Çelet edicioni i radhës i Berlinales

anazapta

 

 Po zhvillohet këto ditë në Gjermani Festivali i Filmit të Berlinit, në të cilin marrin pjesë kryesisht filma nga Gjermania, Evropa Lindore, Ballkani, Rusia dhe Azia Qendrore. Pjesa më e madhe e tyre trajtojnë çështje shqetësuese të aktualitetit, drama sociale dhe politike, por në festival konkurrojnë edhe filma të mirëfilltë artistikë

Në Berlinalen e këtij viti, shumë nga filmat pjesëmarrës fokusohen në shqetësimet sociale dhe politike të aktualitetit. Festivali e çeli programin e tij më datë 7 shkurt me dramën me arte marciale, “Mjeshtri i madh”, nga regjisori kinez Uong Kar Uai dhe do të mbyllet ditën e dielë më 17 shkurt.

“Berlinalja ka një traditë madhështore, ku trajtohen shqetësimet politike lidhur me ndryshimet dhe gjërat e rëndësishme që ndodhin në botë. Ky ishte një festival i madh edhe para rënies së Murit të Berlinit, kur përzgjedhësit dhe drejtuesit e festivalit vinin në Evropën Lindore dhe mundoheshin të gjenin filma që ishin të rëndësishëm për një kategori të shoqërisë, apo të ndaluar për një tjetër, si p.sh. filma, regjisorët e të cilëve ishin disidentë që jetonin në Perëndim dhe kërkonin strehim”, thotë Rada Sesiç, mentore në Akademinë e Filmit të Holandës në Amsterdam.

Një nga filmat më të përfolur është ai i regjisorit iranian, Jarfar Panahi, “Perde të mbyllura”, që do të shfaqet më 10 shkurt. Skenari i filmit bazohet në historinë e një regjisori, një burri, qenit të tij dhe një gruaje të re në brigjet e detit Kaspik. Të gjithë janë në ndjekje nga policia, por gjithashtu ata kërkojnë edhe njëri-tjetrin.
Ndonëse nuk i është bërë publicitet, filmi i fundit i Panahit është pa dyshim tërheqës për publikun, sepse trajton një tematikë që bie ndesh me regjimin në vendlindjen e tij. Në vitin 2010 këtij regjisori iu ndalua me anë të një komunikate që të prodhonte filma për një periudhë 20-vjeçare. Më vonë ai u arrestua sepse përkrahte lëvizjen opozitare e quajtur “Lëvizja e gjelbër”. Në procesin e ngritur kundër tij një gjykatë iraniane e dënoi me 6 vite burg, por ky dënim u pezullua pas protestës së zhvilluar nga komuniteti ndërkombëtar. Në vitin 2012, Parlamenti Evropian e shpalli Panahin si një ndër fituesit e çmimit prestigjioz “Sakharov”.

Po aq e shumëpritur është edhe drama franceze “Camille Claudel”, në të cilën tregohet historia e të dashurës së August Rodin, Kamilë Klaudel, e shtruar në një spital psikiatrik, pasi ishte diagnostikuar si e paqëndrueshme mendërisht. Regjisori i këtij filmi, Bruno Dumo, ka përzgjedhur aktorë me probleme mendore, gjë që e ka bërë këtë film edhe më të përfolur.
Në festival konkurrojnë edhe filma nga Evropa Lindore, Ballkani, Rusia dhe Azia Qendrore. “Berlinalja” ofron arenën më të mirë për prezantimin e filmave që përcjellin mesazhe politike e sociale, por nuk përjashtohen as ata artistikë.

Një film nga Rumania i titulluar “Shfaqja e fëmijës”, trajton korrupsionin në këtë vend, ndërsa tregon historinë e një nëne, e cila mundohet të blejë lirinë e djalit të saj që kishte vrarë në një aksident automobilistik një fëmijë.
Nga Iraku filmi “Gëzuar ditëlindjen” tregon historinë e një djali që viziton varrin e të atit, një metaforë për të kaluarën jo shumë të largët të vendlindjes së tij. Është viti i 63-të për ‘Berlinalen’ dhe 404 filma që do të shfaqen deri në ditën e përfundimit të këtij edicioni, më 17 shkurt. Nëntëmbëdhjetë filma janë përzgjedhur të garojnë për çmimin prestigjioz “Ariu i Artë”, në kategorinë e filmit më të mirë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *