për një vazhdimësi normale të këtij procesi. Për periudhën janar-shtator 2015, shpenzimet për pagesën e detyrimeve të prapambetura, janë 15.099 milionë lekë nga 15.790 milionë lekë që ishte plani ose në shifër relative realizimi është 96%, ndërsa krahasuar me planin vjetor realizimi i fondeve në këtë zë është në masën 75%. Gjithashtu, niveli më i ulët i shpenzimeve publike është shoqëruar me një nivel defiçiti më të ulët, e për rrjedhojë, nevojë më e ulët për financimin e tij.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave totali i shpenzimeve të realizuara për këtë periudhë është rritur në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe struktura e shpenzimeve është e ndarë në 88 për qind shpenzime korrente dhe 12 për qind shpenzime kapitale. Pavarësisht se ende kanë një mbizotërim të qartë të shpenzimeve korrente, tendenca është drejt uljes së tyre dhe rritjes së masës së shpenzimeve kapitale.

Shpenzimet korrente në fund të muajit shtator 2015, kanë arritur në 249.5 miliardë lekë. Krahasuar me planin vjetor këto shpenzime janë realizuar 68 për qind, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto shpenzime rezultojnë 7.9 miliardë lekë më shumë ose rreth 3.3 për qind më të larta. Nga kjo kuptohet qartë që gjatë kësaj periudhe krahasuar me trendin e një viti më parë shpenzimet korrente kanë rezultuar me tendencë rritëse në tërësi duke ndikuar në rritjen tërësore të nivelit të shpenzimeve të përgjithshme.

Shpenzimet për paga dhe sigurime

Shpenzimet e personelit sipas relacionit përfaqësojnë 21 për qind të totalit të shpenzimeve korrente të realizuara gjatë periudhës janar – shtator 2015. Shpenzimet faktike të personelit prej 53.1 miliardë lekësh rezultojnë pothuajse në nivelin e parashikimit të periudhës prej 53.9 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë shpenzimet e personelit rezultojnë 500 milionë lekë më shumë, ose 1.3 për qind më të larta.

Kjo tregon një tendencë rritëse pavarësisht se jo të konsiderueshme të shpenzimeve të personelit për 9 mujorin e parë të vitit 2015. Shpenzimet për paga janë rreth 0.6 për qind më të larta se një vit më parë ose 600 milionë lekë më shumë, ndërkohë që shpenzimet për kontributet për sigurimet shoqërore janë afërsisht 7.4 miliardë lekë më shumë ose 0.8 për qind më të larta, se një vit më parë.

Ndërkohë që shpenzimet për pagat rezultojnë 0.9 për qind nën nivelin e parashikimit të periudhës, shpenzimet për sigurimet shoqërore janë realizuar 3.2 për qind nën këtë nivel. Në të njëjtën kohë rezultojnë që shpenzimet për paga dhe shpenzimet për sigurime shoqërore janë përkatësisht në nivelet 72 dhe 70 për qind të planifikimit vjetor. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjatë periudhës janar – shtator 2015 arritën në 27.3 miliardë lekë, duke qenë rreth 1.6 miliardë lekë nën nivelet e parashikuara. Në të njëjtën kohë ato rezultojnë 66 për qind e planit vjetor.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *