Nisja e lulëzimit të pemëve rikthen në vëmendje alergjitë. Dyert e poliklinikave dhe spitaleve gjatë ditëve të fundit kanë pritur një fluks të lartë pacientësh, të cilët kanë manifestuar komplikacionet e para të aktivizimit të alergjive. Ajo që bie në sy sipas mjekëve alergologë, është fakti se krahas pacientëve kronikë, në listën e të prekurve nga alergjia po shfaqen edhe shumë raste të reja, ndërmjet të cilëve edhe fëmijë të vegjël.
Mjekia alergologe Mira Xhixha tregon se shkak i shtimit të këtyre rasteve bëhet dalja në ajër e polenit të luleve që sapo kanë nisur të çelin, i cili klasifikohet si shkaktari kryesor që po ndikon drejtpërdrejt në rishfaqjen e alergjive kronike, si dhe të rasteve të reja që diagnostikohen për herë të parë.
Alergologia Xhixha tregon më tej se ndryshimet që ka pësuar stili i jetesës në vendin tonë gjatë viteve të fundit, kanë bërë që sistemi ynë imunitar të jetë më i ndjeshëm dhe në këtë formë edhe më i ekspozuar ndaj alergjive. Duke qenë se jemi edhe në sezonin e shpërthimeve masive të gripit, shpeshherë pacientët i neglizhojnë simptomat e alergjive duke i trajtuar në kushtet e shtëpisë si viroza apo gjendje gripale, për shkak të ngjashmërisë së simptomave. Ndërkohë që me kalimin e ditëve kuptojnë se diçka nuk shkon pasi simptomat nuk pësojnë përmirësime nëse nuk marrin mjekimin e duhur.
Lotimi i syve, rrufa, teshtimat dhe skuqja e lëkurës janë simptomat më të shpeshta që paralajmërojnë riaktivizimin e alergjive apo dhe shfaqjen e tyre për herë të parë. Për të mos lejuar kalimin në stadin kronik të alergjisë, pacienti duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të kërkojë kujdesin mjekësor që në stadet e para të shfaqjes së simptomat. Ndërkohë që neglizhenca mund t’u kushtojë trajtimin e përhershëm të alergjisë, kjo nëse sëmundja kalon në kronike.
“Karakteristikë e këtyre alergjive është kohëzgjatja rreth 4 muaj, përsëritja çdo vit në këtë sezon. Kjo sa i takon rasteve kronike të alergjive. Lidhur me grupmoshat e rrezikuara mund të themi se alergjitë kryesisht prekin grupmoshat aktive, 20, 30 dhe 40 vjeç. Megjithatë nuk përjashtohen edhe rastet e shfaqura tek fëmijët e moshës mbi 5 vjeç”, shprehet alergologia.
Sipas saj, për çdo rast të diagnostikuar të alergjive ambientale këshillohet marrja e vaksinës e cila mbron organizmin nga pasojat e alergjisë së shfaqur. Sa i takon terapive të trajtimit me medikamente, Xhixha shton se përcaktimi i saj bëhet vetëm pasi mjeku alergolog të ketë kryer vizitat specifike dhe provat e alergjisë tek pacienti, rezultatet e të cilave ndihmojnë edhe në përshkrimin e barnave që duhen përdorur.
Megjithatë, krahas trajtimit me medikamente, personat që vuajnë nga alergjitë duhet të jenë të kujdesshëm edhe ndaj një sërë faktorësh të tjerë ku përfshihen: ”Kontaktet sa më të pakta polenin e luleve, nuk duhet të qëndrojnë për një kohë të gjatë në ambiente të gjelbra, të veshin rroba të cilat t’i thajnë në ambientet e brendshme të shtëpisë dhe kur të udhëtojnë t’i mbajnë mbyllur xhamat e makinave”.
