Komisioni parlamentar i Ekonomisë mori dje në shqyrtim marrëveshjen e huasë me BERZH-in për politikën e zhvillimit për financat publike. Në këtë komision raportoi ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili tha se: “Shqipëria ka nevojë për asistencë dhe paratë e marra hua shkojnë në buxhet. Qëllimi i akordimit të kësaj huaje është mbështetja e reformave për përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale të Shqipërisë nëpërmjet fuqizimit të menaxhimit të financave publike në trajtimin e detyrimeve të prapambetura, si dhe me anë të reformave në sektorin e taksave, pensioneve dhe energjisë me qëllim mbështetjen e stabilitetit makrofiskal”, tha kreu i Financave. Sipas tij politikat e mbështetura nga kjo hua pritet të kenë një ndikim pozitiv mbi rritjen ekonomike në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. “Në përgjithësi, reformat e mbështetura nëpërmjet saj do të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve të reduktimit të varfërisë dhe të mirëqenies së përbashkët, duke siguruar një bazë për stabilitet makroekonomik dhe fiskal, i cili është një kusht i domosdoshëm për një model të qëndrueshëm të rritjes dhe, për pasojë, për zvogëlimin e varfërisë, dhe mirëqenies së përbashkët. Po ashtu duke përmirësuar qëndrueshmërinë fiskale në mënyrë që përfitimet në uljen e varfërisë dhe arritjet në rritjen e mirëqenies së përbashkët të mbështeten në të ardhmen dhe të mos rëndojnë në mirëqenien e gjeneratave të ardhshme”, tha Cani.
Si do të përdoren 160 mln euro të BB
Marrëveshjet e kredisë 160 milion euro që shteti shqiptar ka nënshkruar me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore, do të ratifikohen nga Kuvendi këtë javë. Huatë do të financojnë dy projekte kryesore, të cilat duhet të realizohen deri në fund të vitit të ardhshëm. Marrëveshja e parë e kredisë së është ajo në vlerë 87 milionë euro. Kjo kredi do të përdoret për mbështetjen e reformave për përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale të Shqipërisë nëpërmjet fuqizimit të menaxhimit të financave publike në trajtimin e detyrimeve të prapambetura, si dhe me anë të reformave në sektorin e taksave, pensioneve dhe energjisë, me qëllim mbështetjen e stabilitetit makrofiskal. Ndërsa kredia tjetër, në vlerë 72.6 milionë euro do të përdoret për modernizimin e sektorit financiar, kryesisht duke u përqëndruar në tre drejtime; në forcimin e aspektit rregullator e mbikëqyrëse të sektorit privat, në përshpejtimin e zgjidhjes për kreditë e këqija dhe në në forcimin e aspektit rregullator dhe mbikëqyrës për institucionet financiare jobankare. Ky program do të realizohet deri më 30 Qershor të vitit 2015. Këto hua, që sëbashku arrijnë vlerën rreth 160 milion euro, kanë një periudhë maturiteti 23 vite. Për shtatë vitet e para nuk do të paguhet interes. Ky fond kredie i shtohet atij prej 330 milionë euro të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
