Shqipëria është një skuadër në rritje, e cila ka rezultate pozitive, por që shpeshherë vuan nga mungesa e vazhdimësisë. Kapiteni Lorik Cana beson se grupi kuqezi vjen duke u forcuar, falë konkurrencës brenda tij, çka do të bëjë të mundur paraqitje edhe më konstante në të ardhmen. Së fundi, me kuqezinjtë është bashkuar Migjen Basha, ndërkohë që nuk dihet ende se çfarë do të bëhet me Valdet Ramën. Kapiteni përshëndet ardhjen e tyre, duke i cilësuar si tepër të nevojshëm, për atë çka përfaqësojnë. “Jemi të lumtur që i është dhënë mundësia për të luajtur me kombëtaren Migjenit, gjë që e shpresojmë edhe për Valdetin. Kjo i jep cilësi skuadrës dhe e rrit konkurrencën. Janë lojtarë që luajnë në dy nga kampionatet më të mira të botës, Valdeti në Spanjë dhe Migjeni në Serinë A. Janë lojtarë që do të rrisin cilësinë e ekipit. Por, është detyra e neve që kemi kohë në kombëtare që të japim ndihmën tonë në mënyrë që ata të ambientohen dhe të japin kontributin sa më shpejt. Kjo është diçka e mirë, edhe pse atyre u duhet pak kohë për të kuptuar gjërat që kërkon trajneri, por nuk është se ekipi ynë përbëhet vetëm nga pak lojtarë”, tha Cana.
Norvegjia
Sot kombëtarja fluturon drejt Oslos, ku nesër në mbrëmje sfidon skuadrën vendase, në përpjekje për t’i marrë vendin e dytë në Grupin E. Cana pranon se Shqipëria shfaq probleme në ndeshjet jashtë, të cilat duhen korrigjuar, në mënyrë që të shpresohet vendi i dytë në grup, i cili nuk mund të arrihet vetëm me pikët e fituara në shtëpi. “E vërteta është se vuajmë në transfertë, ndërsa para publikut tonë shfaqemi ndryshe. Kjo vjen ngaqë ende na mungon personaliteti dhe identiteti, të cilin jemi ende duke e ndërtuar”, vlerëson kapiteni. Megjithatë, për takimin e nesërm, Cana beson se Shqipëria do të hyjë në fushë pa asnjë ndjenjë inferioriteti dhe do të kërkojë të marrë më të mirën. “Kjo është ndeshje kyç, jemi në vendin e tretë, me vetëm një pikë më pak se vendi i dytë. Ka edhe pesë ndeshje të tjera, por duhet të marrim pikë që në Oslo. Nuk e ndjejmë veten inferiorë para Norvegjisë, edhe pse e dimë që kemi kundërshtar të fortë përballë. Do mundohemi të marrim një rezultat të mirë, para se të presim të njëjtin kundërshtar në qershor”, tha Cana, duke shkuar disi më larg ndeshjes së radhës. Shqetësimi i vetëm i
Forma
Shqetësimi i vetëm i kapiteni është që disa lojtarë nuk kanë mjaftueshëm minuta në këmbë. “Kur je pjesë e një skuadre të një kampionati të mirë, kur aktivizohesh me vazhdimësi, atëherë fiton edhe besimin, sidomos nga pikëpamja fizike. Dhe, këtë besim që ke fituar, e përcjell edhe në kombëtare. Megjithatë, shpresoj se trajneri do të dijë të marrë maksimumin nga çdo lojtar, çka do të mundësojë edhe rezultatin e dëshiruar.
Dëmtimi
Cana u dëmtua në stërvitjen e së martës, por dje i ka qetësuar të gjithë, duke thënë se bëhet fjalë për diçka të lehtë. Kapiteni është optimist se dëmtimi nuk do ta pengojë aspak për të dalë në fushë e për të dhënë më të mirën nesër.