Të gjithë treguesit makro dhe mikroekonomikë flasin, madje gërthasin fort se kemi ngecur, Mrekullia, bumi ekonomik shqiptar është shkrirë si bora në diell. Tashmë avantazhet e ekonomisë shqiptare të tre-katër viteve më pare, kur edhe filloi kriza aktuale globale, në raport me vendet e rajonit (integrimi i pamjaftueshëm me ekonominë Evropiane dhe globale, etj) nuk janë më të pranishme. Në të kundërt, shpenzimet e rritura qeveritare, për shkak të investimeve zgjedhore, të shprehura në nivelin e rritur të borxhit publik, nuk lejojnë shumë hapësirë menaxhimi publik, gjë që nuk është rasti për vendet që na rrethojnë. Ekonomia shqiptare gjendet e ngecur në cektinën që ia ka prodhuar qeveria jonë, me një politikë ekonomike jo parashikuese dhe krejtësisht populiste. Këtu nuk është aspak vendi i kujtdo euforie qeveritare për gjoja paprekshmërinë apo shpëtimin e vendit tonë nga kriza e recensioni ekonomik. Sa i takon efekteve apo shtrirjes së krizës, askush nuk duhet të vejë në dyshim faktin se kriza prek në mënyrë të njëkohshme të gjithë vepruesit ekonomikë: qeverinë, biznesin dhe qytetarët. Bizneset po përballen me kosto më të lartë të parave në banka, vështirësi në shitjen e mallrave dhe shërbimeve që ofrojnë, humbje të tregjeve dhe nevojën e riorientimit të tyre, rënie të normës së fitimit dhe në mjaft raste edhe me falimentimin. Ndërsa situata e sotme e ekonomisë shqiptare, duke përfshirë edhe parashikimet kontradiktore të rritjes ekonomike: tejet optimiste nga ana e qeverisë dhe përherë e më realiste por fatkeqësisht në nivele nën 2 përqind nga institucionet e specializuara ndërkombëtare (Banka Botërore flet për rritje vetëm 1.1 përqind këtë vit, ndërsa FMN është edhe më konservative, parashikon rritje 0.78 përqind), mund të konsiderohet pa frikë si një stanjacion ekonomik, d.m.th. një hap larg recensionit dhe pasojave të frikshme të tij. Kur flasim për stanjacion, vendnumëro, ngecje nuk nisemi thjesht nga përkufizimi i kësaj dukurie që shfaqet në jetën ekonomike të një apo disa vendeve, si ‘një periudhë kur ekonomia rritet me një ritëm ekstremisht të ulët dhe shkon drejt recensionit’. Në teorinë ekonomike, por edhe në përvojën e vendeve të ndryshme, gjatë stanjacionit, pamundësohet hapja e vendeve të reja të punës dhe nuk shënohet rritje e pagave. Edhe në rrethet e analistëve të ekonomisë pranohet gjerësisht se një rritje ekonomike prej 2-3 përqind është tregues i shfaqjes së kësaj dukurie ekonomike. Ekonomitë problematike (sikurse janë ato greke dhe italiane kohët e fundit shumë të lidhura me ekonominë tonë) përcjellin sinjale negative në tregjet ndërkombëtare të borxheve, duke vështirësuar huamarrjen në tregun ndërkombëtar dhe rritje të normës së interesit dhe për borxhin publik shqiptar. Praktikisht , duke na shtuar koston e borxhit. Zhvillimet e fundit në ekonomitë e Greqisë dhe Italisë nuk mund të mos influencojnë në përkeqësimin e situatës në ekonominë tonë kombëtare, ndonëse kanalet e transmetimit të krizës mbeten po ato: rënia e mëtejshme e prurjeve monetare të emigrantëve, pamundësim i punësimit sezonal (kryesisht në Greqi), vështirësimi i statusit të shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në vendet perëndimore. Dhe nëse situata rëndohet më tej, duke përfshirë edhe implikimet politike të rrymave nacionaliste e raciste (p.sh. në Greqi) apo gjendja e paqartë postzgjedhore në Itali, këto mund të nxisin një rikthim në shkallë relativisht të gjerë të emigrantëve drejt Shqipërisë. Në koston e lartë të borxhit publik shqiptar ka ndikuar edhe politika monetare e ndjekur tek ne, mbasi normat e larta të interesave për huatë bankare kanë lejuar për rrjedhojë edhe nivel të lartë të normës së fitimit të bonove të thesarit. Sektori bankar shqiptar, në më shumë se një herë, ka shfaqur shenja të mungesës së konkurrencës e ndoshta edhe elementë të shkeljes së konkurrencës ndërmjet tyre. Të gjithë këta tregues, të mbledhur së bashku, po prodhojnë cektinën dhe ngecjen më të gjatë ekonomike në historinë e tranzicionit shqiptar.