Call- center: Biznesi që vijon lulëzimin në Shqipëri

Bledar Lumani

Nëse duam të kërkojmë një industri që nuk do t’ia dijë për krizën ekonomike, është shërbimi online i qendrave të telefonisë. Sipërmarrjet në treg janë gati 300, duke arritur në rreth 20 mijë të punësuar. Kompani call center janë bërë punëdhënësit më të mëdhenj në vend, duke qenë një zgjidhje e mirë për ekonominë, të paktën deri kur të zhvillojmë industri me më shumë vlerë të shtuar

Fabrikat e prodhimit të pjesshëm të veshjeve që mbërrijnë gjysmë të gatshme në Shqipëri kanë mbajtur “gjallë” tregun e punës për një çerekshekulli. Sektori vijon të mbetet një zgjidhje për gra e burra të paarsimuar, që duhet t’i nënshtrohen pagës minimale. Një debat i hapur nëse duhet të konkurrojmë apo jo me krahun lirë të punës, po kjo arsye ka prodhuar një tjetër industri fason, me vlerë më të shtuar në fakt se ajo e veshjeve e këpucëve dhe e orientuar për të zënë me punë një tjetër kategori të gjerë të shoqërisë, kryesisht të rinjtë 17-35 vjeç. Po flasim për biznesin call center, i cili, siç thotë populli, është përhapur si kërpudhat pas shiut. Të dhënat e fundit të sektorit tregojnë se bizneset call center po konkurrojnë e me ritmet e ecjes aktualisht, shpejt do të tejkalojnë industrinë fason (siç vijojmë ta quajmë, për përpunimin e pjesshëm të veshjeve e këpucëve) si për nga xhiro vjetore, edhe për numrin e të punësuarve.
Çdi ditë në rrugët e Tiranës, ku është përqendrimi më i madh, shfaqen reklama kompanish të reja, që reklamojnë qindra vende pune. Në përgjigje të kërkesës së lartë, qendrat e mësimit të gjuhëve të huaja tashmë po ofrojnë kurse të gjuhës italiane, të specializuara për call center.

Punëdhënësi më i madh?!

Të dhënat e fundit të tatimeve raportojnë gati 10 mijë të punësuar në vetëm 12 kompani call center.
Ritmet e rritjes së sektorit janë aq të larta sa po konkurrojnë me fasonin. Kompanitë fason, të renditura mes 100 kompanive më të mëdha, kanë të punësuar 14 mijë persona.
Por, specialistët e rekrutimit të punonjësve mendojnë se me shifrat jozyrtare, call center është biznesi i parë punëdhënës në vend, ku dinamika e punës edhe për periudha të shkurtra 1-3 muaj, (veçanërisht në sezonin e verës) bën që një pjesë e të rinjve që nuk e tejkalojnë këtë kohë, të mos rezultojnë në listat e kontributeve shoqërore. Po të vijojmë me krahasimin mes dy industrive, call center janë aktivitete të organizuara edhe në përmasa të mëdha. Një pjesë e tyre kanë mbi 3 mijë të punësuar, fakt që nuk e gjejmë te veshjet dhe mbi të gjitha. Nga ana tjetër, sipërmarrësit e call center nuk kanë hasur ende vështirësi në rekrutimin e të rinjve të aftë për ta bërë këtë punë. Mjafton një trajnim një apo dyjavor dhe puna 6-8 orë siguron minimalisht 300 euro.
Në total, nga rreth 300 kompani call center vlerësohet se numri i të punësuarve i kalon 20 mijë.

Call center konkurrojnë me “përbindëshat” publikë

Kur flitet për një kompani të madhe, me numër të madh të punësuarish, (brenda apo jashtë vendit) një kompani e tillë është publike. Në vendin tonë, CEZ, sot OSHEE, është punëdhënësi kryesor sipas Tatimeve, i ndjekur nga kompania më e madhe call center, Intercom Data Services me mbi 3 mijë të punësuar, e me ritmet e rritjes nuk është çudi që mes shifrave të raportuara që i përkasin një viti më parë, në kohën që po flasim, ISD të jetë bërë punëdhënësi i parë për nga madhësia. Përfaqësuesit e kësaj kompanie janë shprehur në fillim të vitit se kanë në plan të punësojnë qindra të rinj këtë vit. Kërkesa vjen nga kontratat e siguruara të shërbimeve me kompani italiane.

Por edhe kompani të tjera nuk mbeten prapa. Mes 100 punëdhënësve më të mëdhenj, 10 (ose 10%) janë kompani call center. E për nga numrat, që tani kanë tejkaluar çdo sektor tjetër, asnjë sektor tjetër nuk rendit këtë numër kompanish në 100-shen e parë të punëdhënësve.

Edhe për nga ritmi i rritjes në dhjetëvjeçarin e fundit (periudhë kur është zhvilluar kjo industri) krahasuar me sektorët e tjerë ka pasur ritmet më të larta të rritjes, si për numrin e kompanive, edhe për zgjerimin e të punësuarve.
Në dy vitet e para të fillimit të aktivitetit, sektori numëronte 10 sipërmarrje. Në vetëm tetë vjet, ato u rritën 30 herë si numër biznesesh, e rreth 100 herë për numrin e të punësuarve.

Gati 300 kompani call center

Ritmet e shpejta të rritjes nuk janë vetëm brenda një kompanie, shtimi i sipërmarrjeve të reja po i jep një tjetër dimension sektorit. Të regjistruara e në proces hapje, numri i tyre po shkon drejt 300 në të gjithë vendin.

Zyra e Komisionerit për të Dhënat Personale ka identifikuar, në një kontroll në maj 2015, 278 subjekte që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në teritorin e Shqipërisë, subjekte që kanë të deklaruar në objektin e veprimtarisë së tyre edhe aktivitet në fushën e “call center”.

Shërbimet janë në italisht, anglisht, e gjermanisht. Kontrata për llogari të kompanive telefonike në botë, kompanive të energjisë e gazit, transportit hekurudhor e ajror, deri te sigurimi i teknikut për ashensorin e prishur, janë çështje që zgjidhen nga të rinjtë shqiptarë në sallat e zhurmshme të pallateve ku kanë marrë hapësirat. Vitin e kaluar, numri i kompanive që veprojnë në këtë sektor u dyfishua. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në një vit janë regjistruar 110 biznese, duke u rritur me 40% krahasuar me një vit më parë. Në lëvizjet e këtij sektori, rezulton se 4 biznese janë çregjistruar, ndërsa pezulluan aktivitetin 29 prej tyre.

Call center, pak vlerë të shtuar, por pagë e kënaqshme në treg

Shërbimet e modelit fason shihen me skepticizëm nga ekonomistët, pasi vlera e shtuar e tyre në ekonominë e vendit mbetet e ulët. Ndaj, mes një shërbimi që na siguron vetëm të ardhurat nga puna, dhe një pune prodhuese po në shërbime (siç mund të ishin programimet kompjuterike, realizimi i faqeve web, apo të tjera shërbime)
sigurisht që këto të fundit u duhej të ishin zgjidhja më e përshtatshme.

Ekspertët shohin me skepticizëm edhe të ardhmen që mund të sigurojnë këto industri. Shumë të mira për të rinjtë pa përvojë, që u duhet të sigurojnë të ardhura për studime, ato nuk shihen ende si një mundësi për të zhvilluar karrierën profesionale. Punonjësit e tyre janë studentë të gjuhëve të huaja, por edhe mjekësisë apo inxhinierisë. Ndaj puna në call center, nuk ndihmon në fillimin e karrierës si mjek apo inxhinier.

Por të shohim edhe anën tjetër të medaljes, e cila duket më e shndritshme. Nëse fokusi janë të rinjtë që duan të sigurojnë të ardhura për studime, sigurisht që mbetet një zgjidhje e mirë që nuk e ofron asnjë sektor tjetër. Por edhe nëse flasim për një kategori specifike, të rinj, apo grupmosha 35-40 vjeç që dinë një gjuhë të huaj, apo kanë një diplomë të marra në degët ku këto vite u dyndën pjesa më e madhe e të rinjve, sigurisht që mbetet sektor i vlefshëm. Pagesa e shërbimit është minimalisht 300 euro, një pagë që konkurron me atë të punonjësit të një banke në sportelin e operacioneve bankare, e shumë më tepër me pagën e punonjësve në sportelet e shërbimeve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë.

500 të punësuar vetëm në dhjetor

Qendrat e shërbimeve call center kanë filluar të personalizohen edhe në emra. Nga emrat ndërkombëtarë të viteve të para në kompani që mbajnë emrat e zonave siç është Call Center Paskuqan (CCP). Ajo u hap në dhjetor të vitit të kaluar, ku janë punësuar 100 të rinj të moshës (18-35 vjeç) dhe që së shpejti planet e kompanisë janë për 500 vende pune. Sipërmarrja u përurua në prani të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, i cili vazhdimisht ka promovuar sektorët që krijojnë mundësi punësimi. E si bujqësia, edhe shërbimi call center, po shihet me interes për të zënë me punë të rinjtë, në një periudhë ku sektorët e tjerë janë ngopur. Meta e cilësoi si “një shërbim me mjaft perspektivë për të punësuar shumë të rinj dhe të reja, të cilët dëshirojnë të punojnë në kushte të mira dhe premtuese”.

“Le të shpresojmë që shumë shpejt të vijmë për të inauguruar shtimin e kapaciteteve të këtij aktiviteti i cili synon që pas një viti të arrijë një numër kuptimplotë për këtë komunitet, rreth 500 të rinj dhe të reja”.
Impakti social i këtij sektori vlerësohet po aq sa ai i fabrikave të veshjeve e këpucëve, të cilat janë shtyrë në qytete të ndryshme të vendit, duke krijuar mundësi punësimi edhe në zona të varfra.

Sipërmarrësit e vendosur në Paskuqan kanë edhe dy aktivitete të tjera të njëjta me këtë. Përfaqësuesja e kompanisë ka vlerësuar se nuk është përvoja e parë, pasi ne aktualisht kemi edhe dy “Call Center-a” të tjerë me dëshirën më të madhe që t’i japim tregut shqiptar punë për rininë”.

Zhvillimi i “nxituar” i këtij sektori ka sjellë domosdoshmërinë e formimit të të rinjve, të cilëve pavarësisht njohurive të gjuhëve të huaja, u nevojitet të përshtaten me këtë shërbim.

Instituti “Gloriouse Skills” është marrë me trajnimin e të rinjve me gjuhën italiane. E sipërmarrës të këtij shërbimi, po vlerësojnë edhe mundësinë e ngritjes së një shkolle formimi, për të përgatitur punonjësit e ardhshëm të shërbimeve call center.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *