Projekt-Buxheti i Shtetit për vitin 2013, i paraqitur nga Qeveria në Parlament tejet mase i vonuar (duhej të shkonte në tetor), pasi theu një sërë rregullash dhe kufijsh kohorë, u diskutua dje në seancë plenare. Me gjithë fanfarat e zakonshme të qeverisë në paraqitjen e tij (buxheti më i madh i kohërave, kaq miliardë për rrugë e aq për bujqësinë, etj., etj.) dhe mburrjet e deputetëve të shumicës, në të të bëjnë përshtypje tre gjëra themelore që nuk shkojnë dhe vënë në pikëpyetje efikasitetin e tij për xhepat e shqiptarëve të thjeshtë. Është një buxhet me rritje shumë modeste të të ardhurave fiskale, shenjë e gjendjes shumë të vështirë të biznesit. Dhe nga këto të ardhura do të varen shumë shërbimet mjekësore, arsimore dhe pagesat për të varfërit. Është një buxhet që nuk shpreh se si dhe sa do të përdoren të ardhurat nga privatizimet, duke parashikuar që nga privatizimi i AlbPetrol të ardhurat e shpresuara mund të mos arkëtohen as në vitin 2013. Është një buxhet që nuk parashikon apo nuk vendos kontigjiencë për një krizë energjetike që po troket fort tek dera e ekonomisë sonë. Por ndërsa humbet aftësinë parashikuese, nga ana tjetër përbën një dyzim shpenzimesh e të ardhurash që pa logjikë vendos një rritje ekonomike vjetore 4 për qind për vitin e ardhshëm, mes rrëmetit të krizës ekonomike e financiare të eurozonës, duke ditur fare mirë që ekonomia jonë është shumë e ndërvarur nga ajo europiane. Sidomos nga të ardhurat e emigrantëve, të cilët do të dërgojnë akoma dhe më me pikatore para në Shqipëri. Qeveria e vendos këtë rritje, pse është vit zgjedhjesh. Po të mos ishte, me siguri do ta kishte përgjysmuar. Është një buxhet që lejon dyfishimin e investimeve publike për gjysmën e parë të vitit, thjesht për të shtruar asfalt elektoral. Nga ky këndvështrim, është i rrezikshëm, pse të lë thatë me fonde buxhetore për gjysmën e dytë të vitit. Lejon kalimin e kufirit 60 për qind të borxhit publik të Shqipërisë, të vendosur në ligjin për menaxhimin e buxhetit pikërisht nga këta vendim-marrës që sot po e kalojnë. Janë 2.6 përqind të GDP-së më shumë, që me siguri do të shkojnë për inagurime e prerje shiritash, edhe pse akset kryesore të rrugëve që duhen shtruar kanë nevojë për shumë më tepër se kaq. Por kryesorja, për qeverinë tonë, është dukja, prerja e shiritave, ndërtimi i një realiteti virtual, pjellë e banerave në sfond dhe e asfaltit të ngrohtë të porsashtruar. E vërteta e hidhur është që ky buxhet i paraqitur nuk ndihmon shtresat në nevojë. Nuk ka asnjë rritje domethënëse për to, megjithëse pasojat e krizës bien para së gjithash mbi këto shtresa, me shtrenjtimet e ushqimeve që do të vijojnë. Rritja e deklaruar prej 4-5 përqind e pensioneve dhe rrogave të buxhetorëve, edhe po të ishte dhjetë herë më e madhe, nuk do t’ua zgjidhte hallin. Shumë nga ekonomistët kanë të drejtë kur shprehen se ky buxhet ka arritur në pikën më të ulët. Nëqoftëse kap masën 28.4 përqind të GDP-së (Produktit të Brendshëm Bruto) me sasinë e tij, mbështetja për arsimin është vetëm 2.7 për qind, për shëndetësinë vetëm 2.1 për qind. Për bujqësinë, megjithë tamburet qeveritare për paratë e dhëna për subvencionet, përfaqëson vetëm 44 lekë nga një mijë lekë shpenzime të Shtetit. Në këto kushte, ky buxhet nuk mund ta mbështesë realisht ekonominë tonë, për të siguruar një rritje të qëndrueshme të saj. Nuk mund të bëhet një start begatie. Në të kundërt, me pikëpyetjet dhe shifrat e tij (që me siguri do të korrigjohen disa herë gjatë vitit ushtrimor) sjell vetëm skamje, kallkan e jo ngrohje në zemrat e tronditura të shumicës së shqiptarëve, nga pasiguria dhe goditjet e krizës së frikshme që ka kaplluar jo vetëm Greqinë, por vende si Irlanda, Spanja, Portugalia e deri tek Italia fqinje. Qeveria do të kishte bërë shumë më mirë të vendoste një kufi llogjik për rritjen ekonomike(1-2 përqind), nga ku dhe të gjitha llogaritë, treguesit dhe shifrat do të ishin më të besueshme dhe programet e investimeve më të bazuara. Por një rritje e tillë reale nuk bën pjesë në planet elektrorale të qeverisë.