Kompania “CEZ Shpërndarje” reagoi në lidhje me situatën e krijuar, pas vendimit për ndërprerjen e energjisë për ujësjellësit, zbatimi i të cilit la pa ujë disa qytete. Në një konferencë për shtyp, drejtori i përgjithshëm i “CEZ Albania”, Jaroslav Macek, nuk dha asnjë shpjegim në lidhje me situatën e krijuar një ditë më parë, apo për vendimin e Entit Rregullator për nisjen e procedurave për heqjen e licencës së kompanisë. Ai u ndal kryesisht në ndalimin e punonjësve të CEZ-it nga policia, duke theksuar se kjo përbën një shkelje flagrante të ligjit. “Punonjësit tanë kanë punuar në përputhje me detyrën e tyre funksionale, për ndërprerjen e energjisë për institucionet debitore. Duam të theksojmë se kompania mbështet plotësisht punonjësit e ndaluar dhe familjarët e tyre në të gjitha aspektet, ligjore dhe morale. CEZ u bën thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit të ndalojnë veprimet e tyre arbitrare.”- u shpreh drejtori i përgjithshëm i CEZ. Drejtori i “CEZ Albania” bën të ditur se kompania do të ndjekë penalisht të gjithë ata punonjës të policisë që kanë ndërhyrë për rikthimin e energjisë. Ndërkohë drejtori i shpërndarjes në CEZ, nënvizoi se punonjësit e ndaluar do të kenë mbështetjen maksimale të kompanisë, ndërsa i bëri thirrje policisë së shtetit të zbatojë ligjin.
