Dhuna e tifozëve në shkallët e stadiumit i vë një tjetër njollë të zezë futbollit europian pas ngjarjeje të Beogradit, ku u dhunua kombëtarja shqiptare. Dhe ndoshta jo rastësisht episodi i radhës ndodhi në Ballkan, pikërisht në stadiumin e Podgoricës.
Ndeshja Mali i Zi – Rusi e vlefshme për grupin G eliminator të Euro 2016 u ndërpre përfundimisht në minutën e 66-të për shkak të hedhjes së mjeteve ndezëse në fushë nga e ana e tifozëve vendas, të cilët në fakt e kishin detyruar gjyqtarin e garës që ta ndërpriste përkohësisht takimin ende pa u luajtur një minutë lojë, pasi portieri i Rusisë, Akinfeev, u godit nga një flakadan i hedhur nga tifozët e vendosur pas portës.
Ky episod shkaktoi ndërprerjen e lojës për 35 minuta, ndërsa Akinfeev nuk u kthye më në fushë, pasi u dërgua në spital për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Mirëpo në minutën e 66-të në momentin kur Shirokov i Rusisë humbi një 11-metërsh, shpërtheu një zënkë në fushë mes futbollistëve të të dyja skuadrave, çka u pasua me hedhjen e mjeteve ndezëse nga tifozët, duke e detyruar arbitrin ta ndërpriste përfundimisht lojën.
Për ngjarjen në fjalë trajneri i Rusisë, Fabio Capello nuk i kurseu kritikat në drejtim të zyrtarëve të ndeshjes, që sipas tij duhet ta kishin ndërprerë përfundimisht sfidën në momentin e goditjes së Akinfeev: “Kjo ndeshje nuk duhet të kishte rinisur që kur ndodhi incidenti i parë.
Gjithsesi ne e vijuam takimin deri në çastin kur u mor vendimi i duhur për ta ndërprerë përfundimisht. Delegati i UEFA-s ka të drejtë ta ndërpresë sfidën, jo arbitri. Për sa i përket futbollit të luajtur, mendoj se skuadra ime zhvilloi një lojë të mirë, por nuk mundi të shënonte”.
Nga ana tjetër trajneri i Malit të Zi, Branko Brnovic, u kërkoi falje futbollistëve rusë dhe homologut të tij, Capello, për gjithçka ndodhi në Podgoricë. Sipas tij, vendimi për ta ndërprerë përfundimisht lojën, ishte i drejtë.
Tashmë kjo ndeshje do të merret në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, që sipas të gjitha gjasave do të ndëshkojë Malin e Zi duke i dhënë tri pikët në tavolinë Rusisë.

Te henen do te shihet edhe njehere hipokrizia e Platinovic.