Cameron u përgjërohet skocezëve që të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar

redaktor

Kryeministri britanik, David Cameron ka pohuar këtë të mërkurë se do t’i copëtohej zemra nëse skocezët do të votonin në referendumin e 18 shtatorit në favor të pavarësisë dhe të shkatërronin kështu “familjen e kombeve” të Mbretërisë së Bashkuar.

Përballë konsolidimit të pavarësisë në sondazhe liderët e tre partive të mëdha të unionit britanik, David Cameron, Ed Miliband dhe Nick Clegg, kanë anuluar takimin e përjavshëm në Dhomën e Komunëve dhe kanë udhëtuar drejt Skocisë për të bërë një fushat në mbrojtje të bashkimit territorial të Mbretërisë së Bashkuar.

Cameron iu është përgjëruar skocezëve në një artikull të publikuar në të përditshmen “Daily Mail”, që të refuzojnë pavarësinë dhe të ruajnë “familjen” e Mbretërisë së Bashkuar të paprekur. Kryeministri ka siguruar se një votë në favor të pavarësisë do të ishte një “hap në errësirë”. Në një diskutim në pallatin “Scottish Widows” të Edimburgut, Cameron gjithashtu paralajmëroi se një union monetar me një Skoci të pavarur nuk do të funksiononte dhe ka bërë të qartë se nëse realizohet autonomia Mbretëria e Bashkuar nuk do të ndaj me ta paundin.

“Mendoj se njerëzit e ndjejnë se kjo është pak si zgjedhjet e përgjithshme, që dikush mund të marrë një vendim dhe pesë vjet më pas të marrë një tjetër. Nëse është i lodhur nga qeverisja, i jep një shkelm dhe më pas ndoshta e mendon sërish. Kjo është totalisht ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme. Ky është një vendim, jo vetëm për 5 vitet e ardhshme po një vendim për shekullin e ardhshëm”, ka theksuar Cameron.

Në artikullin e tij në “Daily Mail”, kryeministri shton se është e mundur të kenë një të ardhme më të mirë nëse Skocia qëndron në Mbretërinë e Bashkuar edhe pse paralajmëron se nëse ka një pavarësi të vendit, ndarja do të jetë “përgjithmonë”. “Mbretëria e Bashkuar është një vend i dashur dhe i veçantë. Kjo është ajo që është në lojë. Kështu që askush në Skoci të mos ketë asnjë dyshim.

Duam dëshpërimisht që ju të qëndroni, nuk duam që kjo familje kombesh të ndahet”, shton Cameron. “Një votë jo, nuk do të thotë se nuk ka ndryshim. Do të thotë se do të ketë më shumë autonomi për Skocinë”, thekson ai. “Nuk bëhet fjalë për Skocinë përballë Mbretërisë së Bashkuar, bëhet fjalë për dy vizione që garojnë për të ardhmen e Skocisë”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *