I dashur lexues! Mali i Thatë ndodhet në kufirin e rrethit të Korçës me atë të Pogradecit, me lartësi 2287 metra në pllajën e Pusit. Shtrihet midis dy liqeneve, Ohrit dhe Prespës së Madhe (në lindje) dhe fushës së Korçës në perëndim. Vazhdon edhe jashtë kufirit, drejt Maqedonisë, me emrin Galiçiça. Mali i Thatë ka trajtë antiklinali dhe përbëhet gati tërësisht nga formacione gëlqerore të mesozoit. Sidomos nga perëndimi ka shpate të thepisura, kurse në kreshtë ka sipërfaqe të sheshta, të mbushura me gropa të shumta karstike. Pikërisht në rrëzën perëndimore të Malit të Thatë dalin burime të shumta karstike si Driloni, Tushemishti etj. Bimësia përbëhet kryesisht nga kullota alpine, dhe në lindje ka edhe pyje ahu, dushku e shkurre.
