Me 21 pikë të grumbulluara në 26 javë dhe vetëm 2 në 4 ndeshjet e fundit, Bylis pas Tërbunit është skuadra më e rrezikuar për të zbritur një kategori më poshtë.
Ajo fitore në Laç që rriti ndjeshëm moralin e ballshiotëve u pasua nga një barazim ndaj Skënderbeut në shtëpi, 2 humbje respektivisht ndaj Teutës dhe Partizanit dhe një tjetër barazim ndaj Flamurtarit në Vlorë.
Ndeshjen e radhës Bylis do ta ketë ndaj Vllaznisë në Adush Muça. Nëse dëshiron të luftojë deri në fund për mbijetesën duke ditur që konkurron me dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar siç janë Flamurtari dhe Vllaznia, skuadrës së Zildzovic nuk i mbetet gjë tjetër veçse të fitojë ndeshjen e ardhshme ndaj shkodranëve që për Bylisin ka vlerë jetike.
Megjithatë për të mposhtur kuqeblutë që vinë nga dy fitore radhazi madje me rezultate bindëse, ballshiotët nuk do ta kenë aspak të thjeshtë, pasi në duelin e kësaj fundjave do të vuajnë edhe mungesat e disa prej lojtarëve të tyre kryesorë.
Kjo për vetë faktin se në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit përveç Simic që u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Dyrmishi disa titullarë të tjerë morën karton të verdhë duke plotësuar numrin e tre të tillëve që do të thotë një ndeshje skualifikim.
Por pavarësisht kësaj trajneri Zildzovic ka në dispozicion një grup prej më shumë se 20 futbollistësh cilësorë dhe do ta gjejë mënyrën për të hedhur në fushë një 11-she tepër kompetitive.
Pas asaj me Vllazninë, Bylis do të ketë një tjetër ndeshje në shtëpi pikërisht ndaj Kukësit. Për të shpresuar te mbijetesa skuadra ballshiote duhet minimalisht të grumbullojë 4 pikë në këto dy ndeshje.
