Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicolas Cannon thotë se zgjedhjet e lira kanë një rol vendimtar në integrimin e vendit. Në një konferencë për integrimin, Cannon theksoi se tri ligjet e kërkuara nga Brukseli për marrjen e statusit kandidat janë vetëm një pjesë e vogël e atyre që duhet të përmbushë Shqipëria për procesin e integrimit.
“Tre ligjet nuk kanë rëndësi për integrimin, pasi shikoj se janë kthyer në një çështje thelbësore. Procesi i integrimit është shumë i gjatë që do të duhen vite dhe këto 3 ligje janë vetëm tre tulla në atë masë që duhet të ndërtohet për integrimin. Por duhet të krijohen kushtet që këto ligje të miratohen”, tha Cannon.
Diplomati britanik tha më tej se zgjedhjet e ndershme në qershor do të jenë një shtysë drejt integrimit, në të kundërt, ato do ta kthejnë vendin mbrapa.
“Nëse zgjedhjet në qershor mbahen në rrethanat më të mira, kjo do t’i japë një shtysë të re dhe pozitive procesit te pranimit të Shqipërisë. Anasjelltas, zgjedhjet që perceptohen nga Shtetet Anëtare, si të dyshimta do ta kthejnë procesin prapa në vite”, tha Cannon.
