Sulmuesi në bisedime me Leh Poznan, rival i Polonias në kampionat, klubi i vë çmimin 400 mijë euro
Edgar Çani mund të qëndrojë në Poloni për pjesën e mbetur të sezonit, duke u transferuar te Leh Poznan. Sulmuesi shqiptar do të largohet nga Polonia e Varshavës gjatë merkatos së dimrit, pasi marrëdhëniet e tij me klubin tashmë janë prishur përfundimisht. Për të ka interesim nga klube të huaja, midis tyre edhe nga Katania në Itali dhe në Gjermani. Largim nga vendi lindor është parë si opsioni më i mundshëm për Çanin, për një numër arsyesh. Pikë së pari, Polonia e Varshavës nuk do të donte të forconte ndonjë rival direkt, pasi Çani ka qenë një nga sulmuesit më të mirë në sezonin e kaluar. Por, veç kësaj, acarimi i tepruar i marrëdhënieve ka shkaktuar edhe një prishje të madhe të imazhit të lojtarit, që tashmë shihet si një rebel i përhershëm. Kjo e bën të vështirë që atë ta marrë dikush tjetër, ndërkohë që edhe kriza ekonomike bën të vetën. Megjithatë, pikërisht nga Polonia është një klub që ka lëvizur me hapa konkretë për të marrë sulmuesin shqiptar, i dënuar të luajë me skuadrën e dytë të klubit, pas incidentit në përfundim të ndeshjes me Belçatovin, në tetor.
Çani është parë në stadiumin e Poznanit, ku ka ndjekur ndeshjen e Lehut dhe është në bisedime me këtë skuadër. Ai gjithashtu i ka kërkuar lejen e largimit presidentit Ireneush Krol dhe ky i fundit i ka ripërsëritur se do ta lejojë të largohet në janar, veçse jo falas. Mësohet se klubi i ka vënë Çanit një “etiketë” prej 400 mijë eurosh. Nuk dihet nëse Leh Poznan do të jetë i gatshëm ta paguajë një shifër të tillë, ndërkohë që nuk dihet as gatishmëria e Plonias për ta shitur Çanin te një skuadër rivale. Aktualisht, Polonia mban vendin e dytë në renditje, ndërsa Leh të tretin, me vetëm një pikë më pak. Megjithatë, nga klube të huaja kjo shifër është plotësisht e përballueshme dhe normale. Lojtari është vetëm 23 vjeç dhe ka qenë i suksesshëm në kampionatin polak, i cili ndiqet me vëmendje të madhe nga klubet e huaja, sidomos ato gjermane.
Historia e ndarjes
Edgar Çani, futbollisti dhe shënuesi më i mirë i Polonias në sezonin e kaluar, u largua nga klubi në maj dhe e deklaroi të prishur kontratën, për shkak se nuk ishte paguar nga presidenti i atëhershëm. Presidenti i ri, i zgjedhur në korrik, arriti ta bindte Çanin të kthehej në skuadër, me premtimin se do ta shiste në janar, me qëllim që edhe klubi të përfitonte. Por, ikja në ditë të këqija për klubin dhe kthimi kur gjithçka ishte rregulluar, solli humor të keq te shokët e skuadrës, të cilët përfundimisht nuk e duan më Çanin. Kulmi ishte në ndeshjen me Belçatovin, kur Çani hyri në minutën e fundit dhe fitoi një penallti, të cilën donte ta gjuante vetë, për t’u zhbllokuar. Edhe pse Polonia fitonte 4-0 dhe shënimi i penalltisë nuk kishte rëndësi, gjuajtësi i rregullt, Brzesky, nuk e lejoi të gjuante shqiptarin, me justifikimin se ai ishte i ngarkuar nga trajneri. Çani përdori fjalë fyese ndaj shokut të skuadrës dhe stafit teknik pas ndeshjes, çka bëri që trajneri ta zbriste nga autobusi i skuadrës e më pas ta dërgonte në ekipin e dytë deri në fund të këtij viti. Përtej gabimit të lojtarit, i cili nuk mbajti nervat, ishte një gjest aspak normal nga ana e shokut të skuadrës, pasi kudo ndodh që penalltitë i jepen të gjuhen një sulmuesi që ka nevojë për një gol për t’u zhbllokuar. Disa ditë më parë, nga Polonia është ngritur pretendimi se Çani i ka kushtuar 2 milionë zlloti, me rrogat e shpërblimet deri tani. Në rast se e shet 400 mijë euro, atëherë klubi do të marrë mbrapsht pothuajse plotësisht ato që i ka paguar Çanit.
400 mijë
Euro është çmimi që i ka vënë Çanit Polonia e Varshavës. Një shifër e tillë mbulon pothuajse gjithë shpenzimet e klubit për sulmuesin shqiptar, për të cilin pretendon se i ka kushtuar 2 milionë zlloti