Aventura e Lorik Canës në radhët Nantes me shumë mundësi do të mbyllet në fund të sezonit. Ishte vetë futbollisti kuqezi që e la të kuptohej diçka e tillë gjatë një emisioni në një televizion lokal, edhe pse kontrata e tij me klubin francez skadon në verë të 2017-ës.
“Kam një marrëveshje verbale me presidentin Kita. Nuk do të kisha ardhur këtu nëse nuk do të kisha miqësi me të. E njoh që kur isha 14 vjeç, pasi para se të vija në Francë, kam luajtur në Lozanë. Te Nantes ka lojtarë të rinj të talentuar që janë e ardhmja e skuadrës, ndërsa unë jam këtu për ta ndihmuar klubin në një periudhë specifike dhe shumë të shkurtër.”
Gjithçka është e qartë, Cana preferoi kalimin te Nantes pasi dëshiron të jetë në formë maksimale për finalet e Euro 2016-të, që shënon pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në një event kaq të rëndësishëm të futbollit.
Gjithsesi, kapiteni kuqezi nuk do t’i varë këtë verë këpucët në gozhdë pasi do të provojë një aventurë të fundit jashtë kontinentit europian në Azi ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
