Vendimi i fundit i Bordit të Transparencës është ai i uljes së çmimit të naftës dhe gazit, por nga ana tjetër ka një rritje të çmimit të benzinës.
Me vendim të datës 7 maj 2022, bordi ka vendosur çmimin prej 237 lekësh për litër mbi produktin e naftës, si çmim tavan, sa i përket shitjes me pakicë.
Çmimi i shitjes me shumicë për naftën, do të jetë 225 lekë për litër. Në krahasim me vendimin e shkuar, nafta është ulur nga 243 në 237 lekë për litër, pra një ulje prej gjashtë lekësh për litër.
Benzina nga ana tjetër, nga 223 lekë që ka qenë deri sot, rritet në 227 lekë për litër, në shitjen me pakicë. Sa i përket shitjes me shumicë, ai shkon në 215 lekë për litër.
Ulje ka parë ndërkohë edhe çmimi i gazit për përdorim të automjeteve, i cili do të tregtohet me 100 lekë për litër, nga 106 që ka qenë. Çmimi i shitjes me shumicë, do të jetë në kuotën e 88 lekëve për litër.
Me rëndësi në këtë aspekt, është të theksohet se gazi për përdorim familjar, nuk do të përfshirje akcizën që përfshin ai për përdorimin e automjeteve.
Vendimi do të hyjë në fuqi në orën 18:00 të datës 7 maj dhe mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e radhës të bordit.
Në raste të shkeljeve të konstatuara, do të ketë masa deri në pezullim të aktivitetit ndaj pikave të shitjes së karburanteve.
