Çelet sezoni kombëtar i pyllëzimit

Dita

Çelet sezoni kombëtar i pyllëzimit, gjatë të cilit parashikohet mbjellja e 500.000 fidanëve në mbarë vendin.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka iu bashkuan sot, në Krastë të rrethit të Krujës, aksionit kombëtar të mbjelljes së fidanëve pyjorë që do të shtrihet në gjithë vendin.

“Janë 500 mijë fidanë që mbillen në këtë sezon. Është projekti i parë, masiv, rehabilitues i gjelbërimit në Shqipëri. Por, rikthimin në normalitet të malit të Skënderbeut e kemi detyrim kombëtar dhe do ta bëjmë patjetër. Pas fazës së mbjelljes së fidanëve në rrafshina, duhet të bëjmë edhe hidro-mbjelljen, në mënyrë që të mbyllim këtë plagë që na e sheh gjithë bota sa zbret në aeroportin “Nënë Tereza”. Është një turp kombëtar i paimagjinueshëm.”

Ministri Koka tha me projektin e nisur do të rehabilitohen 30.6 hektarë, veçanërisht në ato pika që kanë qenë gurore, por problem sërish mbeten subjektet që i rihapin ato.

“Janë rreth 76 mijë fidanë pishë mesdhetare që mbillen. Kjo është një nga zonat nga më të shfrytëzuarat përsa i përket gurit dhe gëlqeres, kryesisht. Problemin më të madh kemi me gropat e gëlqeres. Ne i mbyllim dhe i rihapin sërish.”

Kryeministri garantoi se krimi mjedisor nuk do të tolerohet dhe paralajmëroi masa të reja në Kodin Penal kundër këtij krimi.

Kryeministri Rama inspektoi edhe rrugën Krujë–Qafështamë, 18 kilometra, e përfshirë në rikonstruksion të plotë.    Me një fond prej rreth 499 milionë lekë po kryhet zgjerimi i rrugës, ndërtimi i mureve të gurit, ndërtimi i mureve mbajtës dhe sinjalistika horizontale dhe vertikale. Rehabilitimi i rrugës lehtëson lidhjen e 4 mijë banorëve të zonës me Krujën, por bën edhe më lehtësisht të arritshëm për turistët dhe vizitorët, parkun natyror të Qafështamës.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *