Drejtuesi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Ardian Çela deklaroi dje se muaji shkurt ka shënuar një tjetër rritje të arkëtimeve dhe ulje të humbjeve të energjisë në rrjet. “Muaji shkurt shënon një shifër rekord me dyfishimin e të ardhurave krahasuar me muajt e tjerë, duke arritur në 7.3 miliardë lekë, një rritje prej 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa humbjet në shkurt janë 31.8%, një reduktim me 10.3% krahasuar me shkurt 2014”, deklaroi Çela. Pas mbi 105 mijë akt-marrëveshjeve të nënshkruara gjatë muajit që lamë pas, me vlerë 150 milionë dollarë, me shtyrjen e skemës lehtësuese që fal 80% të kamatëvonesës, në ditët e para të marsit u nënshkruan dhe 9 mijë të tjera.
Pas publikimit të skemës për biznesin, kreu i OSHEE bëri të ditur se janë nënshkruar edhe 700 kontrata me vlerë 2 milionë dollarë, ku 50% i takon biznesit të vogël. Por, sërish, numri i debitorëve është mbi 400 mijë, 300 mijë prej të cilëve konsumatorë familjarë. Kreu i OSHEE-së në daljen e djeshme mediatike u ndal edhe tek plani i investimeve prej rreth 50 milionë dollarësh.
“Në Gjirokastër, ku niveli i humbjeve është 20%, në prill shpallim prokurimin për një nënstacion që u përmbyt, në Korçë për fiderat në zonën industriale, por investimet më të mëdha do të jenë në Tiranë dhe Durrës që zënë 50% të konsumit dhe humbjeve”, saktësoi Çela.
Me rikthimin e reshjeve dhe për rrjedhojë rritjen e prurjeve në kaskadën e Drinit, kreu i OSHEE njoftoi vënien në zbatim për herë të parë të marrëveshjes KESH-OSHEE, për blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve përgjatë pjesës së mbetur të muajit mars, me çmim më të lirë se importi.
