Ç’domethënë lider karizmatik

redaktor

Mospranimi dhe ndëshkimi i kultit të individit nuk do të thotë kurrsesi mohim i vlerave të personaliteteve në fusha të ndryshme, kryesisht në politikë. Autoriteti i tyre ndikon jo rrallë në mënyrë vendimtare në ecurinë e ngjarjeve dhe në zhvillimet shumëplanëshe në shoqëri, brendapërbrenda një shteti dhe më gjerë.

“Me autoritet kuptoj cilësitë e mençurisë, drejtësisë, mirësjelljes, guximit dhe rreptësisë nga ana e komandantit. Me ndikim moral kuptoj harmoninë ndërmjet popullit e udhëheqësve të tij, duke i bërë këta të ecin në gjurmët e popullit deri në vdekje, pa pasur frikë se rrezikojnë jetën”, shprehej Sun Cu, autori i tekstit aziatik “Arti i luftës” (Shtëpia Botuese Antet, Bukuresht, 2000).

Gjatë historisë, lloje të ndryshme shoqërish janë marrë seriozisht me ndikimin e ushtruar nga njerëz të pajisur me aftësi për të bërë me vete popujt.

“Shkenca e drejtimit është e njëjta pavarësisht nga koha dhe hapësira. Kohët ndryshojnë. Teknologjia përparon. Kulturat janë të ndryshme. Por parimet e shkencës janë të njëjta kudo, që nga grekët e lashtë, në Dhiatën e Vjetër, deri në ushtritë e dyqind vjetët e fundit e në liderët e Evropës moderne, në priftërinjtë e kishave vendore apo në biznesmenët që kanë në dorë ekonominë botërore” shkruan Xhejms Maksuelli në librin “Njëzet e një ligjet e epërme të liderit” (Shtëpia Botuese Amaltea, Bukuresht, 2002).

Në fillimshekullin XX, falë Maks Veberit, sociologjia rizbuloi vlerën karizmatike të personaliteteve të shquar. Tashmë lideri karizmatik është një realitet i shoqërisë bashkëkohore, i pranishëm në të gjitha hallkat e saj. Lideri është individualitet që zotëron një numur mbresëlënës cilësish. “Karizmi është konceptuar në dritën e disa atributeve superlative, nganjëherë kundërthënëse, si: paraqitja e jashtme, prania gjithkund, aureola, joshja, siguria, zgjuarësia, ngrohtësia, energjia, forca tërheqëse, aftësia bindëse, talenti në gojtari, simpatia, guximi” ve në dukje psikologu politik Aleksandër Dorna në vëllimin e vet “Lideri karizmatik” (Shtëpia Botuese Corint, Bukuresht, 2004).

Edhe sociologu Serzh Moskoviç mendon se kjo karizmë “ i jep zotëruesit notën e një vlere të jashtëzakonshme, por, në të njëjtën kohë, edhe damkën e kapërcimit të masës” (Epoka e masave, Instituti Evropean, Jash, 2001).

Sipas Moskoviçit, lideri karizmatik është hipnotizues i vërtetë, “mjeshtër i vëzhgimit dhe artist i syve, si mjete të mirëfilltë sugjestionues”. Në vazhdim, ky sociolog francez është i bindur se prestigji përfaqëson një tip “fuqie hipnotizuese”, ndërsa ata që e zotërojnë këtë janë “të aftë të sugjestionojnë masat”. Prestigji është, pra, “një fuqi e mistershme, një lloj magjie që çon në admirim dhe respekt”, duke i dhënë zotëruesit mundësinë për “një ngjitje të pandalshme”.

Aleksandër Dorna shkon më tej dhe zbulon një nuancë në dukje pa rëndësi të liderit karizmatik, sidomos në sferën politike, pikërisht “obsesionin për t’u bërë i pëlqyeshëm”. Duke qenë joshës i mirëfilltë, lideri mund të bëhet një “Don Zhuan politik”.

“Njeriu, popullariteti dhe fama e të cilit mbështetet në joshje, vendos një marrëdhënie të mahnitshme tërheqëse me njerëzit që e rrethojnë. Ndikimit të tij nuk i shpëton askush. Nga ana tjetër, lideri karizmatik ka kthjelltësinë dhe pragmatizmin për të ndjekur pikësynimet e veta. Edhe nëse afeksioni në marrëdhëniet me njerëzit përfaqëson atu-në e tij kryesore, ai nuk e le veten të verbohet nga narcizizmi” (po aty).

Lideri ushtron mbi të tjerët një dominim emocional përmes përqendrimit të afeksionit kolektiv mbi veten. Është fjala për një shkëmbim të ndërsjellë me leverdi: ai shfrytëzon afeksionin, ndërsa grupi social i beson atij përgjegjësira.

“Admirimi që lideri ngjall është rrjedhojë e marrëdhënieve pothuajse intime që i zhvillon me idhtarët r tij. Jo pa përpjekje, aureola karizmatike ushqehet nga admirimi dhe nënshtrimi i masave” (idem). “Falë intuitës së tij sociale, lideri tregohet i aftë të tërheqë mbi vete afeksionin e njerëzve”, të cilët i japin mundësi të marrë “vendime të frytshme”, për “t’ua rikthyer besimin njerëzve” dhe për “të inkurajuar dëshirat e veta të fshehta” (idem).

Personat karizmatikë u pëlqejnë të gjithëve sepse ia dalin mbanë me lehtësi të krijojnë iluzionin e një sjelljeje prej pjesëtari familjeje të secilit.

“Lideri karizmatik i shpalos cilësitë e veta kryesore me anën e mënyrës se si i trajton të tjerët, të njohur ose të panjohur qofshin. Ai është i zoti ta bëjë të pasurin apo të varfrin të ndjehet njëlloj mirë. Ai vendos me të gjithë një kontakt qetësues brenda një kohe shumë të shkurtër” (idem). Ky, shton Dorna, është “efekti joshës” i liderit. Përtej lojës aktoreske, ai fut në punë “spontaneitetin e një krijese të orientuar drejt të tjerëve”.

Në rrafsh psiko-social, ky imazh i liderit ka “efekt antidepresiv”, ngjall shpresë dhe sugjestionon.

Ku konsiston forca joshëse e pandalshme e personaliteteve të shquara?

Lideri karizmatik veçorizohet nga një dinamizëm ngjitës dhe provokon një forcë magnetike të pamposhtur, për të cilën është i vetëdijshëm ngaqë i merr me mend me nuhatje reagimet emocionale të të tjerëve. Praktikisht, ai ka aftësinë t’i dominojë emocionalisht masat sepse zotëron një “formë njohjeje” të veçantë, atë të “kontrollit të emocioneve vetjake, duke rrezatuar njëherazi emocione të fuqishme rretheqark”. Këtë Xhejms Maksuelli e quan “Ligj i Koneksionit”. Ky i fundit ka të bëjë me faktin që liderët e suksesshëm dinë që, para se të kërkosh ndihmën apo votën e njerëzve, duhet t’ua prekësh telat e zemrës. Të gjithë gojtarët e mëdhenj e njohin këtë të vërtetë dhe veprojnë instinktivisht në këtë drejtim. Pra, që njerëzit të veprojnë në dobi të liderit, ky duhet t’i emocionojë. Zemra vjen përpara dorës (së ndihmës).

Me rëndësi të veçantë është përshtypja e mbajtësit të fuqisë që udhëheqësi duhet t’u krijojë njerëzve.

“Të gjitha përvojat karizmatike nënvizojnë një veçori madhore: lideri nuk ka ndonjë shkop magjik vetjak, por zotëron aftësinë për ta shndrruar ëndrrën në autoritet, pritshmëritë në pushtet, fjalën në fakte” (Aleksandër Dorna, v. cit.). Ky “leadership” përbën një energji transformuese, që dallohet sidomos për fuqinë e madhe frymëzuese, për një qëndrim që synon mbajtjen parasysh dhe këshillimin me njerëzit dhe në veçanti entusiazmin e argumentuar.

Edhe në mjedisn ekonomik efekti është i ngjashëm.

Kur lideri arrin të vendosë një lidhje të qëndrueshme me njerëzit, rezultatet do të shihen në mënyrën se si do t’i shkojnë punët. Dhe kjo varet se sa të përkushtuar dhe besnikë do të jenë bashkëpunëtorët e liderit. Vizioni i liderit mund të njësohet me aspiratat e njerëzve dhe impakti në këtë rast është i jashtëzakonshëm.

Në mbyllje duhet të vemë në dukje rëndësinë e faktit që lideri të jetë mjeshtër i “dialogut karizmatik”, sekreti i të cilit nuk është thjesht teknika, por komunikimi afektiv që ia del mbanë ta realizojë përmes fjalës.

Cilësitë e mësipërme i gjejmë edhe në personalitetet e politikës sonë, të të dy krahëve. Pavarësisht se ata kanë ndryshime nga njëri-tjetri, ajo që i bashkon është performanca, por dhe prestigji.

Këtu ia vlen të tërheqim vëmendjen tek nevoja e mosimitimit, moskopjimit të njëri-tjetrit. Sidomos në politikë, plagjiatura në stil shoqërohet me humbje pikësh. Ja ndonjë shembull. Enver Hoxhës i kishte lezet kur hynte në valle dhe luante me fëmijët. Këtë u përpoq ta bënte më pas edhe Ramiz Alia, por pa sukses. Sali Berishës, me pamjen burrërore dhe temperamentin sanguin-kolerik i shkon ngritja e zërit edhe mbi pentagram. Por një gjë e tillë nuk i përshtatet Lulzim Bashës, paraqitja elegante e të cilit kërkon një regjistër zanor krejt tjetër. Le pastaj kontrasti që bën hijeshia fizike, eleganca femërore e Jozefina Topallit, me tonin prej komandanti ushtarak që përdor vend e pa vend në çdo kuvend! Ilir Meta, me të folmen e qetë, rrezaton mençuri dhe modesti, ndërsa Edi Rama arrin të tërheqë vëmendjen e atyre që e ndjekin kur flet, për shkak të stilit të shkathët e gjuhës së zhdërvjelltë me të cilin shpalos bindje dhe erudicion. Por përpjekjet që bëjnë disa idhtarë të tij “me grada” për ta imituar, janë të dështuara.

Origjinaliteti në komunikimin me njerëzit, ngrohtësia dhe buzëqeshja e çiltër e avokatit Idajet Beqiri përligj natyrshëm guximin me të cilin mbron pikëpamjet e veta politike.

Dhe mund të vazhdonim me shëmbujt.

Share This Article
4 Comments
  • Lider politik karizmatik eshte absolutisht vetem nje lloj ; Lideri Nacionalist! Lideri qe ne politike percon vetem deshiren popullore kombetare! Pa u ndikuar fare nga rrethana e konjoktura, edhe sikur ti kete kundra gjithe boten. Mjafton te kete parasysh kurdohete te ruaj vendin e popullin e tij nga globalizmi idiot qe ka pushtuar politiken e sotme miope globale liberale ( anarkine e lire ), qe synon te infektoje te gjithe me kete anarki duke bere presion me etiketime si Nacionalist, Antiglobalist, Ekstremist! Lider karizmatik eshte ai qe nuk ka frike nga ikja nga pushteti me nder se sa te rrije me turp e planc ne koke vetem duke lepire bythen e teveqeleve globaliste te politikes sotme pseudo-demokratike anarkike!

    • Lideri karizmatik ne oergjithesi jane eruditet

      Nqs ti je erudit atehere ti direkt behesh karizmatik dhe terheqe per te tjeret sepse duke ju dhene pergjigje per gjutheshka , ata jane te detyruar te te degjojne

      Mirpo duke degjuar tjetrin per cdo pyetje qe ti i ben dhe kur ai esht bindes ne ato qe thote sepse pervec njohuri e te thelka ka edhe arsyetimin me common sens ne shkalle te larte , gje qe e ben tjetrin te bindet
      Nga politikanet shqiptare Sala esht karizmatik

      Ne fakt esht interesant se kjo fjala Karizmatik , vjen nga lashtesia Homerike dhe pikerisht nga Helena e Trojes

      Sepse Heleba quhej nga populli i Mikenes ,Helena Karista

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *