Pas refuzimit të Roberto Mancini-t, edhe Fabio Capello dhe Claudio Ranieri hedhin poshtë mundësinë që të marrin drejtimin e përfaqësueses italiane.
Dy trajnerët e mirënjohur ishin mes kandidatëve, edhe pse nuk cilësoheshin si favoritë, për të zëvendësuar Antonio Conte-n në fund të Euro 2016.
Capello e nxorri veten nga gara për stolin e të kaltërve, duke deklaruar që pavarësisht se ndihet krenar për faktin që ishte mes alternativave, nuk dëshiron më të punojë në një ekip përfaqësues.
“Kam eksperienca duke drejtuar Anglinë dhe Rusinë, por nuk dua të punoj më me ekipet Kombëtare. Nëse do të kisha oferta për të punuar përditë me një skuadër do të pranoja”.
Capello nuk punojn prej vitit 2015, kur i dha fund bashkëpunimit me Federatën Ruse. Këtij qëndrimi i është bashkuar edhe Claudio Ranieri, i cili deklaroi se ëndërron të vazhdojë punën te Leicester edhe për 6-7 vjet të tjerë, përpara se të dalë në pension.
Kaq mjaftoi që klubi surprizë në këtë sezon në kampionatin anglez të përgatitet për ti ofruar trajnerit rinovimin e kontratës, e cila përfundon në vitin 2018. Sipas mediave britanike, drejtuesit e Dhelpërave janë gati ti ofrojnë një kontratë të re, pasi në marrëveshjen aktuale ekziston një klauzolë, sipas të cilës Ranieri mund të largohet, në rast të ofertave nga klubet e mëdha europiane.
