Ish Guvernatori lëshon alarmin dhe kërkon reagim gjithëpërfshirës për të parandaluar të keqen nesër. Berisha po merr shumë borxhe që t’i vështirësojë punën nesër socialistëve, e pasojat do jenë si të Greqisë. Sipas Shkëlqim Canit nuk është e drejtë t’u lëmë brezave nesër borxhet. Sipas tij nuk ka rritje ekonomike, qeveria vetëm ka mashtruar gjithë kohën, ndërsa i cilëson privatizimet kryesore një dështim të qeverisë.
Qeveria ka pranuar tashmë se duhet rritur niveli i borxhit publik. Si e vlerësoni ju këtë vendim?
Ky vendim përfshihet në grupin e atyre që quhen vendime që duhet të mendohesh mirë para se të vendosësh. Normalisht duhet të vijë pas një transparence të plotë dhe reale nga ana e Qeverisë se në çfarë gjendje jemi me nivelin e borxhit, cila është kostoja ne buxhetet vjetore, cilat janë mundësitë reale të shlyerjes dhe kur, etj. Po kështu niveli i borxhit, kostot, fushat dhe efiçenca e përdorimit, pasojat dhe hapësirat e shlyerjes etj. duhej t’i ishin nënshtruar një debati publik dhe sidomos ekspertësh. Qeveria nuk është pronare, por një administratore me kontratë dhe me mandat të kufizuar të buxhetit të vendit dhe për pasojë është e detyruar të raportojë dhe marrë pëlqimin e publikut, më së paku të synojë rënien dakord dhe me opozitën parlamentare. Këto nuk janë bërë. Nga ana tjetër borxhi i sotëm ka përfitues sot, por mund të ketë fare pak përfitime për brezat e ardhëm, që mund të jenë paguesit më të mëdhenj të tij. Është e padrejtë t’ju lemë një barrë borxhi brezave të ardhëm, kur dhe sot në më të shumtën e rasteve i kemi shpërdoruar a keqpërdorur borxhet e marra. Për më tepër, kjo qeveri në qershor e mbyll mandatin. Nuk është as etike, as ligjore, as njerëzore të prekë kufijtë e borxhit, thjesht për përdorime elektorale dhe keqpërdorime afatshkurtra. Kam dëgjuar këto ditë ide apo servilizma të çuditshme nga adhamudhë të ekonomisë. U duket se kanë bërë ndonjë zbulim të madh kur thonë që kufiri i borxhit nuk shpreh gjë dhe medemek është vendosur kuturu. Uroj të mos kenë patur në mendje të njëjtën gjë kur falën territor nga i vendit. Të tjerë mundohen të na mbushin mendjen se borxhi i shtuar do të përdoret për investime e rritjen ekonomike. Po si kujtojnë se populli do shumë filozofi të kuptojë që në 8 vite kjo qeveri dyfishoi borxhin, por përgjysmoi rritjen ekonomike (të më falë çdo lexues që po përdor vetëm shifra që publikon kjo qeveri, se me shifrat reale gjithçka është shumë më e përkeqësuar). Por mbi të gjitha më e frikshmja me borxhin është se borxhdhënësit ndërkombëtarë nuk pranojnë të na japin më borxh. Besoj është e qartë për publikun çfarë do të thotë kur dikush nuk të jep borxh pasi nuk ka besim se do t’ja kthesh.
Viti ardhshëm pritet të jetë një nga vitet më të vështirë sa i përket ekonomisë. Cilat janë masat që duhet të ndërmerren për të minimizuar sa më shumë krizën?
Kjo pyetje është dhe refreni i këngës së kënduar për realitetin e ekonomisë shqiptare nga viti në vit për 4 vitet e fundit. Masat janë të shumta, por më së pari fillon nga dëshira e mirë. Nëse të mungon dëshira dhe vullneti nuk ke çfarë shpjegon më tej. Kjo qeveri për më tepër ka dhe një synim të zi, të lejë tokën djerrë e shkretë nga pas (ndoshta do të kemi mundësi të sqarojmë me pak fjalë më shumë se çfarë kuptoj më këtë shprehje). Përse nuk qëllojnë topat pyeti komandanti i luftës. Për 20 arsye u raportua dhe filloi radhitja e shkaqeve: mungojnë gjylet…Nuk ka më nevojë për shkaqe të tjera tha komandanti. Ju ndërkohë më pyesni të vijoj me shkaqe të tjera. Po ju rendis disa, që edhe janë përmendur e sugjeruar në këto vitet e fundit, por pa asnjë reflektim nga Qeveria:
- Duhet pranuar, analizuar dhe komunikuar me transparencë e realizëm realiteti ku jemi. Qeveria jonë vazhdon të zbukurojë e mashtrojë me shifrat, statistikat, gjendjen etj. Po marr vetëm borxhin që ishte pjesë e pyetjes tuaj të parë. Thuhet që borxhi është 60% e prodhimit të brendshëm bruto. Por të gjithë e dimë që në këtë borxh nuk janë përfshirë pjesë të tjera borxhi si p.sh vendime gjyqesh të fituar nga individë e biznese me shtetin, taksa të mbledhura më tepër nga taksidarët që duhet t’ja kthejë biznesit, borxhe që p.sh ujësjellës etj institucione publike i kanë CEZ etj, etj. Nuk po përmend ligje e vendime që kanë dalë për shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare dhe që nuk zbatohen (për turpin e një shteti më duhet të përmend mungesën e dëshirës ose më saktë cinizmin e qeveritarëve tanë që nuk paguajnë prej muajsh persona me aftësi të kufizuara).
- Më pas duhet riformatuar i gjithë zhvillimi ekonomik pasi po konstatojmë që sidomos 4 vitet e fundit kemi patur politika ekonomike që kanë sjellë deformime thelbësore: më shumë se përgjysmim të rritjes ekonomike, ekonomi që nuk hap asnjë vend të ri pune, ekonomi që rritet (sa thotë qeveria) por që importin në sasi sot sa edhe në vitin 2005 (pra kjo qeveri thotë që ka gatuar dy bukë, por miell ka marrë sa për një bukë?!! – mos harroni se u votua se akuzoi për korrupsion në dogana qeverinë Nano).
- Prandaj dhe duhen riparë me guxim, pjekuri, realizëm dhe ekspertizë elementë të ekonomisë që duan mbështetje për të kapërcyer situatën dhe të shmangen në maksimum politikat ekonomike populiste, që mund të të japin ndonjë votë sot, por të fundosin nesër. Më të goditurit dhe që kërkojnë më shumë mbështetje janë shtresat e varfra dhe me aftësi të kufizuara. Po kështu duhet parë dhe biznesi i vogël që gjykoj se veç sistemit të taksave ka nevojë edhe për politika aktive kreditimi, qoftë edhe duke u dhënë ca para nga buxheti sot, për ti mbajtur në këmbë për sot e për nesër. Kjo pasi kjo pjesë e biznesit stopohet më shumë nga kreditimi, por ndërkohë ka më shumë të punësuar dhe të vetëpunësuar. Në këtë kuadër do të duhet të rishihet edhe ulja e nivelit të deficitit buxhetor dhe të borxhit, për ti lënë hapësirë Bankës Qendrore të ulë normat e interesit të kredive, që të nxitet ekonomia, biznesi dhe konsumi. Por shumë para, por kur them shumë janë shumë para, do vijnë nga ulja e korrupsionit galopant të shpërndarë ngado e në çdo nivel. Por ndërkohë kosto më e madhe për ekonominë sot është kostoja e mosbesimit. Të gjitha pa përjashtim shohim, dëgjojmë e veprojmë në një skenar mosbesimi dhe kjo na lodh, na kushton, na prish jetën për sot e për nesër. PS me fitimin e zgjedhjeve duhet medoemos të kthejë besimin në popull.
Kanë dal zëra jo vetëm të politikanëve po dhe të ekspertëve të ekonomisë se qeveria e re e cila do të dalë nga zgjedhjet e qershorit do të gjej një buxhet të boshatisur dhe do ta ketë të vështirë qeverisjen. Mendoni dhe ju se PD po përdor një skenar grek në këtë pikë?
Këtë mendim e kam shprehur prej kohësh dhe sipas meje është futur në shtratin e realizimit nga qeveria. Çfarë skenari ju duket të marrësh një borxh tejet të lartë kur je në fund të mandatit (të harxhosh paratë për drekë inaugurimi, kur nuk ke siguruar paratë për ndërtimin e shtëpisë). Po të hartosh një buxhet me rritje 4% kur ekspertë vendas e të huaj të këshillojnë maturi, kur për 4 vite rresht ke dështuar me nivelin e rritjes ekonomike? Po çdo të thotë të ulësh çmimin e energjisë që KESH i shet CEZ, poshtë kostos së blerjes? (ka ndonjë që nuk e kupton që KESH po importon me humbje dhe me garancinë e qeverisë dhe që pas zgjedhjeve do jetë qeveria tjetër që do të duhet të shlyej kreditë dhe detyrime me qindra milionë euro që ka krijuar KESH, por nuk figurojnë në nivelin total të borxhit). Po konflikti me CEZ nuk është një minë me sahat e programuar për ti shpërthyer qeverisë që vjen pas zgjedhjeve? Sa skenarë të tillë po zhvillohen dhe përgatiten në prapaskenë me qëllimin e vetëm ogurzi për t’ja ngecur qeverisë që vjen për tu bërë antipopullore mundësisht që në ditët e para të jetës së saj dhe për t’ja shkurtuar ditët?
Kuptohet që mbetet detyrë e qeverisë pas zgjedhjeve të vlerësojë situatën dhe me vërtetim të fakteve të fillojë më vënien para përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, krahas masave për ndreqjen e situatës.
Shumë emigrantë kanë nisur të kthehen në Shqipëri duke krijuar kështu rritje të papunësisë por dhe ulje të të ardhurave. Keni një evidencë se sa do të jenë të ardhurat e emigrantëve për vitin 2013 dhe në çmasë do të ndikoj kjo në ekonominë e vendit?
Të ardhurat e emigrantëve për fatkeqësinë e tyre dhe tonën bashkë janë ulur ndjeshëm tashmë në këto 2-3 vitet e fundit. Uroj që viti 2013 të kthehet i mbarë për ekonomitë familjare të tyre në vendet ku janë. Nuk është se ka evidenca të sakta për kthimet, por dhe nuk dua të besoj se për numrin aktual janë kthyer në shqetësim serioz. Por ajo që dëshiroj të kujtoj është se dy vite më parë kam shkruar me shqetësim që qeveria nuk kishte as edhe një plan a përgatitje për të lehtësuar barrën shumëplanëshe të emigrantëve të kthyer. Po përgjithësisht gjykoj se shqiptarët i kanë njohur paaftësitë e qeverive të këtyre dy dekadave të fundit dhe fare rrallë u janë drejtuar qeverive me revoltë për punësim, mbështetje sociale etj.
Qeveria këto kohë është ndjerë në vështirësi të mëdha edhe me kompaninë çeke CEZ Shpërndarje. Në situatën ku ndodhemi është më mirë që ti hiqet licenca apo të vazhdoj të jetë prezentë në Shqipëri?
Nuk është kaq e lehtë të shprehemi për t’i hequr licencën një biznesi, për më tepër një biznesi të huaj dhe me kaq peshë në jetën ekonomike të vendit. Dëshiroj të jem gabim, por nëse do të ndodhë që vërtet të ballafaqohemi me CEZ në gjyqe e arbitrazhe ndërkombëtare, si në shumë e shumë raste të tjera do të dalim duarbosh dhe të humbur (edhe një herë uroj të kundërtën, por duke njohur qeveritarët tanë kokorroç e kapadainj anoj nga humbja e gjyqit nga qeveria). Por nuk është vetëm humbja e gjyqit dhe pagesa e gjobave e dëmeve që do t’na duhet ti paguajmë (flasim për shuma me qindra milionë euro), unë, ti dhe gjithë shtetasit shqiptar dhe asnjeri nga qeveritarët që na fusin në rrugë pa krye, por shqetësimi shkon në vite. Kjo pasi sjellja brutale dhe antiligjore (nëse vërtetohet) përkeqëson reputacionin dhe klimën e biznesit të vendit dhe step investitorët e huaj potencial. Kjo është dhe një tjetër e keqe edhe më e madhe do të thoja, që shkon në shtesë të përgjigjes për skenarin grek për ekonominë shqiptare.
Në 10 vitet fundit profesor kemi katër privatizime të mëdha. Është Banka e Kursimeve dhe Albtelekom në qeverisjen socialiste dhe CEZ dhe Albpetrol në qeverisjen demokrate. Në gjykimin tuaj cilat janë arsyet që dy të para dolën të suksesshme dhe dy të fundit janë fare pranë dështimit?
Mund të zgjatesha shumë me arsyetime dhe analiza të këtyre privatizimeve dhe privatizimeve në tërësi në Shqipëri. Por do ndalem shkurt në disa momente. Kam qenë partizan i hershëm i privatizimeve, që në fillimet e tranzicionit, me mendime, sugjerime e veprime konkrete. Nuk mund të them që Banka e Kursimeve dhe Albtelekomi janë privatizuar pa probleme, por kur na dalin përpara si lugat këto privatizimet e Albpetrolit dhe CEZ themi të gjithë ku paskemi qenë, sa mirë paskan qenë ato. Kështu shkojnë privatizimet – në dështim – nëse nuk parapërgatiten me kujdes, nuk është qëllim i vetëm heqja qafe por gjetja e blerësit më të mirë, duhet kujdes i shumëfishtë në proces kur privatizohet në kohë krize dhe blerësit janë të paktë. Por problemi kryesor është korrupsioni.
Gjithkush kujton faktin bazë përse erdhi në pushtet PD në zgjedhjet e vitit 2005 – luftën kundër korrupsionit. Sot, pas 8 vitesh a mund të përmendet qoftë edhe një zyrtar i lartë i qeverisë socialiste, që u akuzua dhe ju dha drejtësisë? Asnjë. Sot korrupsioni është edhe më i përhapur dhe shumë më i thellë, jo vetëm sipas opozitës, por edhe organizmave të specializuara ndërkombëtare, kuptohet dhe nga vuajtësit e tij – qytetarëve të thjeshtë. PS, së bashku me premtimin për luftën ndaj korrupsionit të zyrtarëve të saj, kur të marrë pushtetin, duhet të zotohet dhe të krijojë bindjen në publikun e gjerë se do të verë përpara përgjegjësisë fajtorët e kësaj gjendjeje. Qytetarët janë tashmë të dërrmuar me mbajtjen mbi supe të mendimit gërryes që askush nuk e ka patur seriozisht me luftën kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Dhe për dijeninë e kujtdo lufta serioze kundër korrupsionit është ndoshta sot çliruesi më i madh i energjive dhe kostove që mban padrejtësisht mbi supe ekonomia e brishtë shqiptare. Një luftë serioze ndaj korrupsionit i jep çdo qeveria çdo vit dhjetëra e dhjetëra miliardë lekë, duke e bërë qeveri të suksesshme dhe të denjë në historinë e shumë shekujve të shtetit shqiptar.