“Buxheti faktik 2012” pritet të jetë ligji i parë, që do të diskutojë Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Tashmë projekti është dërguar në Kuvend, nga ku pritet të fillojë diskutimi në fillim të javës së ardhshme. Projekti i buxhetit faktit, që u miratua nga qeveria e mëparshme përpara tre muajve, do të mbrohet nga ministri i ri i Financave, Shkëlqim Cani. Sipas të dhënave, sektori fiskal raporton për vitin 2012 të ardhurat totale në 330.4 milardë lekë dhe shpenzime, që arritën 376.2 miliardë lekë, duke e çuar deficitin fiskal në 45.9 miliardë lekë. Ndërkohë, që në buxhetin e miratuar në fillim të vitit 2012 të ardhurat ishin përcaktuar në 355,8 miliardë lekë, shpenzimet 397 miliardë lekë, ndërsa deficiti 41,1 miliardë lekë. Referuar këtyre të dhënave vërehet një rënie e ndjeshme e të ardhurave, si dhe rritje e shpenzimeve e kjo për rrjedhojë ka sjellë rritjen e deficitit.Viti 2012, është cilësuar si një nga më të vështirët për ekonominë e vendit. Në fund të vitit të kaluar, qeveria ndryshoi gjithashtu ligjin për tavanin e huamarrjes, çka i dha mundësinë që të kalonte nivelin 60 për qind të borxhit menjëherë sa ndryshimet ligjore hynë në fuqi. Pas diskutimeve që do të bëhen në komisionet parlamentare, buxheti faktik 2012 do t’i nënshtrohen shqyrtimit dhe votimit në seancë parlamentare.
