Qeveria e re e shtatorit duket se do të marrë një gropë fiskale nga paraardhësja e saj. Pa llogaritur ato të ardhura të munguara nga buxheti i shtetit që mbeten larg deklarimit, në shtatë muajt e parë të këtij viti qeveria shqiptare është 18 miliardë lekë larg realizimit nga parashikimi i bërë. Kjo do të thotë që qeveria e shtatorit duhet patjetër të rishikojë treguesit e saj fiskalë. Burime zyrtare nga Ministria e Financave, saktësojnë se gjatë kësaj periudhe arkës së shtetit i mungojnë rreth 15 miliardë lekë të ardhura nga tatimet dhe doganat. Nga ana tjetër edhe pse ka kaluar afati zyrtar i publikimit të treguesve fiskalë, akoma nuk ka një pasqyrë financiare të tyre. Nga ana tjetër zëri i kompensimit të TVSH-së për Kurum Internacional i cili ishte në shumën e 3 miliardë lekëve nuk është futur tek këta tregues. Kjo do të thotë se mungesës fiskale të 15 miliardë lekëve ju shtohet dhe shuma e dhënë për Kurum, që deri tani nuk është reflektuar në asnjë tabelë financiare të treguesve të Ministrisë së Financave.
Kjo e con në një përmasë më të thellë mungesën në buxhet, duke bërë që qeveria e re e shtatorit duhet të mendohet mirë para se të rishohë buxhetin e shtetit, që duket se do të jetë një ndër hapat e parë që ekzekutivi i majtë duhet të bëjë muajin tjetër. Kjo do të thotë që muajt e mbetur të vitit do të jenë të vështira për financat e shtetit shqiptar, duke parashikuar shkurtime të reja shpenzimesh. Në një farë mënyre, këto shkurtime të shpenzimeve tashmë kanë nisur, që me vendimin e qeverisë për disiplinimin e shpenzimeve, ku janë ndërprerë të gjitha prokurimet pas 15 Korrikut. Akoma nuk ka një shifër sesa do të jenë shkurtimet në buxhet, sqarojnë burimet e mësipërme, por duke iu referuar të dhënave paraprake të treguesve fiskalë të 7-mujorit, mendohet se kjo do të jetë vlerë e konsiderueshme. Specialistët e financave e lidhin këtë mos realizim të ardhurash si rezultat të të nivelit të ulët të mbledhjes së të ardhurave, por edhe nga hyrja në fuqi e disa politikave të reja fiskale të ndërmarra nga qeveria para zgjedhjeve. Ligji i buxhetit për këtë vit ka rënë vetëm disa muaj pas miratimit të tij, kur qeverisë i dolën nga kontrolli të gjithë treguesit e parashikuar, për shkak të rritjes së shpenzimeve, por edhe uljes së taksave në prag të zgjedhjeve.
Në kushtet e rrotacionit të pushtetit, fati i buxhetit duket se do të mbetet në dorë të qeverisë së re. Por, edhe kjo e fundit nuk do të ketë përpara shumë alternativa për të zgjedhur. Rënia e të ardhurave imponon vetëm dy rrugë, ose rritje të borxhit përtej kufirit të përcaktuar në ligj, ose shkurtime drastike të shpenzimeve. Në programimin vjetor të buxhetit, të ardhurat janë llogaritur në vlerën 360,6 miliardë lekë, shpenzimet në 409,5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48,9 miliardë lekë.
Rasti i Kurum Internacional dhe mungesa në treguesit fiskalë
Kurum Internacional vuri kushtin e vetëm të blerjes së katër HEC-ve vetëm nëse i rimbursohej TVSH e papaguar nga shteti shqiptar i cili kapte shumën e 3 miliardë lekëve. Madje për këtë u desh një kohë e gjatë negociatash mes qeverisë së para 23 qershorit dhe kompanisë që do të merrte katër HEC-et. Marrëveshja e mbërritur mes palës qeveritare dhe kompanisë private në muajin maj vetëm pak ditë para zgjedhjeve, ishte përcaktimi i qartë i mënyrës e pagesës së këtij fondi, por edhe atij që i takon “Kurumit” për rimbursimin e TVSH-së nga ana e shtetit shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Financave. Gjithashtu, dhe kjo marrëveshje u bë efektive sapo u miratua nga Këshilli i Ministrave. Ishte Kuvendi që miratoi kontratat e shitjes së hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulëz e Shkopet, kompanisë turke “Kurum Internacional” kundrejt vlerës 109,5 milionë euro. Por zëri i rimbursimit të TVSH-së për kompaninë ende sot e kësaj dite nuk është futur në asnjë nga treguesit fiskalë të Ministrisë së Financave, duke e cuar gropën financiara dhe më shumë se sa është deklaruar
