Investimet Publike për vitin 2016 janë planifikuar në masën 5.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 10.05 miliardë lekë, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 5 miliardë lekësh, referohet në relacionin që shoqëron projektbuxhetin 2016 në Kuvend. Ministria e Financave në planifikimin e investimeve për vitin 2016 ka mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Për vitin 2016 janë planifikuar 31.4 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 28.4 miliardë lekë financim i huaj, dhe ka një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj. Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Sipas burimit të financimit, vlerësohet se rreth 87% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja. Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 83,8% e planit të investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.
Borxhi publik 2016
Për vitin 2016 objektivi kryesor i Menaxhimit të Borxhit Publik është përmirësimi i strukturës dhe rritja e qëndrueshmërisë së borxhit të brendshëm duke synuar sigurimin e rifinancimit të borxhit dhe huamarrjes së re kryesisht nëpërmjet instrumenteve afatgjatë, në varësi edhe të zhvillimeve të tregut. Sipas relacionit shoqërues të Buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm, zbatimi me sukses i kësaj strategjie garanton rritjen e jetëgjatësisë së borxhit, me qëllim thellimin e raportit midis instrumenteve afatgjatë dhe afatshkurtër deri në 57% me 43% në fund të vitit 2016, objektiv i cili ndikon në mënyrë direkte në uljen e riskut të rifinacimit dhe riskut të normave të interesit. Sipas këtij buxheti, kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2016, është 38 miliardë lekë, që është i ndarë; për huamarrjen e brendshme vjetore deri në 20. 9 mld lekë, për huamarrjen neto për financimin e projekteve të huaja 548 milionë lekë; për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, deri në 3. 6 mld lekë dhe për mbështetjen e huaj buxhetore nga institucionet ndërkombëtare dhe nga burime të tjera deri në 14mld lekë lekë. Si pjesë integrale e kësaj strategjie mund të përmendet emetimi i Garancisë Pjesore të Bankës Botërore (PBG), si edhe rifinancimi i Eurobondit ekzistues gjatë vitit 2015. Këto instrumente kanë rritur likuiditetin në buxhetin e qeverisë dhe kanë ulur ndjeshëm presionin në tregun e brendshëm, duke i dhënë frymëmarrje burimeve të limituara të këtij tregu dhe duke krijuar kushtet e përshtatshme për përmirësimin e strukturës së borxhit të brendshëm. Gjatë vitit të ardhshëm pritet një rënie në stokun e borxhit të mbajtur nga bankat kryesore dhe një rishpërndarje e kësaj peshe tek institucionet e tjera jo bankare dhe tek individët. Gjithashtu, financimi i huaj pritet të plotësohet nga mbështetja buxhetore në nivelin e 14 miliardë lekë, sipas marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Borxhi i pushtetit vendor pritet që të mos ketë emetime të reja.
Paketa fiskale, Cani: Nuk ka rritje taksash, por vetëm shmangie trukimesh
Ministri i Financave Shkëlqim Cani në prezantimin e djeshëm në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Paketës Fiskale 2016, cilësoi se nuk do të ketë rritje taksash të mëtejshme. Sipas tij ato taksa që rriten kanë të bëjnë kryesisht me shmangin e trukimeve, duke ju referuar në këtë rast rritjes së akcizës së birrës. Cani tha se rritet taksa për makinat luksoze, dhe me këtë emërtim janë makinat me cilindratë mbi 3 mijë kubikë. “Jemi munduar të gjejmë kuptimin, definicionin që të përcaktojmë se kush futet në makina luksoze dhe arritëm në përfundimin se aty hyjnë të gjitha makinat me cilindrat me 3 mijë ç”, sqaroi ai lidhur me këtë taksë. Lidhur me akcizën e birrës që ka shkaktuar mjaft debat këto ditët e fundit, ministri cilësoi se diferenca mes importit dhe prodhimit vendas prapë është lënë, dhe se është bërë një përafrim dhe ndryshimi i nivelit të akcizës synon të ulë tendencën për të trukuar sasinë e prodhuar apo importuar. Ndryshimi i nivelit të akcizës së birrës, sipas tij i ndan prodhuesit dhe importuesit në dy grupe, ata që prodhojnë më pak dhe deri në 200 mijë hectoliter dhe ata që prodhojnë apo importojnë më shumë se 200 mijë hectoliter. “Sipas ligjit aktual ata që prodhojnë deri në 200 mijë hecolitër paguajnë sa gjysma e atyre që prodhojnë apo importojnë më shumë se 200 mijë hecolitër. Kemi ndërhyrë dhe kemi bërë një përafrim, por duke lënë sërish diferencën mes birrës së prodhuar apo importuar. Nga 360 lekë/HL/ që ishte për prodhim vjetor nën 200 mijë HL, e kemi çuar në në 400 lekë/HL dhe nga 710 lekë/HL që ishte për prodhimin vjetor mbi 200 mijë hl e kemi çuar në 600 lekë/HL. Edhe më këtë ndryshim ata që importojnë më shumë paguajnë më shumë akcizë, janë një mori arsyesh. Janë një mori arsyesh për këtë ndryshim, por mbi të gjitha ulet tendenca për të trukuar sasinë e prodhuar apo importuar”, sqaroi dje ai para ligjvënësve kuvendorë të komisionit të ekonomisë. Ai tha ndër të tjera se nuk do të ndryshojë taksa e duhanit, ndërsa zerimi i taksës për biznesin e vogël sjell qëndrueshmëri, stabilitet dhe rritje ekonomike”.
