Ruli: Me këtë buxhet minimizojmë efektet e krizës
Gjatë diskutimit të projekt buxhetit në Parlament, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, tha se objektivi madhor i buxhetit të vitit të ardhshëm është minimizimi i krizës.
“Vërtet është buxheti që përkon me krizën, por sikur të kishim një buxhet që do të ndiqte rekomandimet tuaja, kriza do të kishte pllakosur. Që nga viti 2010 e deri sot, ky buxhet ka amortizuar impaktet e krizës. Nuk ka sesi të mos e bëjë këtë buxheti i vitit 2013, kur viti 2012 ka qenë për të gjitha vendet europiane viti i impresionit më të madh ndaj krizës. Buxheti ka si objektiv minimizimin e krizës”, tha Ruli.
Majko: Buxheti 2013 e çon vendin drejt greminës, nuk e votojmë
Deputeti socialist, Pandeli Majko, e cilësoi si të rrezikshëm për stabilitetin ekonomik të vendit nivelin e borxhit publik. Sipas tij, në kushtet e heqjes së kufirit të borxhit, vendi do të shkojë drejt destabilitetit, duke bërë që qeveria që do dalë nga zgjedhjet e qershorit 2013 të trashëgojë miliarda lekë borxhe.
“Në 4 vitet e mandatit të dytë qeverisja aktuale e mori vendin me 682 miliard lekë borxhe dhe po e mbyll me 895 miliardë lekë borxhe. Kjo rrezikon stabilitetin e vendit. Janë të gjitha studimet serioze se kufiri i pranueshëm i borxhit për përballimin normal është jo 64%. Ulja e kufirit të borxhit ishte premtim bazë kur kërkoi votat, por tani bën të kundërtën. Pse e bën këtë për votat e 2013 dhe pastaj t’ia trashëgojë opozitës. Kush e njeh Berishën e di që kjo nuk është vetëm fantazi. Ky projekt-buxhet po e çon vendin drejt greminës. Unë nuk e votoj këtë buxhet, më mirë më pak të varfër se të ngremë dolli me djersën e atyre që nuk kanë lindur akoma”.
Kodheli: Nuk votojmë buxhetin, parashikon shpenzime minimale për sektorët kyçë
Opozita kundërshton buxhetin e vitit 2013, të cilin e ka cilësuar joreal. Sipas deputetes socialiste, Mimi Kodheli, ky buxhet nuk mund të votohet pasi parashikon shpenzime minimale për disa sektorë me rëndësi si arsimi, shëndetësia dhe pushteti vendor.
“Vetëm 2,6 % e GDP shkon për arsimin, ndërsa për shëndetësinë jo më shumë se 2% të GDP. Ky është buxheti i rrugëve të kafshuara. Nuk është vendi i parajsës fiskale, por i ferrit fiskal. Kjo qeveri po lë më keq si sa i gjeti financat vendore. Shpenzimet për pushtetin vendor janë në minimumin historik”, tha ajo.
Berisha: Borxhi publik është shëndet i vërtetë për ekonominë shqiptare
Duke u ndalur në situatën e borxhit publik, gjatë fjalës në Kuvend Berisha e cilësoi atë jo vetëm kërcënues, por një shëndet të vërtetë për ekonominë. Sipas kryeministrit, niveli i borxhit publik (për të cilin, Shqipëria është kritikuar disa herë nga institucionet financiare europiane dhe ndërkombëtare) nuk ka shënuar ndonjë rritje të madhe në krahasim me disa vende të Europës.
“Kur ju ishit në pushtet, shpenzimet e shqiptarëve për të paguar borxhin ishin 5 për qind e prodhimit të brendshëm. Sot për pagesën e borxhit, shpenzimet janë 3.2 për qind e GDP-së. A mund ta përdorni ju si argument borxhin? Nuk kemi marrë një qindarkë borxh për gjë tjetër veçse për investime. Gjatë katër viteve, borxhi ka variuar 60 për qind, plus minus 2 për qind, kur në vendet e tjera është rritur edhe me 60 për qind. Ky borxh jo vetëm që nuk është kërcënues, por përbën një shëndet të vërtetë për ekonominë shqiptare. Shqipëria në 145 vende të studiuara renditet e 141-ta. Pra janë 104 vende me borxh më të madh se ne”, tha Berisha.
Opozita kundërshton buxhetin: Është jorealist. Berisha: Jeni ziliqarë
Diskutimi mbi projekt-buxhetin e vitit 2013 pritet të shoqërohet sot me debate të forta mes maxhorancës dhe opozitës në Kuvend. Në nisje të seancës, kryeministri Berisha tha se ky është buxheti më i madh në histori. Ai theksoi se ky buxhet i hartuar në kohë krize parashikon rritjen e mirëqenies së qytetarit shqiptar.
Opozita e ka cilësuar buxhetin e hartuar nga maxhoranca si një buxhet jo realist, i cili do të rrisë edhe më tej borxhin publik. Argumentet e opozitës, Berisha i ka cilësuar si reagime ziliqare.
“410 miliardë ka si synim rritjen e mirëqenies tuaj qytetarë, duke sjellë të ardhura direkt në xhepat e kontot tuaja. Për 820 mijë familje shqiptare, duke ndikuar në shkollimin e fëmijëve, në shërbimet shëndetësore, në rrugë, kanalizime, ujësjellës. Ky buxhet është hartuar në kushte krize të paprecedent. Një krizë e thellë e shumanshme ka prekur monedhën e zonës më të zhvilluar të Europës, kur është dyfishuar dhe trefishuar papunësia, janë ulur rrogat e pensionet deri në 40 e 50 për qind. Kriza jo vetëm ka bllokuar rritjen, por ka shkaktuar ulje të saj.
Unë e pres reagimin tuaj sot. E kuptoj se sot është dita e sikletit më të madh të vitit. Sot është dita e shpërthimit të zilisë tuaj. E kuptoj se do të donit që sot të paraqitej një buxhet dy herë më i vogël. Vetëm atëherë do më duartrokisnit mua”, tha Berisha.
Malaj: Heqja e kufirit të borxhit publik do t’i shtojë paqartësitë në të ardhmen
Pak më parë, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, e konsideroi buxhetin e vitit 2013 si jorealist dhe shprehu shqetësimin e opozitës për ndryshimet që po bëhen në ligjin organik të buxhetit të shtetit, ndryshime të cilat parashikojnë heqjen e nivelit të kufirit të borxhit publik.
Sipas deputetit Malaj, rritja e borxhit publik flet për dështimin e qeverisë. Ndërkohë heqja e kufirit të borxhit shton akoma më shumë paqartësitë për të ardhmen, pasi nuk do të ketë më një shifër orientuese, të cilës t’i referohemi. Malaj theksoi se kjo situatë do të vështirësojë akoma më shumë kontrollin e situatës buxhetore gjatë vitit të ardhshëm, i cili është edhe një vit elektoral.