Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një njoftimi për shtyp ka lajmëruar që seanca e parë e Parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të mbahet më 24 dhjetor.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se “Kryetari dhe Kryesia e Legjislaturës së Gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Mbledhja e parë e Parlamentit të ri mbahet 3 ditë përpara përfundimin të afatit një mujor pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur ende një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Më shumë se një orë ka zgjatur takimi në mes liderit të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa, të cilët kanë rënë dakord për intensifikimin e takimeve deri në arritjen e marrëveshjes finale.
j.l./ dita
