Klubi nuk dëshiron të forcojë rivalët në kampionat
Edgar Çani mund të largohet nga Polonia e Varshavës vetëm nëse gjen një klub jashtë Polonisë. Ky është vendimi i marrë nga trajneri i klubit të kryeqytetit, Ireneush Krol. Sulmuesin shqiptar e kërkon Leh Poznan, por Krol nuk dëshiron të forcojë një rival direkt në kampionat, pasi dy skuadrat renditen në treshen e parë. Vendimi i klubit është publikuar në faqen zyrtare të tij në internet. Në këtë mënyrë, Çani duhet të gjejë një skuadër jashtë Polonisë, njëkohësisht të gatshme të paguajë 400 mijë euro për të. Aktualisht, ai është lojtari më i paguar i Polonias së Varshavës, me rreth 30 mijë euro në muaj dhe presidenti dëshiron të reduktojë shpenzimet, aq më tepër që Çani është bërë një person i padëshirueshëm tani edhe për tifozët. Pas interesimit nga klube gjermane dhe italiane, flitet edhe për klube nga Ukraina që po vëzhgojnë sulmuesin kuqezi.