I vetmi institucion që do të ketë rritje page vitin e ardhshëm është Garda e Republikës. Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Brendshme për shtimin e rreth 143 milionë lekëve në fondin e buxhetit të shtetit për këtë institucion.
“Kërkojmë miratimin e një fondi shtesë prej 143 milionë lekësh për Gardën e Republikës, që do të përkthehen në rritje rroge për punonjësit e këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Rrogë e cila do të njehsohet me pagat e punonjësve të policisë apo Forcave Ushtarake. Pjesa e fondit që do të shkojë për rritje të pagave, do të jetë 123 milionë lekë, ndërsa 20 milionë lekë do të jenë kontribute shoqërore”, tha zëvendësministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj.
Gjithashtu, Zv.Ministri i Brendshëm, kërkoi edhe rialokimin e një fondi prej 200 mijë lekësh nga zëri investime, në zërin shpenzime operative, që do shërbejnë për të menaxhuar me sukses procedurën e regjistrimit në gjendjen civile.
Opozita tha se fondet shkojnë për luksin e qeveritarëve. Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka shprehu rezerva për buxhetin e paraqitur Ministria e Brendshme. “Rialokimi i fondit nga investime, në shpenzime operative , rrëfen edhe njëherë se ju nuk doni të ndërtoni. Shqipëria sot ka nevojë për më shumë godina të modernizuara të policisë, RENEA-s e FNSH-së, sesa një riregjistrim të popullsisë, që është i rëndësishëm, por jo primar”, tha Noka.
Komisioni ka vendosur të rrisë edhe buxhetin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Shuma në fjalë është 1 mln e 436 mijë lekë të reja.
Pas diskutimeve, Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho hodhi në votim kërkesat e Ministrisë së Brendshme për buxhetin, që u miratuan nga deputetët e pranishëm.
Më tej, komisioni shqyrtoi edhe projektbuxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes, ku i ftuar ishte Zv.Ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Sipas z. Koçi, buxheti plotëson të gjitha kërkesat e ministrisë që ai drejton dhe ka në thelb modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përgjigjen pozitive të të gjitha kërkesave të NATO-s. /Dita/

Cfare komplloti ka zbuluar shish,apo qe vegjetojne ne sherbim te saliut?