Kapiteni kuqezi shkëlqen edhe në kampionat pas Europa League, tani synon suksesin me Milanin
Lorik Cana vazhdon të gëzojë momente të mira te Lacio, këtë herë edhe në kampionatin italian, ku përgjithësisht ka qenë zgjedhje e dytë. Pas shkëlqimit të Europa League, kundër Borusia Mënshengladbah, kapiteni i Shqipërisë luajti si titullar edhe në ndeshjen kundër Peskarës, në Serinë A. Edhe një herë ishte ndër më të mirët në fushën e lojës, duke garantuar siguri në mbrojtje, gjë që nuk ishte parë në takimet e fundit për kampionatin. Lacio u rikthye te fitorja, duke u ringjitur në vendin e tretë dhe tani do të ndeshet me Milanin në San Siro, në takimin që vlen kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm. Pas fitores në Romë të hënën në mbrëmje, tani Cana shpreson një tjetër sukses, kundër kuqezinjve të Masimiliano Alegrit. I intervistuar nga radio Lazio Style Channel”, Cana i ka thurur elozhe skuadrës për paraqitjen, pasi vërtet që Peskara nuk është ndër kundërshtarët më të fortë, por të kaltërve u mungonin sukseset kohët e fundit. “Nuk mund t’ia lejonim nënvlerësimin e kundërshtarit.
Nuk arrinim të fitonim prej pak kohësh ndaj ishte e rëndësishme të sulmonim dhe të jepnim maksimumin. Bëmë dy gola shumë të bukur, në 20 minutat e fundit filluam të çlodheshim pak në fushë, por paraqitja e përgjithshme ishte shumë e mirë”, tha Cana. “Trajneri na tha që të luanim nga krahët dhe të gjuanim nga larg. E bëmë, madje shumë mirë. Ishim pa fat që nuk shënuam edhe golin e tretë. Por jemi dhe krenarë që Peskara nuk arriti të shënonte asnjë të tillë”. Më tej, Cana flet edhe për Milanin dhe ndeshjet e tjera të rëndësishme që Lacio ka përpara për një kohë të shkurtë. “Me Peskarën ishte e rëndësishme të fitonim, tani kemi përpara tri ndeshje të forta dhe të rëndësishme për ecurinë tonë në kampionat dhe Europa League, kundër Milanit, Shtutgarit dhe Fiorentinës. Duhet të mbledhim forcat e të shkojmë në Milano për të luajtur lojën në 100 për qind, për të synuar edhe atje një rezultat të madh”.

Lorik Cana shumicen e kohes eshte ne stolin e rezervave, edhe mbreme ne ndeshjen qe Lazio humbi ne San Siro ai u fut ne loje vetem pjesen e dyte.