Grupi B/ Skuadra e Shensojit arrin fitoren e tretë, Flamurtari të dytën
Bylis ishte favorit për të fituar në fushën e tij kundër Teutës, megjithatë shifrat 5-0 kanë ardhur vërtet befasuese. Mallakastriotët e kanë shkatërruar plotësisht skuadrën durrsake brenda shtatë minutave, kur kanë shënuar tri herë. Fillimisht ka zhbllokuar shifrat Izuçuku, nga pika e bardhë e penalltisë, pas faullit në zonë ndaj Bakiut. Ky i fundit shënon golin e dytë, në minutën e 5-të, ndërkohë që pa kaluar 120 sekonda, del në skenë sërish nigeriani Izuçuku, me golin e tretë. Minutat e mëvonshme janë disi të qeta, me vendësit që administrojnë epërsinë dhe miqtë të goditur rëndë psikologjikisht. Sidoqoftë, pjesa e parë do të sillte edhe golin e katërt për mallakastriotët, me autor Bakiun, në minutën e 41-të. Pjesa e dytë ishte thjesht formalitet për Bylisin, pasi fituesi ishte i qartë. Fieraku Meto lë shenjën e tij në fund të lojës, duke shënuar edhe golin e pestë. Shensoji siguron fitoren e pestë radhazi që nga rikthimi në krye të skuadrës së Ballshit, ndërsa Teuta është e eliminuar nga Kupa, me zero pikë pas tri ndeshjeve të para.
Ngjitet Flamurtari
Flamurtari ka ringjallur plotësisht shpresat për kualifikim, me fitoren e dytë radhazi. Dje vlonjatët mundën 2-1 Laçin, me gola të shënuar nga Zeqiri e Muzaka. Laçi ka rastin e parë të ndeshjes, kur Vucaj nxjerr në pozicion ideal Marashin për të shënuar, në minutën e 12-të, por portieri Koliqi ka neutralizuar për mrekulli gjithçka, duke ndërhyrë me këmbë. Në minutën e 39-të, një aksion i ngadaltë i vlonjatëve, që duke se nuk do të sillte asgjë, por Hair Zeqiri gjuan nga 35 metra dhe shënon një gol fantastik në trekëndëshin e Vashakut. Ky moment shërben për t’i çliruar tërësisht vendësit, që e qarkullojnë topin me shumë qartësi dhe arrijnë të dalin rrjedhshëm para portës së Vashakut. Ky i fundit, një minutë para mbarimit të kohës së rregullt të pjesës së parë, detyrohet të dalë nga zona e tij dhe ta ndalojë në mënyrë të parregullt vërshimin e Memellit. Godet në mënyrë të shkëlqyer Muzaka, që dyfishon shifrat dhe e vë suksesin e të tijve në shina të sigurta. Laçi ngushton rezultatin me anë të kapitenit Vucaj, por ka pak forcë në sulm për të përmbysur gjithçka në Vlorë. Skuadra e Gjokës shfaqet bindëse deri në fund dhe tashmë konfirmohet si forcë e dytë në grupin e vet.