Shkurtohen 1 200 vende pune në administratë. 35 miliardë për gropat që la pas Berisha
Emirjon Senja*
Përpos mbështetjes së sektorëve të shpallur si me përparësi, me buxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria është detyruar të mbyllë edhe llogaritë e lëna hapur gjatë viteve të fundit nga ekzekutivi i kaluar. Në tabelat e projektbuxhetit të 2014-ës, nuk mund të shpëtojë pa të vrarë syrin një shumë prej 35 miliardë lekësh e shënuar në zërin: “Shlyerje detyrimesh të prapambetura”.
Për t’a kuptuar më mirë peshën e kësaj shifre në buxhet, bëjmë mirë t’a krahasojmë më zëra të tjerë në të. Kështu, shuma që do të përdoret nga buxheti 2014 për mbylljen e gropave të muajve dhe viteve të mëparshme është afërsisht se gjysma e totalit të investimeve që qeveria ka parashikuar për 12 muajt e ardhshëm në infrastrukturë (66.5 miliardë lekë) ose dy herë më e madhe se shuma e parashikuar të shpenzohet për spitalet gjatë vitit të ardhshëm.
Relacioni dhe tabelat e buxheti tregojnë se qëllimi kryesor i qeverisë ka qenë stabilizimi i treguesve fiskalë të vendit.
Në total, parashikohet që shpenzimet të kapin vlerën e 455 miliardë lekëve, ndërsa të ardhurat, 364 miliardë lekë, më një deficit, 91.6 miliardë lekë.
Administrata
Nga relacioni i buxhetit vërehen politikat e shtrënguara të qeverisë për sa i përket numrit të punonjësve të admnistratës publike, ndoshta për të disiplinuar punësimet në të. Madje, qeveria parashikon një ulje me rreth 1 200 punonjës, të numrit të punonjësve duke ndaluar me ligj rritjen.
Një fakt i tillë vërehet edhe në detyrimin që ekzekutivi i vë institucioneve të varësisë që të mos marrin parasysh rritje në grada të punonjësve nëse ato shoqërohen me efekte financiare shtesë. Numri i punonjësve buxhetorë për vitin 2014 pritet të ulet në 86 500.
Pagat dhe pensionet
Duke parashikuar një vit të vështirë financiar, qeveria ka parashikuar vetëm subvencionim të pagave dhe pensioneve gjatë 2014-ës. Pensionet e fshatit dhe të qytetit parashikohet të rriten me nga 2 për qind. Fondi i parashikuar për këtë qëllim është 1 miliardë lekë.
Ndryshe nga punonjësit e tjerë, qeveria parashikon një rritje të pagave vetëm për punonjësit e Policisë së Shtetit duke ndarë një fond të veçantë për këta të fundit me vlerë 1 miliardë lekë. Rritje pagash gjithashtu parashikohet edhe për prokurorët dhe gjyqtarët
Arsimi dhe shëndetësia
Këto dy sektorë janë paraqitur si përparësi të qeverisjes së majtë. Një gjë e tillë vërehet edhe tek fondet e parashikuar për ministritë e linjës. Kështu për shembull, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do t’i jepet një fond prej 40 miliardë lekësh, duke marrë kështu për herë të parë gjatë viteve të fundit më shumë fonde se sektori i transportit dhe infrastrukturës.
Shëndetësia nga ana tjetër, merr 30 miliardë lekë, ku pjesa dërrmuese (rreth 18 miliardë) do të shpenzohet për spitalet.
Pas shqyrtimit në komisionet parlamentare, projektbuxheti do të miratohet në Seancë Plenare për të filluar më pas zbatimin e tij që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm.
Rriten subvencionet: 1.5 mld lekë më shumë për Ndihmën Ekonomike
Qeveria ka rritur ndjeshëm fondet e mbështetjes sociale përpos nismës për ndryshimin e skemës së shpërndarjes së tyre. Kontrollet e KLSH-së kanë nxjerrë në pah një sërë shkeljesh gjatë viteve të shkuara me shpërndarjen e këtyre fondeve në bashkitë dhe komunat e vendit duke e bërë të domosdoshme reformimin e skemës.
Ndihma ekonomike arrin në 19 miliardë, pagesa e papunësisë, në 1 miliardë lekë, ndërsa këtë vit duket se është shtuar edhe një fond tjetër prej 1.1 miliardë lekësh, si kompensim i shtresave në nevojë për subvencionimin e TVSH-së për energjinë dhe ushqimet.
Investimet
Për shkak të një viti të pritshëm me vështirësi financiare si edhe barrës së pagesës së 35 miliardë lekëve detyrime të prapambetura, qeveria është përqëndruar më shumë tek përfundimi i investimeve të hapura gjatë periudhës së deritanishme në infrastrukturë, se sa në hapjen e kantiereve të reja të ndërtimit. Fondi i përcaktuar për këto investime është 66.5 miliardë lekë, ose rreth 8 miliardë lekë më pak krahasuar me vitin aktual. E.S.
Drafti shkon në Kuvend, 166 mijë të punësuar i shpëtojnë taksave mbi pagën
Diskutimi në lidhje me tatimin mbi të ardhurat nga paga vazhdon të jetë i zjarrtë ndërkohë që fakte të reja kanë dalë në pah nga dërgimi i projektligjit të qeverisë për ndryshimet në fjalë. Nga relacioni që shoqëron draftin me ndryshimet fiskale të propozuara nga ekzekutivi, mësohet se një numër i madh pagamarrësish do t’i shpëtojnë taksimit mbi pagën, ndërsa barra i kalon tashmë atyre që kanë paga më të larta se 130 mijë lekë. Nga tabelat e Ministrisë së Financave mësohet se pas ndryshimeve ligjore do të jenë 166 mijë pagamarrës, të cilët marrin rrogë deri në 30 mijë lekë në muaj që nuk do të paguajnë tatim mbi pagën.
Tabelat:
Përqindja e të punësuarve sipas intervaleve të taksimit:
| Intervalet | Numri | Në % ndaj totalit |
| 0-30 000 | 165.722 | 56.4 pa taksa |
| 30 001-130000 | 173.150 | 41.4 |
| 130000- | 11.213 | 2.8 |
Ishte:
Tabela nr.1. Tabela për tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi.
| E ardhura e tatueshme(në muaj) | Përqindje | |
| Mbi (lekë) | Deri në (lekë) | |
| 0 | 30.000 | zero për qind |
| 30.001 + | Më tepër | + 10 për qind të shumës mbi 0 lekë |
Bëhet:
Tabela nr.1. Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi.
| E ardhura e tatueshme(në muaj) | Përqindje | |
| Mbi (lekë) | Deri në (lekë) | |
| 0 | 30.000 | zero për qind |
| 30.001 | 130.000 | + 13 për qind të shumës mbi 30.001 lekë |
| 130.001 | Më tepër | 13.000 lekë + 23 për qind të shumës mbi 130.000 lekë |
* * *
