Sulmuesi është i shtrenjtë për klubet polake dhe i pëlqen oferta zvicerane
Edgar Çani ka shumë mundësi që të luajë për një ndër klubet e njohura zvicerane, duke filluar që nga janari i vitit 2013. Media polake njofton se sulmuesi është joshur nga ideja se mund të luajë titullar në një klub të mirë perëndimor dhe se ofertat financiare, të cilat kanë mbërritur nga helvetët kanë qenë tunduese. Ai nuk ka gjetur akord me asnjë prej klubeve polake që interesoheshin për shërbimet e tij. Leh Poznan dhe Legia e Varshavës kishin shprehur dëshirën për të marrë shërbimet e sulmuesit dhe, kur kishin gjetur akordin me Polonian, ka qenë ai që ka refuzuar. Sipas sitit warszawa.sport.pl, Çani ka kërkuar një pagë vjetore prej 400 mijë eurosh, çka i ka bërë klubet që të heqin dorë nga sulmuesi i Shqipërisë. Aktualisht për të kanë mbërritur kërkesa vetëm nga klube zvicerane, por emrat e skuadrave nuk bëhen publike. Një opsion për sulmuesin shtatlartë është edhe rikthimi në Itali. Ndër skuadrat e Serisë A interesohet Katania, por ka pasur një interesim të madh edhe nga klube me emër të Serisë B. Çani nuk dëshiron që të luajë në Serinë B, duke qenë se tani është në fazën e ngjitjes së shkallëve në karrierë dhe kërkon që të luajë në nivele të larta.