Buzëqeshja e Mona Lizës dhe “Gjygji i Mbramë”

Leda Hysa

MOIKOM ZEQO

PARADOKSET E RRALLA

Njeriu Zot ka qenë ëndrra  më e madhe.

Kjo është të vërtetosh që ka egzistuar dikur vetë heroi Dadal.

Bota nuk e beson këtë gjë, modernët e quajnë një hero të shpikur, ose dhe të shpifur.

Dedali vuri  pupla shpendësh në krahët e tij dhe fluturoi lehtësisht.

Biri i tij Ikari, qe më pak i mëçur se i jati.

U ngjit afër diellit dhe nga nxehtësia, lënda ngjitëse që lidhte puplat me krahët e tij u shkri dhe ra pingul dhe tragjikisht mbi detin që sot quhet Deti i Ikarisë.

Ndoshta dhe ti o ëndërrues sepse unë të kam sëmurur me ëndrrën time do ta pësosh siç e pësoi djali i Dedalit.

Do të biesh mbi ndonjë det, por askush nuk do ta quajë atë det më me emrin tënd.

Ja pra, që edhe unë di të bëj shaka, bile di edhe të tallem, pa u shkëputur nga sensi i gazmores, sepse çdo gjë gazmore është një paradoks i rrallë dhe mua më pëlqejnë paradokset e rralla. Paradokset e rralla janë si metalet e rralla.(  1989)

QESHJA

Serioziteti i tepruar është për të heshturit,- për gurët.

Të qeshurit madje dhe ironia dhe sarkazma janë simbole të intelektualitetit të lartë.

Të qeshurës i duhet ngritur një monument, sepse vetëm e qeshura mund ta ribëjë qytetërimin e vërtetë.

Këtu është dhe një nga çuditë që ne shpesh e kemi quajtur buzëqeshja e Mona Lizës.

Tërë dijetarët e studjuesit e artit, tërë admiruesit dhe kundërshtuesit, tërë snobët dhe të mënçurit kur shohin fytyrën e Mona Lizës sidomos buzët e saj, si dy gjarpërinj njeri mbi tjetrin (është fjala për gjarpërinjtë e shenjtë të kultit budist ose egjiptian) ose  si bashkimi i dy vetullave që nënkuptojnë sy të padukshëm, ose si dy lumenj paralelë, që bashkohen në të njejtin det etj etj., e kuptojnë se Mona Liza buzëqesh, marrin vesh se Mona Liza do të tregojë gëzimin botës. Kjo buzëqeshje është tepër inteligjente.

Një buzëqeshje e dyfishtë për të tjerët dhe për vehten, madje dhe për ty Leonardo.

Kjo buzëqeshjë misterioze  nuk ka të bëjë me esencën e komedisë, me filozofinë e Aristofanit, me arlekinët italianë, me vodevilët francezë dhe as me gjestet filmike dhe pagane dhe plebejase të Çarli Çaplinit.

Kjo buzëqeshje nuk ka të bëjë me autonominë e gjinisë komike, as  me të përqeshurin, as me cinizmin, as me çmendurinë e të gajasurit.

Kjo buzëqeshje e tret kufirin midis tragjedisë dhe komedisë, është mbi fillesën dioniziake, apo fillesën apolloniate të artit siç i ka klasifikuar Niçja, ky vrojtues i kuçedërshëm .( 1992.)

ARTI PERTEJ PERKUFIZIMEVE

Fantazia punon, sepse realiteti i pikturës qenka më i madh se sa përkufizimet e fantazisë.

Përkufizimet në vetvete janë limite.

Fakti që fantazia pëpriqet të përkufizojë, apo të klasifikojë do të thotë se vetë fantazia nuk është aq e plotfuqishme nga çe mendojmë shpesh herë.

Ja, që realiteti i artit jo vetëm në këtë rast qenka më i plotfuqishëm.( 1990)

ROLET

Ah ju, pasardhësit që keni kataloguar çdo gjë.

Duket sikur jeni indiferentë për të pjesshmet.

Dhe megjithatë ditkeni më shumë nga ç’mendoj unë paraardhësi juaj, vetëkuptohet nuk e kam zgjedhur vëtë këtë rol ashtu si dhe ju nuk e keni zgjedhur vetë rolin tuaj.

Rolet tona janë të përcaktuar edhe nga kronologjia, nga tekat dhe zhvillimet e historise. (1991.)

GJEOMETRIZIMI I KOHES

E di se koha mund të gjeometrizohet, ajo mund t’i jepet tërësisht gjeometrisë, që lidhet me sendet e dukshme dhe trupore, me forma pafundësisht të shumëllojta.

Koha pëpruthet me fillimet e gjeometrisë d.m.th me pikën dhe me vijën: pika, e përqasur me kohën barazohet me çastin, kurse vija ka përgjason me një sasi të caktuar kohe.

Ashtu si pika është fillimi dhe fundi i vijës, çasti është kufiri dhe fillimi  i çdo kohe të dhënë.

Nëqoftëse vija mund të ndahet pafundësisht edhe intervali i kohës po ashtu mund të ndahet. Nëqoftëse pjesët në të cilat është e ndarë vija janë të bashkëmatëshme edhe pjesët e kohës do të jenë të bashkëmatëshme me njera tjetrën.

Po provo të shkruash veçoritë e kohës pavarësisht nga gjeometria.

O kohë!

Asgjësuese e sendeve, por dhe përjetësi e sendeve.

Vdekja jote o kohë është vdekje e avashtë, pra është amëshim i vetë vdekjes.

Sendet kanë natyrë të vijave matematikore dhe në disa raste janë vetë pika matematikore.

Si vijat, si pikat janë të patrupëzuara, është praktika ajo që i trupëzon, sepse i tillë është ligji i domosdoshmërisë.

Duhet të tregohet rëndesa e peshave së bashku me peshat e varura, pa rënë në gabimin e disa filozofëve të lashtësisë për këtë problem, gabim që ka ndodhur se ata kishin parasysh vetëm pole trupore dhe më pak kishin parasysh pole matematikore, d.m.th. pole të menduar dhe jo truporë.

Kur i rafigurojmë sendet dhe figurat ne kemi dëshirë për rikrijim.

Kjo dëshirë është kuit esencë është shpirti i spontanitetit, që ashtu si shpirti i njeriut që gjendet i mbyllur e i burgosur asnjëherë nuk i dërpret përpjekjet për t’u kthyer të burimi fillestar i lirisë.

Është kjo dëshirë, kjo kuintesencë, ajo, që ndjek pas natyrën, sepse vetë  natyra është burim i vetvetes.

Ky këndvështrim filozofik vetëm e ndihmon artin  dhe kjo është ndihma e shkencës për artin, ashtu si ndihma e artit për shkencën është për të gjetur shpirtin e fshehtë të gjeometrisë dhe atë pakuptimshmëri të ligjeve të natyrës dhe të sendeve dhe përberësve të tyre.

Të lashtët e kanë quajtur njeriun botë të vogël dhe s’ka as pikën më të vogël të dyshimit që i kanë bërë një përcaktim të drejtë, sepse ashtu si njeriu që përbehët nga toka, uji, zjarri po prej këtyre përbëhet edhe vetë materia.

 

Ptolemeu e tregoi kozmografinë e tokës, duke i ndarë hartat në pjesë, në provinca, duke lënë të kuptohet figura e përgjithshme e botës ashtu siç është lidhja e gjymtyrëve të njeriut.( 1993)

E VERTETA PERHERE SI PYETJE

Edhe Pilati e pyeti Krishtin : “Ç’është e Vërteta?”

Nuk priti të merrte përgjigje dhe përfundimi dihet.

Krishti u kryqëzua.

Pilati bëri sikur lau duart e tij me ujë në një legen të argjendtë.

Pra kujt i intereson e Vërteta?.

Ç’është e Vërteta për  bashkëkohësit e shekullit të XX?

A është e barazvlefshme një e Vërtetë e shekullit tim me të vërtetën e shekullit tënd?

– E vërteta megjithatë egsziton përtej jetëve të kufizuara njerëzore.

I përshkon jetët e mjera njerëzore, i ndriçon ose i terrëson nga brenda.

E Vërteta është një lëvizje që nuk mund të ndalet.

Çdo lëvizje përbëhet nga pikat që mund të fiksohen në hapësirë. Por vetë lëvizja nuk mudn të fiksohet dot, ky është paradoksi ku mbështet një nga aforitë e famshme të Zenonit.

Ne dimë të vërtetën e arritur deri në ditët e sotme për portretin e Mona Lizës.

Të gjithë pa përjashtim e themi ja Mona Liza! Kjo është si të thuash ja planeti Tokë, ja Hëna, ja  Kometa Hallej, ja mjegullnaja e Andromedës, ja qyteti i përbindshëm Tokio, ja  tempujt budistë të Kamboxhias dhe të Tibetit, ja Kulla e Ejfelit në Paris, ja Obelisku dhe statuja e Abraham Linkolnit në Ëashington D.C.

Por a është Mona Liza në të vërtetë Mona Liza? (1993 )

ODISEIADA E  NJE PORTRETI

Në të gjitha historitë e artit thuhet se një fisnik  fiorentinas i kërkoi piktorit Leonardos t’i bënte portretin e të shoqes të quajtur Mona Liza- Di Xhakonda.

Piktori pranoi.

Pas tri ditësh në studion e Leonardos hyri një vajzë ose më saktë një mrekulli e drojtur. Piktori me hov hodhi në telajo penelatat e para. Këto penelata ishin si një shpërthim ose si gjethet e arta të një peme të tronditur nga një shtrëngatë e habitshme dhe manjetike e hapësirave. Pastaj çdo gjë ndali dhe u ngri. Puna për protretin vazhdoi çuditërisht tepër gjatë afro  katër vjet.

Piktori s’qe i kënaqur asnjëherë nga vetvetja. Gjithmonë rregullon diçka, vendos një penelatë të re, ka një dhimbje të brendshme të pafund.

Porositësi i pasur i kërkon portretin .

Piktori nuk pranon, kinse justifikohet : nuk ka përfunduar. Ndoshta nuk do të përfundonte kurrë.

Në historitë ose legjendat e artit për këtë thuhet, se  këtë pikturë Leonardo e mbajti me vete gjithmonë, kur vajti në Francë, ku edhe vdiq e mbante në dhomën e tij.

Pas vdekjes së Leonardos portretin e bleu mbreti i Francës Fransua  I.

Në  shekujt XVI – XVII kjo pikturë zbukuronte pallatin e Fonteblosë.

Në vitin 1800 Napoleon Bonaparti  e morri pikturën dhe e vuri në pallatin madhështor të Tuilërisë në dhomën e  tij të gjumit.

Në 1804  ky portret hyri përfundimisht në Muzeun e Luvrit, ku është akoma dhe sot si emblema më e ndritshme dhe më e pazëvendësueshme.

Në 1911 ky portret i stërfamshëm befas u vodh, kjo qe grabitja më sensacionale e shekullit. Po më 1913 çuditërisht tabloja u gjet në dhomën e  një hoteli fjorentinas në rrugën  “Çelentani”.

Vjedhjen e pabesueshme  e pati realizuar  një hajdut endacak dhe aventurier maniak, italiani Lorenco Peruçi.

Kur u vodh portreti policia franceze, hapi qindra dosje për të dyshuarit.

E habitshme është se si grabitësi i mundshëm mes morisë së pafund të të dyshimtëve nga policia franceze shihej në veçanti edhe Pablo Pikasoja.

Gjithashtu  miku i Pikasosë, poeti gjenial francez Gijom Apolineri, jo vetëm qe futur  në rrjetën e dyshimeve, por konkretisht edhe e arrestuan dhe e morën në pyetje në burg.

Pas burgut Apolineri i ka treguar mikut të vet shqiptar Faik Konica, për aventurën e tij të vajtueshme, madhështore, por dhe magjike, absurde dhe të kotë.

Konica donte të shkruante diçka për këtë subjekt, por duke qenë njeri dembel, obllomovist, përherë i ngeshëm, aristokratik dhe skeptik i pashërueshëm e la pas dore këtë gjë.

Dihet që portreti është dëmtuar pak, një maniak i konsideruar si skizofren dhe i ndershëm dhe fetar i devotshëm i është sulur portretit dhe e ka gërvishtur në fytyrë.

Kjo bëri që portreti përfundimisht të futej nën këllëfin e një xhami të blinduar, që nuk mund të shpohej as nga plumbat.

Potreti i quajtur Mona Liza, gati nuk lëviz nga Luvri. Luvri është manastir i përjetshëm dhe i pazëvësueshëm i femrës së pikturuar djallëzisht por edhe në mënyrë të perëndishme nga Leonardo Da Vinçi.(1993)

NE GJYGJIN E MBRAME

S’mund të harroj  një përcaktim të skajshëm por dhe të goditur të Volter Pejterit për portretin  Leonardian të Luvrit, që edhe mbas zbulimeve shkencore do ta mbajë përsëri emrin e rremë Mona Liza :

“Ajo është shumë më e vjetër nga shkëmbejtë që e rrethojnë, por si një vampir femër me bukuri të llahtarshme ka vdekur shumë herë dhe prandaj i di të gjitha të fshehtat e përtej varrit. Ka qenë zhytur në dete të thella të shpirtit dhe fsheh në vetvete ditën e tyre të Gjygjit të Mbramë”.(1994)

IDENTIFIKIMI  SI KUFIZIM

Mbivlerësimi s’është asnjëherë analizë mbushamendëse. Është një apologji e rremë.

Është një  pjesë e së vërtetës siç janë të tëra apologjitë. Pasardhësit mund t’ju gjykojnë edhe negativisht, ose t’ju hyjnizojnë.

Në të vërtetë kjo nuk është shumë e rëndësishme, madje asnjë metodë e pranueshme krahasimi  ose logjikë referuese nuk ka të bëjë aq me atë  që mendojnë apo vlerësojnë pasardhësit sesa me atë që quhet opinioni i përjetësisë.

Pra, pasardhësit shpesh identifikohen me atë që quhet përjetësia.

Por përjetësia nuk janë vetëm pasardhësit.

Po aq të drejtë kam për të qenë përjetësia edhe paraardhësit. Unë mendoj që pasardhësit kanë një dimension të përjetësisë por nuk janë e tërë përjetësia.

Nuk duhen ngatërruar këto dy gjëra, as identifikuar.

Në të vërtetë çdo identifikim është njëkohësisht edhe kufizim.

Po kështu çdo përgjithësim është gjithashtu përherë kufizim.

Dialektika e pranon dhe e përjashton identitetin.

Dialektika është më tepër sesa logjika.

Logjika aristoteliane është një shkallë më e ulët se sa dialektika heraklitiane.

Këtë Hegeli e ka kuptuar shkëlqyeshëm.

Mbas Hegelit ndoshta më drejtëpërdrejtë por dhe më dinakërisht e ka kuptuar Marksi.

Kështu një ide filozofike qëndrore mund të shërbejë për të na krijuar një ekuilibër të të menduarit për të gjithë sendet e sekretet e kësaj bote, pa përjashtuar vetë thelbin e thelbeve të artit.(1993.)

 

 FROJDI

Thuhet që emri i çifutëve bëhet shpesh mbiemri i epokave. Vetë Krishti qe çifut, Më pas mund të kujtonim Karl Marksin dhe Zigmund Frojdin.

Padyshim që asnjëherë nuk do të harronim Ajnshtajnin.

Janë kryemjeshtra të mendimit.

Frojdi i tronditi  për vdekje që të gjithë.

Para Frojdit njerëzimi qe vetëm një guackë.

Kulturat qenë vetëm të sipërfaqshme.

Të paktën në shikimin e parë.

Sidomos nga forma.

Frojdi guxoi ta thyente guackën, e sfidoi dhe ironizoi formen. Sipas tij shpesh forma është alibi e përmbajtjes, por asnjëherë nuk është tamam përmbajtje.

Përmbajtja është diçka tjetër.

Është fjala për brendinë.

Brendia është më e thellë, më misterioze, më e padukshme, më e pakonceptueshme.

Brendia nuk shihet gjithmonë me sy ose përgjithësisht nuk shihet me sy.

Çdo vegël zmadhuese, çdo instrument optik që shumëfishon mundësinë e shikimit të syrit nuk mund të ndihmojë tërësisht për të parë të brendshmen.

Vetë përcaktimi i të brendshmes është i pafund.

Më tepër njohim të jashtmet, jemi një univers sipërfaqesh, kudo dhe përherë.

Ne  vetëm shikojmë në kuptimin e jashtëm.

E kemi të vështirë për ta deleguar të brendshmen tek e jashtmja.

Frojdi u përpoq të spjegonte njeriun jo nga forma e tij antropologjike.

Ai zbuloi instiktet e tij natyrore por edhe të llahtarshme.

Këto instikte ishin të plotfuqishme dhe gati triumfuese mbi çdo gjë. Frojdi kërkoi të gjente ligjin e gravitacionit, të sjelljeve psiqike apo të veprimeve gjoja të ndërgjegjshme por në fakt të pandërgjegjshme të njeriut.

Sipas tij instiktet janë një kompleks por është pikërisht instikti i seksit, libidoja, që zotëron gjithçka.

Kështu erotizmi antik gjeti një spjegim të ri.

Perversitetet apo inçestet  viheshin në ekuacione mendore ose interpretoheshin sipas formulave.

Frojdi ja kushtoi gjithë jetën botës së instikteve.

Ai here mbivlerësoi Libidon dhe herë instiktin e vdekjes të quajtur Thanatos.

Reformimet e teorisë së Frojdit më pas nga Jungu duket sikur ndryshojnë diçka, por vetëm interpretojnë.

Diferencat  nuk dalin jashtë revolucionit determinist të isntikteve ose përgjithësisht të revolucionit seksual.

Turmat e mëdha të hipive, muzika elegjake dhe hipnotizuese të Jim Morrison, spektaklet, ku vetë Krishti paraqitet si një hyperstar i rrokut, filmi heretik i skocezes, që tregon idilin intim dhe seksual të Krishtit me Maria Madalenën, romanet  e Bukovskit dhe të Xhejmsit, poezitë homoseksuale të Alen Ginsbergut nuk janë jë tjetër veçse jehona të vagulluara më shumë tragjike se sa fitimtare të një epilogu frojdian.

Frojdi më tepër shpiku se sa e gjeti të ashtuquajturin kompleks të Edipit. D.m.th gjoja, raportin e papërmbajtur dhe të pashmangshëm seksual të djalit me nënën e tij, apo kompleksin e një varianti më të zbutur gjithsesi metonimik të rebelizmit të princ Hamletit, kundër xhaxhit të tij vrasës, shpejguar jo për shkak të  hakmarrjes për babain e tij të vdekur sesa të xhelozisë seksuale me nënën e tij.

E tmerrshme!

Ja, me këto formula të pabesueshme Frojdi përpiqet të shpjegojë tërë formulën e njerëzimit.

Shkollën biologjike e cila është shumë e shumëfishtë Frojdi e reduktoi, e ngurtësoi thjesht instiktin seksual.

Ai përpiqet të bëjë një shpjegim, që si çdo shpjegim i guximshëm dhe i paturpshëm krijoi shpesh ithtarë të panumër, kokëfortë, madhështorë dhe të mjerë, të paepur dhe me prirje për vetëvrasje, vizionarë të egër dhe fatalistë të mjerë.

Sot në fundin e shekullit XX Frojdi është tejkaluar aq shumë saqë është një përpjekje e mundimshme për t’i besuar gjërat seriozisht të përjetshme.

Ndoshta determinizmi seksual i Frojdit, duket një teori e tmerrshme dhe e pashmangshme sot nuk na bën as të qeshim dhe as të qajmë.

Është tjetër teori deterministe ajo që na tmerron pambarimisht.

Diku thuhet nga një studjues se teoria e Marksit nuk është marksizmi është teoria monetariste, dmth të tëra marrëdhëniet njerëzore të njeriut me natyrën, të sendeve me sendet, të  gjallesave me elementët perceptohen dhe rikthehen në marrëdhënie monetare.

Libidoja e Frojdit është etpër qesharake përpara kultit të parasë.

Ideja e tjetërsimit e aljenizimit është ide bazë e kriticizmit të shoqërisë hde njerëzimit të sotëm.

Ndoshta njerëzimi e ka ndëshkuar vetveten më shumë me kultin e parasë se sa me kultin e instikteve të tjera.

Frojdianët janë qesharakë për ta shpjeguar prostitucionin. Monetaristët e spjegojnë për mrekulli prostitucionin si industri të sekis për fitime të shpejta dhe të koncentruara në kohë të kufizuar në segmente kohorë të papërfillshëm.(  1994)

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *