Çelen aplikimet online për bursat e studimeve universitare në Hungari. Burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit bëjnë me dije se tashmë kanë nisur aplikimet për bursa studimore universitare, pasuniversitare , ose në fushën e kërkimit, si dhe në kurse vere pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë ose të Kërkimit të Hungarisë, për vitin akademik 2014-2015. Aplikantët duhet të bëjnë regjistrimin në ëebsite-in e Bordit Hungarez të Bursave. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për këto bursa është data 7 prill. Jashtë këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim tjetër Konkretisht bëhet fjalë për bursa studimi nga 3 deri në 10 muaj që do të ofrohen për studime të pjesshme në nivelin Bachelor dhe Master. Për këto bursa mund të aplikojnë studentë për programe të ndryshme studimi në Bachelor (BA) ose Master Shkencor (BSc). Kandidatët e interesuar duhet të kenë përfunduar të paktën 2 semestra në institucionet e arsimit të lartë të vendit të tyre. Mosha e rekomanduar është deri në 30 vjeç. Gjithashtu aplikimet mund të bëhen edhe për studime pasuniversitare ose në fushën e kërkimit (3-21 ditë ose 1-10 muaj). Për këtë kategori burse të gjithë të interesuarit duhet të jenë të pajisur me një diplomë të nivelit Master. Rekomandohen aplikantë, të cilët dëshirojnë të kryejnë kërkime për tezën e studimit në PhD. Por këta kandidatë duhet të jenë në vazhdim të studimeve në programin e doktoraturës. Në programet e doktoraturës bursa ofrohet e plotë 36 muaj për të gjithë kohëzgjatjen e studimeve. Për këtë nivel mund të aplikojnë kandidatë që zotërojnë gjuhën Hungareze ose kandidatë që janë të pajisur me certifikatën e njohjes së gjuhës tjetër përkatëse të përcaktuar nga Zyra e Bordit të Bursave Hungareze për kryerjen e studimeve, nëse gjuha e punës nuk është Hungarishtja. Për programet e doktoraturës do të ketë edhe bursa të pjesshme nga 1 deri në 12 muaj. Në studimet e postdoktoraturës dhe në fushën e kërkimit ofrohen bursa nga 1 deri në 10 muaj. Aplikantët duhet të kenë titullin “Doktor” ose një gradë të barazvlefshme. Ndërsa për vizitat kërkimore bursat do të zgjasin deri në 1 muaj. Në secilin rast duhet bërë aplikimi online ku dhe konfirmohet më pas dorëzimi i dokumenteve përkatëse.
